E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Urbanistike, oponenca teknike inekzistente

U hapet rruga projekteve private që kundërshtoheshin me baza ligjore nga ISPU


Besoj se të gjithë kanë dëgjuar për Institutin e Studimeve dhe Projektimeve Urbanistike (ISPU) në Tiranë, ose kanë shkuar atje për të ditur se çfarë po parashikohet në qytetin e tyre, në pronën e tyre, ose për të zbërthyer çfarë thotë plani rregullues apo studimi pjesor, ose për të marrë ndonjë oponencë teknike për në mbledhjen e ardhshme të KRRTRSH, KRRT të Këshillit të Qarkut apo dhe për KRRT e Komunës apo të Bashkisë.

E pra më datë 29 Mars 2010 ISPU u mbyll përfundimisht dhe mund të quhet e zhdukur edhe gjurma e fundit që pati mbetur nga ai Institut. Dhe kur, në një kohë të tillë të zhvillimeve të mëdha të vendit tonë ku në çdo fushë e për çdo gjë nevojitet planifikimi i territorit, kur po ankohemi dhe po kërkojmë që të krijohen përsëri Institucionet tekniko- shkencore që i ka gjithë bota në çdo fushë ndërsa ne i mbyllëm, i zhdukëm, sidomos pas përmbytjeve nga ujërat e hidrocentraleve në veri, nga rrëshqitjet e faqeve të kodrave dhe çarjet e tokës që po marrin me vete ndërtesa të tëra si pasojë e ndërtimeve pa studime dhe pa leje ndërtimi, pa planifikim.


Qëllimi i mbylljes së ISPU
ISPU po mbyllet në kohën kur u krijua AGJENSIA KOMBËTARE Bërthamore (VKM Nr. 23, datë 20.01.2010) që do ta kthejë Shqipërinë në një superfuqi bërthamore. Po kështu mbyllja e këtij instituti është në vazhdën e shkatërrimit të inteligjencës dhe oponencës teknike në vendin tonë që ka filluar në nga viti 1992 dhe që na ka çuar në këtë gjendje të mjerueshme ku jemi sot në shumë fusha. Po kështu kjo mbyllje bëhet me qëllim që të kalojnë pa oponencë të pavarur, të pakorruptuar, dhe të mirëfilltë teknike me qindra palo projekte private që me aq sa kishte fuqi dhe sa i lejohej ky institucion i kundërshtonte dhe argumentonte bazueshmërinë apo pabazueshmërinë në ligj, në dokumente tekniko-ligjore dhe në praktikën e mirë botërore dhe shqiptare. Tashmë si pasojë e korrupsionit që ka qenë edhe më parë por tani pa asnjë pengesë do të miratohen me qindra e mijëra të ashtuquajtura studime urbanistike dhe projekte që do të çojnë në shkatërrimin në Shqipëri edhe të asaj që deri me sot nuk është shkatërruar. Nëse më parë sa për sy e faqe kërkohej opinioni i ISPU për ligjin e planifikimit të territorit (me sa jam në dijeni as është marrë mendim fare për ligjin nr. 10119, këtë paçavure skandaloze që u  miratua në Parlament pa asnjë oponencë dhe ka hyrë në fuqi pjesërisht), rregulloren e urbanistikës dhe ligje të tjera tani nuk do të jetë me nevoja të kërkohet oponencë sepse ISPU nuk ekziston dhe kjo bëhet qëllimisht me qëllim të keq që të bëhen si shumë ligje të tjera si tu dojë qejfi palo qeveritarëve dhe në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e praktikën e vendeve të tjera të botes dhe veçanërisht të Bashkimit Europian. Do të thonë AKPT por ajo do të jetë pothuajse plotësisht administrative dhe e varur nga Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave. Po kështu, ky institut u mbyll që të lulëzojnë palo institutet private që kanë mbirë e do të mbijnë si kërpudhat pas shiut ashtu si të ashtëquajturat universitete e spitale private kudo në Shqipëri. Në vend që të ngrihej në një nivel më të lartë, të bashkëpunonte me institutet e tjera homologe në botë, të mos rrinte si në rrethim, të kontribuonte më shumë, të ngrihej dhe të dëgjohej zëri i specializuar i tij ai u mbyll. Dhe faji kryesor për shkatërrimin e tij bie mbi drejtuesit e tij, pjesa më e madhe e të cilëve kanë menduar vetëm për të përfituar personalisht duke shkelur ligjin, duke realizuar interesa personale me projekte private që i miratonin në Këshill teknik të institutit dhe deri në KRRTRSH ose me favorizim të personave e firmave të caktuara sepse ata vetë firmosnin dhe vetë vulosnin, duke mos kundërshtuar në KRRT e KRRTRSH nga ana teknike për të ruajtur karriget e tyre si të paafte që ishin, duke mos ndërgjegjësuar opinionin publik për shkatërrimin dhe masakrën e përditshme urbane dhe të mjedisit nga ndërtimet me të ashtuquajtura studime urbanistik dhe leje të kundraligjshme ndërtime dhe nga ndërtimet pa leje etj. Bërthama e ISPU vjen nga sektori i Urbanistikes në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve Nr. 1 Tiranë. Në vitin 1991 me VKM Nr. 221, datë 15.7.1991 Për ndarjen e e Institutit të Projektimeve Nr. 1., pika b, u krijua Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Urbanistike (ISPU) me qendër në Tiranë, në varësi të Ministrisë së Ndërtimit e me objekt veprimtarie studimin dhe projektimin e territoreve dhe hapësirave urbane, urbanizimin e tokës në Republikën e Shqipërisë si dhe zgjidhjen e problemeve urbanistike aktuale dhe të perspektivës. Instituti i Urbanistikës përbëhej nga tre departamente: 1. Sektori i studimeve dhe Projektimeve të zonave urbane dhe rurale ; 2) sektori i studimeve dhe projektimeve të zhvillimit të turizmit; 3) sektori ekonomi-finance-personale-administratë.


