E Diel, 1 Nëntor 2026

Komuna Hotolisht, aty ku investimet dhe turizmi po gjallërojnë jetën ekonomike të banorëve

02-06-2011 / Nga Agim Blloshmi

Reportazh


Zgjedhjet e 8 majit kishin në fokus qytetarin dhe si të tilla, ishin qytetarët ata që vendosën për të ardhmen e tyre. Kryetari i sapo zgjedhur i komunës Hotolisht, Fadil Alliu, ka vënë në jetë projektin e parë, vetëm pak ditë pas ardhjes në detyrë. Me insistimin e tij, u arrit të ndërtohej vepra më e rëndësishme për fshatin Çerçan të kësaj komune, ndërtimi i urës mbi lumin Shkumbin. Vetë Fadil Alliu shprehet i lumtur për realizimin e këtij projekti, duke qenë se ky ishte dhe një nga premtimet kryesore të tij gjatë fushatës elektorale. “Ishte populli i mrekullueshëm i Hotolishtit që më dha mandatin dhe unë po i shërbej e do t’i shërbej”, tha ai. Komuna Hotolisht shtrihet përgjatë Luginës së Shkumbinit, ose më mirë në të dyja anët e tij, shtrihet në tokat ku më parë kanë jetuar më parë kandavët të cilët kanë patur një kulturë të lashtë dhe të vyer, duke ndërtuar edhe një ndër rrugët më strategjike të Ballkanit, rrugën Kandavia. Rrugë mbi të cilën më pas Romakët ndërtuan Via Egnatia (Vija e ngata - e gjata) ose rruga Egnatia që quhet sot, që lidhte lindjen me perëndimin. Rrugë në të cilën kaluan fiset (gotët, visigotët) më barbare dhe u ndeshën perandoritë më të mëdha (romake-osmane) të të gjitha kohërave. Në ketë rrugë dhe nëpër këto ngushtica i madhi Gjorg Golemi (I njohur si Gjergj Arianiti) theu për herë të parë fuqinë osmane, një betejë që bëri jehonë dhe  që zgjoi shpresë në gjithë botën e qytetëruar.


Ja cila është Komuna Hotolisht sot


Komuna Hotolisht e Rrethit të Librazhdit është një nga komunat që ka thithur më shumë investime, dikur ka qenë një nga komunat më të vështira të rrethit madje dhe të Qarkut të Elbasanit, një komunë që për 60 vjet nuk ka parë asnjë rrugë makine, as një çezmë ujësjellës, madje dhe me shkolla të rrënuara. Madje kur qeverisej nga socialistët asnjë projekt nuk është zbatuar. Fshatrat lidheshin vetëm më rrugë kuajsh dhe njerëzit për  pazaret e tyre ose për të sëmurët duhej t’i bënin vetëm më krahë. Komuna Hotolisht është nga komunat më të mëdha të rrethit të Librazhdit nga numri i banorëve dhe është një zonë kreativë turistike ku qeveria vitin e kaluar zonën e “Shebenik”-ut e ka shpallur “Park Kombëtarë”, megjithëse rruga kombëtare kalon mes përmes Hotolishtit, ku është një nga rrugët që lidh lindjen me perëndimin ishte lënë pas dore, një rrugë siç e thamë në fillim është pothuajse vazhdim i rrugës “Egnatia”. Komuna Hotolisht e rrethit të Librazhdit bën pjesë më Qarkun e Elbasanit, përbëhet nga tetë fshatra: Hotolisht, Xhyrë, Dardhë, Vehçan,Vulçan, Çerçan, Kokrevë dhe Buzgarë.


Ka një popullsi prej 7000 banorë me tendencë rritjeje gjatë viteve të fundit. Kufizohet me Komunat Polis, Qukës dhe Stravaj dhe Maqedoninë. Ka një sipërfaqe prej 152 kilometra katrore. Investimet Sipas Fadil Alliut, kryetari i ri i cili ka fituar mandatin e kryetarit për të qeverisur për katër vjet Komunën e Hotolishtit, ka mbajtur premtimin e parë elektoral, në investime. Në ditët e para të fushatës premtoi: investime për të gjithë komunën dhe në ndihmë të banorëve, Fadil Alliu kandidoi nga PD nën siglën “Aleanca për Qytetarin” fitoi me mbi 170 vota më tepër se rivali i tij i koalicionit të majtë. Një nga premtimet e para të tij në fushatë ishte ndërtimi i një ure tip beli, me konstrukt metalik që lidh Hotolishtin me fshatin Çerçan, ku këta banorë kishin vite që  kërkonin ndërtimin e një ure të tillë.


