E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna e Prishtinës me investime kapitale në 2013-tën

Komuna e Prishtinës premton investime kapitale gjatë vitit 2013. Drejtori i financave dhe Pronës, Xhelil Bekteshi tha se nga buxheti i përgjithshëm i komunës, përqindja më e madhe orientohet në investime kapitale.
Ai thotë se edhe këtë vit do të ketë projekte për përmirësimin e infrastrukturës në kryeqytet.

Komuna e Prishtinës ka hartuar tashmë listën e projekteve kapitale, që planifikon të realizojë gjatë vitit 2013. Drejtori i Financave dhe Pronës, Xhelil Bekteshi tha se ndërtimi i unazave në kryeqytet është projekti më madhor i cili do të realizohet në vitin 2013, së bashku me Ministrinë e Infrastrukturës. Bekteshi përmend edhe projekte të tjera të cilat financohen nga buxheti vetanak i komunës, të hyra këto nga tatimpaguesit.

Bekteshi tha për Radio Kosovën se kanë bërë përpjekje që aktivitetet në vitin 2013 t’i zgjerojnë në bazë të kërkesave të qytetarëve për investime në infrastrukturë. Viti që lëmë pas ka shënuar një progres dhe një vetëdijesim më të madh të qytetarëve për të kryer obligimet që kanë ndaj tatimit në pronë.

Bekteshi bëri të ditur se përveç ndërtimeve dhe përmirësimit të infrastrukturës, një kujdes i veçantë do t’i kushtohet edhe mirëmbajtjes së punimeve të përfunduara. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›