Ligji për funksionimin e ISPU
Në ligjin Nr. 8405 , datë 17.9.1998, Për urbanistikën në nenin 13 përcaktohej: ISPU është organi shtetëror në nivel kombëtar që harton studime dhe projektime urbane të përcaktuara në rregulloren e urbanistikës. Ky institut varet nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. Në kreun V të rregullores së Urbanistikës të miratuar me VKM Nr. 722, datë 19.11.1998, përcaktohen roli dhe detyrat e ISPU:  ISPU është organ i specializuar shtetëror në nivel kombëtar në fushën e planifikimit të territorit dhe studimeve e projektimeve urbanistike në nivel kombëtar rajonal e lokal. ISPU është konsulent i KRRTRSH dhe kryen oponenca për të gjitha studimet e rëndësishme territoriale dhe urbanistike që hartohen nga institucione dhe organe të ndryshme studimore e projektuese vendase e të huaja kundrejt pagesës nga i interesuari.. (shiko foton për të gjitha detyrat dhe rolin e ISPU)


Tentativat për ringritjen e ISPU
Janë bërë disa herë tentativë që ky institucion të ristrukturohej, të rriteshin rrogat shumë të ulëta të personelit, të paguheshin oponencat që nuk paguheshin po jepeshin falas me urdhër nga Ministria deri në vitin 2003, të rritej autoriteti i tij dhe ajo që ishte më kryesorja të mos ishte më në varësi të Ministrisë së Punëve Publike por të varej direkt nga Këshilli i Ministrave pasi kështu do të arrinte ta luante rolin e tij siç duhej dhe do të shmangeshin shumë pengesa në punën e tij projektuese përfshirë edhe mosdhënien e të dhënave nga institucionet përkatëse dhe mosbashkëpunimin e pushtetit vendor etj. Një faktor negativ dhe i qëllimtë në ISPU ishte mbajtja e specialisteve, punonjësve, me kontrata 6 mujore ose 1 vjeçare pune dhe jo 2-3 vjeçare në mënyrë që ata të ishin të bindur dhe të miratonin lloj-lloj shkeljesh që donin drejtuesit e ISPU ose të ministrisë. Mirëpo gjithnjë qeveritë e ndryshme donin ta kishin nën hyqëm, në varësi politike, për realizuar pushtetarët e ndryshëm qëllimet e tyre të mbrapshta dhe ky institut mbeti gjithnjë në hije, i pazhvilluar pa luajtur rolin e tij derisa me miratimin e ligjit skandaloz Nr. 10119 , datë 23.4.2009, Për planifikimin e territorit që është shumë larg ligjeve të vendeve të BE, më i keq se ligji paraardhës dhe që legalizon ndërtimet pa leje, ky institut u mbyll fare duke kaluar në Agjenci të Planifikimit të Territorit që është një funksion pothuajse plotësisht administrativ dhe ka të bëjë shumë pak për të mos thënë fare me punën që ai bënte me parë dhe që duhet të bëjë një institucion tekniko-shkencor në Shqipëri.

Nga Ilir SOPOTI


Vijon...

Last Updated on E Merkure, 07 Prill 2010 19:39

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›