Me vite të tëra, për të kryer shërbimet e tyre këta banorë kishin një urë të varur ure me dërrasa e cila  ishte e rrezikshme, sidomos në dimër kur kishte fryrje të lumit Shkumbin. Sot ka përfunduar ndërtimi i saj dhe banorët ndjehen shumë të kënaqur me këtë investim. Ndërtimi i saj u bë e mundur me ndihmën e Ministrit të Mbrojtjes Arben Imami dhe deputetit të zonës Rrahim Çota. Selim Xhepi një banor i Çerçanit thotë se jemi kënaqur dhe jemi krenar që u mbajt premtimi i parë nga kryetari jonë i ri. Gjithashtu sipas Fadil Alliut për gazetën 55 thotë se: “kemi dhe mjaft investime në: Arsim, shëndetësi, infrastrukturë të cilat do të jenë prioriteti ynë”. “Këto ditë do të fillojmë dhe fazën e dytë për asfaltimin e rrugës automobilistike Hotolisht- Hotolisht Fshat me vlerë 15 milion lekë të reja. Gjithashtu do të përfundojmë asfaltimin e rrugës Dardhë me një vlerë 73 milion lekë të reja nga Fondi i Zhvillimit Shqiptar”, u shpreh Alliu. Kryetari i sapo zgjedhur përfundon projektin e parë, madje sipas tij ishte populli i mrekullueshëm i Hotolishtit që më dha mandatin dhe unë po i shërbej e do t’ shërbej. “Siç e shihni përfundoi projekti i parë me sukses, ndërtimi i urës së re që lidh Komunën  e Hotolishtit me fshatin Çerçan. Banorët më dhanë votën, dhe unë do t’ju shërbej, do t’ju shërbej të gjithë banorëve të komunës. Do të bëj që fshatrat të jenë me më shumë rrugë, me me shumë shkolla, me më shumë ujësjellësa dhe me më shumë rrugë lidhëse midis lagjeve që edhe prodhimet që nxjerrin në treg t’i shesin me kosto sa më të ulët e mos ju rriten shpenzimet. Do të bëj që prodhimet bujqësore e blegtorale të jenë bio e  fërmerët të ndjehen të zotë në shtëpinë e tyre”, përfundon prononcimin e tij për gazetën “55”, kryetari i sapo zgjedhur i komunës së Hotolishtit, Fadil Alliu, duke vlerësuar se këto projekte do realizohen edhe falë ndihmës dhe bashkëpunimit me pushtetin qendror, prefekturën dhe deputetin e zonës Rrahim Çota, i cili u është gjendur pranë banorëve si dhe i gatshëm për të mirën e komunitetit.


Perspektiva turistike


Potenciali turistik në Hotolisht përbëhet nga elementet turistike që ofron natyra si dhe elementët e trashëgimisë kulturore, të cilat tërheqin turistë të huaj dhe vendas të cilët pothuajse në këtë verë janë të shumtë ku një pjesë kërkojnë dhe ndihmën e banorëve vendas për t’i shoqëruar në vendet e bukura ku në shumë raste vendasit i ndihmojnë me  kuaj. Ekonomia e liberalizuar dhe hapja me botën, krijojnë kushte për tërheqjen e turistëve të huaj dhe vendas. Për këtë duhen investime, për të krijuar mjedise e kushte të nevojshme si rrugë, telekomunikacion, ndërtimi i pikave e mjediseve çlodhëse turistike, ngritja e njësive të shërbimit, kulturë profesionale etj. Bukuritë e shumta natyrore në malësitë së Hotolishtit, krijojnë mundësinë e zhvillimit të turizmit argëtues. Organizimi i shëtitjeve turistike është shumë çlodhës për arsye të bukurive të mëdha natyrore. Mungesa e komunikacionit e bën të vështirë eksplorimin turistik të kësaj zone sidomos në zonat e thella malore të atyre që kufizohen më Sopotin, Polisin dhe zonën ndërkufitare më Maqedoninë. Pyjet e bukura të Dardhës, Shebenikut, Qukësi e Xhyrës, burimet e shumta si dhe lëndinat e gjelbra gjatë stinës së verës, krijojnë mundësinë e zhvillimit të turizmit sportive, të gjuetisë dhe atë argëtues. Falë dhe disa investimeve që janë  bërë  këto  vitet e fundit nga Komuna, në këtë zonë mundësia e zhvillimit të turizmit është e realizueshme pasi ekziston transporti automobilistik. Komuna e Hotolishtit e Rrethit të Librazhdit ka pasuri të shumta natyrore dhe një trashëgimi të pasur kulturore për zhvillimin e turizmit. Relievi, kushtet klimatike, burimet natyrore, bota bimore, trashëgimia kulturore etj., krijojnë komplekse për vizitorët. Një ndër turizmet më me interes do të ishte zhvillimi i turizmit malor. Relievi malor dhe bukuritë e shumta natyrore të rrethit, mund të zhvillojnë disa lloje veprimtarish turistike si trashëgiminë argëtuese, turizmin sportiv (ski, alpinizëm, gjueti, peshkim), shëtitje turistike etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›