Të vërteta historike, thënë troç
Librat e Sabri Maxhunit–Novosellës, ndihmesë për të lexuar dhe për të kuptuar ndërsjelltazi historinë mes bashkatdhetarësh të ndarë nga rrjedha qindravjeçare e kohës në katër shtete të ndryshme
Rasti e solli të merrja pjesë në përurimin e librit me titull “Që historia shqiptare të mos mbesë në kurthin serbo-sllav”, ku janë përmbledhur shkrime të njëzet autorëve nga Shqipëria dhe Kosova, mbi tri botime të Sabri Maxhunit–Novosellës: “Kuvendet, mbledhjet kombëtare 1941-1946 dhe mbledhjet e shqiptaro-komunistëve në bashkëpunim me serbo-malaziasit në Bujan”, (Prishtinë, 2010), “Drejt shtetit shqiptar në kufijtë kombëtarë” (Prishtinë, 2010) dhe “Rezistenca kosovare mes dy zjarresh - Kujtime” (Prishtinë, 2010).
Emrin e Sabri Maxhunit-Novosellës, e kam hasur herë pas here në faqet e shtypit të Shqipërisë, të Kosovës ose të diasporës shqiptare në viset e Europës Perëndimore. Mbresa të thella, më kanë lënë sidomos vërtetësia dhe thjeshtësia, me të cilat autori i drejtohet lexuesit shqiptar, kudo ku ai jeton, për probleme madhore të përmasave kombëtare, si të së djeshmes, ashtu edhe të së sotmes e të së nesërmes. Me botimet e tij të plota, u njoha jo më shumë se dy javë përpara, në Qendrën për Mjekësi Fizikale dhe Rehabilitim (QMFR) “Nëna Naile”, Banja në Kllokot, pronar i së cilës është ai vetë. S’ka sesi të ngul këmbë, pra, se e kam gëlltitur plotësisht gjithë atë dendësi faktesh dhe analizash historike, me të cilat janë mbushur jo pak, por më shumë se 650 faqe të zakonshme libri, brenda një kohe fare të shkurtër. Por, si gazetar, do të përpiqem të vë në dukje disa vlera që, sipas meje, ngërthen vepra e Sabriut, përtej atyre me karakter historik e dokumentar, për të cilat specialistë që gëzojnë tituj e grada shkencore, kanë folur me profesionalizëm të padiskutueshëm.
1
Çka më tërhoqi vëmendjen fillimisht, ishte botimi me titull: “Që historia shqiptare të mos mbesë në kurthin serbo-sllav – Njëzet autorë për tre librat e Sabri Maxhunit-Novosellës, ndërsa prisja përpara sportelit të recepsionit, që të bëja veprimet e nevojshme të pranimit. Si u binda se ai burrë thinjosh, por tepër i pashëm në foton e kapakut të librit, i cili nuk m’i ndante sytë përmes syzeve me xhama disi të errësuar, ishte njeriu të cilit i kushtohej libri në fjalë, nisa ta shfletoja atë, duke menduar njëherësh të gjeja mënyrën për ta pasur një ekzemplar në bibliotekën time. “Mund ta merrni, - më erdhi zëri i njërës prej nëpunëseve përtej xhamit të sportelit. – Është vendosur atje enkas për pacientët.”
M’u duk dhuratë e çmuar, e rënë prej qielli, me të vënë këmbë në atë vend pak a shumë të veçuar nga jeta qytetare, prej nga isha larguar përpara 5-6 orësh. Një botim i mrekullueshëm prej 400 e ca faqesh, nuk ishte pak për ta shfletuar gjatë atyre dhjetë ditëve kurimi në QMFR “Nëna Naile”. Aq më tepër, në shoqëri të një plejade emrash të njohur të botës intelektuale shqiptare, që nga Akademik Feti Mediu, deri te Profesor Doktorët: Hajrullah Gorani, Shefqet Hoxha, Elmas Leci, Resmie Kryeziu, Emin Kabashi. Që nga politologu Abdi Baleta, te studiues dhe historianë, si Uran Butka ose Driton Dibra. Që nga shkrimtarët Murteza Xajë Nura e Ramadan Rexhepi, te publicistë dhe analistë, si Dëfrim Cani, Brikena Bogdo, Gani Dili, Rexhep Krasniqi, Ramazan Dervishi. Që nga Inxhinierët Leonard Sinani e Behexhet Thaçi, te juristi Ylli Morina e te ekonomistët Ahmet Morina e Muharrem Musliu. Një shoqëri të tillë njerëzish të ditur në Kllokot, zor se do ta kisha besuar edhe në ëndërr.
U ndjeva i lumturuar.
