E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryesia, kush rrezikon përjashtimin

PS Pas Kongresit do të votohet “kupola” e re dhe sekretariati ekzekutiv

Kongresi i 18 Prillit pritet të hapë rrugën e rizgjedhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste dhe më tej sekretariatit ekzekutiv. Në këtë proces ekziston mundësia që një pjesë e anëtarëve të forumit më të lartë partiakë midis dy Asambleve të mos rizgjidhen. Sipas statutit të Partisë Socialiste, Asambleja Kombëtare zgjedh Kryesinë e PSSH. Numri i anëtarëve të Kryesisë miratohet nga AK-ja me propozim të Kryetarit të Partisë. Kryetari i PSSH paraqet listën e plotë me kandidatura për anëtarë të Kryesisë. AK e PSSH ka të drejtën e propozimit të kandidaturave shtesë deri në 1/3 e listës së paraqitur. çdo kandidaturë shtesë mbi listën e propozuar për anëtar të Kryesisë së PSSH duhet të ketë mbështetjen e 10% të anëtarëve të AK. Asambleja Kombëtare e PSSH me propozim të kryetarit të Partisë, miraton numrin dhe strukturën e Sekretariatit. Kryetari i Partisë i paraqet AK për miratim kandidaturat për Sekretarë të PSSH për secilin post. AK mund të kërkojë votimin me kandidatura alternative për funksione të veçanta. çdo kandidaturë alternative për poste të veçanta për sekretar të PSSH duhet të ketë mbështetjen e 20% të anëtarëve të AK. Kandidatët për Sekretarë të PSSH duhet të kenë të paktën një mandat si anëtarë të AK të PSSH. Aktualisht, Kryesia e PS ka 16 anëtarë me të drejtë të plotë vote. Ata janë: Edi Rama (kryetar i PSSH), Arben Isaraj, Arben Malaj, Ben Blushi, Erion Braçe, Ermelinda Meksi, Eva Allushi, Gramoz Ruçi, Ledi Shamku, Mimoza Hafizi, Namik Dokle, Pandeli Majko, Saemira Pino, Valentina Leskaj, Mimi Kodheli dhe Lindita Nikolli. Sekretariati ekzekutiv i PS përbëhet nga: Andis Harasani, sekretar për Programin Politik; Arta Dade, sekretare për Marrëdhëniet Ndërkombëtare; Blendi Klosi, sekretar Organizativ; Edlira Haxhiymeri, sekretare për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta; Et’hem Ruka, sekretar i Burimeve Njerëzore; Fatmir Xhafa, sekretar për Koordinimin dhe çështjet Ligjore; Kastriot Islami, sekretar për çështjet Zgjedhore dhe Besnik Bare, sekretar për çështjet e Mjedisit. Lista e të rrezikuarve nga një hedhje në votëbesim e Kryesisë prek ata që janë cilësuar tanimë si kritikë të kryetarit të partisë Edi Rama. Kështu rrezikojnë përjashtimin nga Kryesia e PS anëtarët: Arben Malaj, Ben Blushi, Eva Allushi (e cila ka dhënë dorëheqjen), Mimoza Hafizi, Saemira Pino. Nga sekretarët rrezikohen: Andis Harasani, Edlira Haxhiymeri dhe Kastriot Islami.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›