Djegia e Teatrit “Skampa” s’e fsheh dot Neronin lokal që po fërkon duart...

Djegia nga flakët e gushtit e njërit prej institucioneve me të vjetra të qytetit të Elbasanit, teatrit “Skampa”, ka shkaktuar natyrshëm zemërim, keqardhje dhe fundin e një dite të hidhur. Enciklopedia e qytetit shënoi si ngjarje të saj për fat të keq, një ngjarje të hidhur, të tillë që do mbahet mend në jetë të jetëve. Një zjarr i tillë shënon edhe përgjegjësitë e rastit. Për kryetarin e bashkisë së qytetit, të rizgjedhur për herë të dytë, Qazim Sejdinin, faji ishte i zjarrfikësve, pavarësisht se është bashkia ajo që administron gjithë objektin dhe është përgjegjëse edhe për masat kundër zjarrit. E kështu në mënyrë të thjeshtë e mesatare muhabeti, dukej sikur një turist i huaj po fliste për një ngjarje që sapo kishte ndodhur, apo si dikush tjetër që sheh lajmet e thotë e ka ky apo ai fajin për këtë gjë. Në detyrën e administratorit të qytetit, natyrisht që bashkia është përgjegjëse nëse iu është përgjigjur apo jo inspektimeve të institucioneve që vetëm këtë detyrë kanë, nëse ka respektuar nga ndërtimet me dhe pa leje distancat e domosdoshme për sigurinë e objektit apo jo. Rikonstruksioni i objektit, mirëmbajtja e tij, marrja e masave kundër zjarrit, lagështisë, etj, janë detyra të administratorit, këtë rast bashkia e qytetit. Drejtuesit e saj, këtë herë ishin në rolin e komentatorit politik, analistit provincial, sehirxhiut të rastësishëm, hileqarit të rëndomtë, etj.
Nëse do marrim një argument të thjeshtë, natyrisht nuk do merreshim me kilometrazhin e makinave të zjarrfikësve, apo shpejtësinë e qarkullimit të makinave, metrat e hedhjes së ujit, apo gjëra teknike të këtij lloji. Kryetari i qytetit dilte para qytetarëve të tij si komentator i situatës së zjarrit dhe jo i përgjegjësisë së rastit. Meqë nuk u shtrua asnjë pyetje, një e tillë mund të bëhej: Ku kanë qenë punonjësit e prapavijës së teatrit (ose persona të ngarkuar nga bashkia) në çastin kur afër objektit po kryheshin punime?
Para 15 vitesh kur kryheshin punime në tarracën e teatrit “Skampa”, dy punonjës të këtij teatri rrinin të gatshëm me pajisje shuajtëse zjarri pas teknikëve që kryenin punime. Kjo për arsyen se kjo tarracë e përbërë nga lëndë druri kombinuar me hapësirën e sallën mund të sillte zjarr të menjëhershëm. Administratori pra ka rastin të përgjigjet pse nuk gjeti zbatim kjo praktikë.
Pa folur për jetën e varfër kulturore të deritashme në Elbasan, duhet thënë se tashmë Elbasani është një qytet pa teatër. Kjo do të thotë se është një qytet me jetë kulturore të varfër edhe më shumë sesa ishte. Natyrisht në gjendjen e krijuar është mirë që shteti ta rindërtojë teatrin siç ishte, bile për të larguar çdo thashethem të bëjë edhe blerjen e truallit, në mënyrë që në të njëjtin vend të rindërtohet, bile edhe më i madh, teatri me të njëjtin emër. Një teatër i ri, i shkon në 100 vjetorin e krijimit të shtetit, Elbasanit të Aqif Pashë Biçakçiut, për të festuar më mirë se çdo herë veprën e rilindësve elbasanas.
Natyrisht për të mos dashur të cilësojmë këtë apo atë person si Neronin e Elbasanit është rasti të kujtojmë se në histori ky (Neroni) ka hyrë si njeriu që dogji Romën. Askush nuk mban mend apo nuk kujton personat që u munduan të shuajnë zjarrin e Romës.