2
Befasia më e madhe për mua, ishte vëllimi me titullin sa ngacmues, aq edhe kuptimplotë: “Rezistenca kosovare mes dy zjarresh”, të cilin ma dhuroi vetë Sabriu me një përkushtim të rastit. Dhurata më erdhi, pasi pata lexuar pak a shumë në mënyrë diagonale - siç thuhet zakonisht kur kohën e ke të kufizuar – shkrimet e “njëzet autorëve”, ku, jo pak, por një e katërta ngërthenin në titull fjalën aq të lakmuar “e vërteta”, të cilën ne, shqiptarët, po e kërkojmë si Diogjeni me fener në dorë edhe në ditë me diell: “E vërteta është ilaç i hidhur, por shëron”, (Akademik Feti Mediu), “Të vërtetat për Fadil Hoxhën” (Prof.Dr. Hajrullah Goranit), “Për të vërtetën, kemi nevojë të gjithë” (Uran Butka), “Në kërkim të të vërtetave të historisë” (Driton Dibra), “Libri i të vërtetave” (Muharrem Musliu).
Vetë libri “Rezistenca kosovare mes dy zjarresh”, të cilit po i referohem ë hollësisht, është një katalog i plot me“të vërteta”. Aq më tepër që, siç shkruan “pa hezitim” Muharrem Musliu, njëri ndër personazhet realë të ngjarjeve që përkujton Sabri Maxhuni-Novosella, “libri... zbardh shumë nga të vërtetat që ose nuk janë thënë kurrë, ose janë shtrembëruar gjatë gjithë kohës nga të ashtuquajturit historianë të Kosovës dhe të Shqipërisë”.
Sabriu i ka thënë “të vërtetat” që ka njohur, si rrallëkush shqiptar deri sot, përpos të tjerave, edhe në librin me kujtime “Rezistenca kosovare mes dy zjarresh”. I ka thënë haptazi, pa tjerrje të gjata të lodhshme e të pakuptimshme. I ka thënë thjesht, që ta kuptojnë të gjithë, që nga i shkolluari, deri te i pashkolluari. I ka shpallur pa frikë se mos ndoca “do të ndihen ngushtë” a do t’i kundërvihen, (sepse, për fat të keq, mes shqiptarësh ka ende sot e kësaj dite, nga ata që ose nuk i kanë kuptuar ca “të vërteta”, ngase u janë zënë sytë dashur-padashur, ose bëjnë sikur nuk i kuptojnë ose i shtrembërojnë me vetëdije të plotë). I ka thënë mbështetur në fakte të pakundërshtueshme, si njëri ndër ata që e kanë përjetuar deri në kockë represionin serbo-sllav dhe burgjet e tij, si veprimtar dhe luftëtar i paepur për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. I ka thënë, gjithashtu, si emigrant në shtetin amë (çfarë ironie, që brezat ardhshëm zor se do ta kuptojnë!), duke u gjendur ballë për ballë me diktaturën e egër të Enver Hoxhës, me absurdin e mospërfilljes së gjysmës tjetër të Kombit, nën pushtimin sllavo-komunist.
3
Sabriu e ka trajtuar me të drejtë mbrojtjen e identitetit të shqiptarëve në viset e pushtuara nga okupatori. Pinjoll i njërës ndër familjet që më së shumti është përpjekur të ruajë lidhjet e gjakut me të parët e vet, ai jo më kot ka nënshkruar përherë me dy emra: atë të trashëguar brez pas brezi, Maxhuni, dhe atë të gjendjes civile, imponuar prej pushtuesve serbo-sllavë, Novosella.
Dukuria e ruajtjes së identitetit shqiptar, sipas meje, meriton vëmendje të posaçme nga ana e shtetarëve të Republikës së Kosovës. Jo se një dukuri e tillë nuk vërehet edhe në Republikën e Shqipërisë. Porse, ndërsa në Shqipëri haset kryesisht në fushën e toponimisë, në Kosovë ajo ka marrë përmasa të ngatërruara, duke u shtrirë në mbaresat serbe që u janë shtuar emrave të familjeve, madje edhe të familjeve të njohura, me një të kaluar të lavdishme në luftën për liri e pavarësi. Për të mbijetuar, ato familje kanë qenë të detyruara ta pranonin, ma merr mendja me shumë dhimbje, le ta quajmë, “bishtin serb”.
