Komuna e Klinës: Sokol Bashota nuk po ngiste

Zyra e Kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota ka mohuar se Bashota ishte duke ngasur veturën për të cilën u raportua, për aksident.
“Derisa kryetari me shoferin e tij ishin duke udhëtuar për në Klinë, ka ndodhur një aksident komunikacioni në fshatin Vragoli, në të cilin ka pësuar lëndime të lehta një person rreth moshës 80 vjeçare, i cili është jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në komunikatë.
Zyra e Kryetarit të Komunës së Klinës shpreh keqardhje për aksidentin e ndodhur dhe të aksidentuarit i uron shërim sa më të shpejtë.
“Njëkohësisht, meqë kjo fatkeqësi është pasqyruar me shtrembërime nga shumica e mjeteve të informimit dhe qëllimshëm është shkaktuar konfuzitet në opinion rreth personit që ka qenë duke drejtuar automjetin, zyra e kryetarit Bashota i demanton të gjitha lajmet e medieve, të cilat duke u thirrur në burime të vetat anonime, që janë vetëm pjellë e imagjinatës së tyre në këtë rast, kanë raportuar se gjoja automjetin ka qenë duke e drejtuar kryetari Sokol Bashota”, thuhet ndër tjerash në komunikatën e zyrës së Bashotës./Indeksonline/