E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna Fushë Kuqe, padi për Bashkinë e Tiranës

Kurbin Plazhi i Godullës është tejet i ndotur nga mbetjet që derdhin në lumin e Tiranës firmat e pastrimit

Një nga zonat më të virgjëra për sa i përket shfrytëzimit të plazhit është edhe ajo e Godullës, në Komunën Fushë Kuqe të Rrethit të Kurbinit. Ajo shtrihet në krah të gjirit të Rodinit. Mungesa e zhvillimit të këtij plazhi lidhet direkt me ndotjen e kësaj pjese bregdetare. Derdhja e lumit Ishëm aty pranë sjell me vete edhe mbeturinat që hidhen nga Tirana deri në Fushë Kuqe. Kjo gjë e ka renditur këtë zonë në një ndër më të ndoturat në vendin tonë. Në këtë lumë derdhen edhe ujërat e zeza. Sipas kryekomunarit të Fushë Kuqes, Dedë Keraj, Godulla ka një sipërfaqe toke prej 640 ha, ku lulëzojnë kryesisht shkurret, marina, ahu, pisha e bimësi të ndryshme. Ka një vijë bregdetare me gjatësi 5 km dhe një brez rëre nga 50-150 metra. Aktualisht, ajo po vizitohet nga shumë investitorë të fushës së turizmit, për shkak të afërsisë së saj me kryeqytetin dhe aeroportin e Rinasit, vetëm 7-8 km larg superstradës Fushë-Krujë - Laç. Megjithëse është një zonë thuajse e paprekur nga ndërtimet, mbeturinat që depozitohen aty kanë shkaktuar një katastrofë ekologjike, duke shkatërruar edhe florën e faunën e këtij ekosistemi. Kjo zonë është në varësi të ndërmarrjes së pyjeve dhe nuk i transferohet komunës. Këshilli i komunës ka bërë kërkesë për ta marrë në administrim, sipas ligjit për transferimin e pronave publike, por ka hasur në shurdhërinë e Ministrisë së Mjedisit. Lidhur me nivelin e lartë të ndotjes, komuna do të bëjë një padi kundër Bashkisë së Tiranës, pasi ndërmarrjet e pastrimit në kryeqytet i hedhin mbeturinat në lumin që vjen nga Tirana për në Ishëm. Po kështu, objekt i kësaj padie do të jenë edhe fabrikat e uzinat që hedhin mbetjet e tyre kimike, si dhe ujërat e zeza në këtë lumë. Drejtuesit e komunës ankohen edhe për faktin se askush nga qeveria nuk është dukur në këtë zonë për të vlerësuar mundësitë për investime në të.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›