Mua më gufon zemra që Vushtrinë, ku u mbajt tubimi promovues, tashmë po e thërrasim me emrin e saj të lashtë. Ama më sëmbon në zemër, kur kujtoj që atdhetarë me një të kaluar të njohur në dobi të çështjes kombëtare, ende njihen në histori me emrin e tjetërsuar të Vushtrisë, Vuçitërnë. Si shembull, po sjell Sulejman Vuçitërnën, ish-oficerin e Mbretërisë Shqiptare, Komandantin e Ushtrisë Kombëtare gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, kur shtetit amë, Shqipërisë, iu bashkëngjitën edhe Viset e pushtuara prej armiqve serbë. Me dhimbje m’i thoshte këto të vërteta i biri Sulejmanit, i ndjeri Bardhyl, qysh në vitet ’60 të shekullit që lamë pas, kur së bashku kryenim shërbimin ushtarak në të ashtuquajturat reparte të punës, pa armë, si pasardhës të familjeve “armike” për regjimin. E, megjithatë, edhe vetë shoku im i dashur, Bardhyli, ndonëse e nxori kujtimin e të atit nga baltërat e Kënetës së Maliqit, ku komunistët e mbytën Komandantin e Ushtrisë Kombëtare, dashur-padashur, në dy librat që botoi sa ishte gjallë (njërin me bashkautor Prof. Bajram Dobra), e thirri me emrin që ishte njohur për së gjalli: Sulejman Vuçitërna. Me atë emër prehet edhe vetë Bardhyli, në Varrezat e Sharrës, në Tiranë.
A mund të anashkalohet një padrejtësi e tillë?
4
Jeta në emigracion dhe profesioni i gazetarit më kanë afruar me bashkatdhetarë thuajse nga të gjitha viset shqiptare nën ish-Jugosllavi. Kam njohur mes syresh nga ata që, siç thotë Sabriu, i përkisnin dhe i përkasin krahut kombëtar. Siç kanë qenë të përcaktuar në qëndrimet e tyre për çlirimin e Kosovës, ashtu kanë mbetur ata edhe sot. Por kam njohur edhe një takëm njerëzish të indoktrinuar, të cilët i kanë besuar verbërisht idesë se çlirimi i Kosovës nga sundimi serbo-sllavo-komunist, do të vinte prej shtetit amë, si rrjedhojë e fitores së imagjinuar të rendit komunist, mbi atë kapitalist, çka, nga shqipja, në shqip mund të përkthehet: “Bashkëpunim me komunistët, për të shpëtuar nga një regjim tjetër pushtues, gjithsesi komunist”. Shpesh e kam pyetur veten lidhur me këtë dukuri jo edhe aq të rrallë gjatë tridhjetë-dyzet vjetëve të fundit të shekullit të kaluar: Ishte, vallë, rrjedhojë e besimit te vëllezërit e një gjaku, ishte shpresa e të mbyturit që kapet ku të mundet, edhe pas flokëve të vet, për të shpëtuar, apo domosdoshmëria për një pikë referimi, qoftë edhe e panjohur për çka mund të fshihte në vetvete? Sipas meje, janë secila veç e veç dhe të tria së bashku. Sepse, në atë farë mbylljeje që ishte katandisur Shqipëria, një prishtinas a gjakovar, një ulqinak a tetovar i thjeshtë - ta zëmë - zor ta dinte se në shtetin amë ishte instaluar një regjim ndër më të egrit e Europës Lindore e Juglindore, madje shumë më i egër edhe se në ish-Jugosllavi. Nëse do t’i shtonim kësaj dukurie edhe faktin tjetër që regjimi komunist i Enver Hoxhës bënte çmos ta fshinte Kosovën nga kujtesa e njerëzve, atëherë kuadri del i plotë.
Në librin e vet “Kosova në qëndrimet e Enver Hoxhës”, studiuesi Luan Dode, vërteton se në të gjitha kongreset e PPSH-së, çështja kosovare është përmendur vetëm tri a katër herë. Edhe në ato raste, veç për qëllime propagandistike, mbështjellë me një re të dendur tymi, duke e përzier popullin e Kosovës me popujt e tjerë që luftonin për çlirimin e tyre nga zgjedha titiste.
Prof. Dr. Esat Stavileci më pati treguar këtu e dhjetë vjet të shkuar se, kur pati shkuar në Tiranë si komentues sportiv i TV Prishtinës, nëpunësja e Hotel Dajtit ishte habitur ta dëgjonte “kosovarin” të fliste shqip. “Pse, - e kishte pyetur, - dini shqip ju, “kosovarët”?”
I brengosur, Sabri Maxhuni-Novosella, këtë të vërtetë të pabesueshme e besoi kur u ndesh ballazi me realitetin e Shqipërisë.
