E Diel, 1 Nëntor 2026

BE sugjeron një taksë shtesë prej 50 miliardësh për bankat

Projekti

Komisioni Europian ka publikuar një studim, i cili sugjeron vendosjen e një takse të re për bankat, që nëse do të vihet në funksionim do të gjenerojë rreth 50 miliardë euro në vit për qeveritë e Bashkimit Europian, financat publike të të cilave janë rrënuar si pasojë e krizës së fundit ekonomike. Kjo taksë mund të jetë një nga propozimet financiare që do të bëhen së shpejti në Bruksel në lidhje me ardhmërinë e financave të vendeve të BE-së, që ende nuk kanë dalë mirë nga kriza ekonomike. “Sektori financiar duhet që të kontribuojë në financat publike, duke qenë se ishte pikërisht ky sektor që krijoi krizën dhe u shpëtua me paratë e taksapaguesve”, ka deklaruar komisioneri europian për tregun e brendshëm dhe shërbimet. Bashkimi Europian kërkon që të unifikojë mendimet në lidhje me rrugët e forcimit të financave në prani të takimit të vendeve të G20-s, që këtë herë do të zhvillohet në Toronto të Kanadasë. Aktualisht, Suedia operon me një sistem të tillë taksor për bankat dhe nëse ky sistem do të përdorej edhe për vendet e Bashkimit Europian në një masë të caktuar, atëherë të ardhurat do të ishin shumë të mëdha për ekonomitë e vendeve përkatëse të rrënuara nga kriza e rëndë financiare. Në fakt, taksa të tilla nuk është se janë të reja, por ato nuk janë zbatuar në masë të gjerë dhe nga shumë vende, sepse nuk është e thjeshtë që të gjendet një masë e caktuar. Ndërkohë, raporti i komisionit përsërit nevojën për një marrëveshje globale, por shton se edhe në mungesë të një koordinimi ndërkombëtar, një iniciativë e Bashkimit Europian në lidhje me këtë çështje do të ishte shumë e vlefshme.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›