Ja si e tregon shkurt e bukur mosdijen e pafalshme të një oficeri të ish-Sigurimit të Shtetit për atë pjesë të Shqipërisë etnike, që, gjeografikisht, mban emrin Kosovë:
Një mbrëmje, duke luajtur domino me një oficer të Sigurimit, lexova në kutinë e dominove: “Sami Dërmaku – Gjilan”.
Oficeri më pyeti:
-Çka është kjo “Gjilan”?
Iu përgjigja:
-Është një lloj marmelate që ua bëjnë bukën fëmijëve për mëngjes.
Oficeri e hëngri.
I denjë për një vepër letrare, episodi ngjan i kërkuar. Mjerisht, është fare i vërtetë dhe hedh dritë më së miri mbi njërën ndër vatrat e shumta të njërit ndër dy zjarret mes të cilave ishin vënë protagonistët e rezistencës kosovare. Çka mund të priste Kosova prej kuadrosh gjysmakë të përgatitur në shkollat e Shqipërisë, kur s’kishin haber as se ekzistonte gjysma tjetër e kombit, as nga binte ajo? Ata lloj kuadrosh ishin të bindur verbërisht se gjithçka “e dinte Partia” dhe se, përtej kësaj dogme, nuk ekzistonte asnjë e vërtetë tjetër në botë, aq sa, në rast të një lufte kundër të dyja aleancave ushtarake më të fuqishme në botë, kundër NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, do të ngadhënjenin bunkerët dhe e ashtuquajtura “teori e luftës popullore” e Enver Hoxhës.
Vatra të tjera, edhe më të rrezikshme, siç rrëfen autori i librit në fjalë, digjnin njëherësh heronjtë e rezistencës kosovare, ose ata të viseve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi. të cilët u dergjën burgjeve të diktaturës komuniste në Shqipëri ose iu dorëzuan UDB-së jugosllave.
5
Ajo çka haset si refren në tregimin e Sabriut, është brenga se rinia kosovare po manipulohej asohere nga propaganda e emisarëve të Enver Hoxhës, veshur me petkun e diplomatit dhe shpërndarë anekënd botës. Këta lloj diplomatësh që vetëm diplomaci nuk bënin, shfrytëzonin besimin e të rinjve kosovarë ndaj shtetit amë. Sabriu ua ka çjerrë maskën pa mëshirë, madje me emër e me mbiemër, kinse diplomatëve që na e lanë sot e gjithë ditën një copë litar jashtë varrit ku u gropos diktatura komuniste, që ne të pengohemi në të, të marrim thua, siç shprehet populli, të ndrydhim a të thyejmë herë-herë ndonjë dorë a ndonjë këmbë.
Avaz i vjetër, në kohë të reja, do të thosha pa hezitim, për politikën pa rrugëdalje të së majtës së sotme shqiptare, këndej dhe andej kufirit, çka shpjegon jo vetëm dukuritë e padëshiruara që prishin imazhin e republikës më të re të Ballkanit, por edhe ngjarjet e dhimbshme të vitit 1997 në Shqipëri ose trazirat e sotme që po përgatisin Edi Rama, Gramoz Ruçi e kompani. Janë strategji dhe taktika të hershme të armiqve tanë shekullorë, tashmë të njohura katërçipërisht, është dora e tyre e zgjatur tinëzisht që përpiqet t’i tregojë shqiptarët me gisht si njerëz të trazirave, për t’i fajësuar ata se s’dinë të respektojnë ligje, se, në fund të fundit, nuk mund të ndërtojnë shtet. Në shkrimin me titull “Historia shqiptare po del nga kurthi serb”, kushtuar librit “të njëzet autorëve”, autorja nga Vushtria, Naile Demiri, shkruan: “Sot mund të thuhet se trazirat që shkakton e majta shqiptare e udhëhequr nga Z. Rama, janë në vazhdë për të rezistuar realizimin e formimit të shtetit kombëtar në kufijtë e tij natyralë”.
Përpjekjet e Sabri Maxhunit-Novosellës, ndrydhur me dendësi dhe me vërtetësi të paimagjinueshme në tre librat e tij, kanë synuar dhe synojnë tamam qëllimin final të shqiptarëve, çka vetë koha që përjetojmë, po na e vërteton. Finalizimi i pavarësisë së Kosovës, sipas autorit të tre librave, është rruga e vijës prokombëtare, me pikënisje Lidhjen e Prizrenit, e vazhduar me Lidhjen e Pejës, me Lëvizjen Nacional Demokratike Shqiptare, me Lëvizjen Kryeziu, me Lëvizjen Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve, me Lëvizjen e fundit Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe të Viseve Shqiptare nën Jugosllavi. Garanci për të ardhmen, është bashkëpunimi i shqiptarëve me botën demokratike euro-atlantike.