Komuna e Prishtinës shpif dhe shkel ligjet

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është befasuar me deklaratën e lëshuar nga Komuna e Prishtinës në lidhje me punimet për konservimin dhe restaurimin e Çezmës së vjetër në sheshin “Ibrahim Rugova”. Është për keqardhje që kjo deklaratë përmban shpifje dhe shtrembërim të fakteve në lidhje me vlerat e këtij monumenti të trashëgimisë kulturore, të gjetur gjatë punimeve të realizuara nga Komuna e Prishtinës në këtë shesh vitin e kaluar, thuhet në reagimin e MKRS-së.
Kjo ministri vlerëson se gjetja e Çezmës së vjetër disa shekuj do të duhej të shihej si një pasuri që e rrit vlerën e sheshit “Ibrahim Rugova” dhe jo si diçka që do duhej të mbulohej e të zhdukej, ashtu siç janë zhdukur edhe shumë gjurmë të tjera të qytetarisë së Prishtinës nga politika degraduese e sistemit të kaluar.
Punimet rreth konservimit dhe restaurimit të Çezmës janë nisur në pajtim të plotë me Komunën e Prishtinës, e cila është edhe financuese e projektit, i cili realizohet nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Prishtinës (QRTK Prishtinë). Për këtë, kryetari i Komunës, Isa Mustafa ka nënshkruar edhe Marrëveshje Mirëkuptimi me QRTK Prishtinë, me ç’rast Komuna është zotuar të financojë realizimin e projektit konservues-restaurues me 15 mijë euro. Andaj, është krejtësisht i pavërtete deklarimi se QRTK ka bërë dëmtimin e pllakave të sheshit “Ibrahim Rugova” apo se në çfarëdo forme ka bërë shmangie nga projekti i miratuar.
MKRS shton se thotë se është e habitshme se si Komuna e Prishtinës i jep vetes kompetencën për të vlerësuar se cilat janë vlerat e Çezmës, aq më shumë kur vlerësimin e ekspertëve të bërë që në kohën e gjetjes së Çezmës e ka pranuar si të plotë dhe në bazë të tij edhe ka marrë përsipër financimin e restaurimit dhe konservimit të Çezmës në fjalë.
Pas zbulimit të Çezmës gjatë punimeve në sheshin “Ibrahim Rugova”, ekspertët e QRTK Prishtinë dhe të Institutit Arkeologjik të Kosovës kanë bërë ekspertizën dhe kanë se Çezmja paraqet vlera të trashëgimisë kulturore. Raportet nga kjo ekspertizë janë shqyrtuar nga ana e Komisionit për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave-Projekteve Restauruese-Konservuese të Trashëgimisë Kulturore (Komisioni për Trashëgimi Kulturore), që është organi kompetent për vlerësime të kësaj natyre dhe ky Komision, më 06.06.2012 ka rekomanduar që Çezmja të konservohet dhe të ruhet ‘in situ’ - në vendin e gjetjes, përmes një projekti që do të realizohej nga QRTK Prishtinë. Pas përgatitjes së tij, Komisioni për Trashëgimi Kulturore ka miratuar projektin detaj dhe më 31.07.2012 ka dhënë pëlqimin për vazhdimin e punimeve. Këto rekomandime janë miratuar nga ministri Memli Krasniqi dhe si të tilla janë pranuar edhe nga Komuna e Prishtinës, kryetari i së cilës ka nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi për realizimin e projektit të miratuar.
Përkundër kësaj, Komuna e Prishtinës ka zvarritur në vazhdimësi realizimin e projektit, duke injoruar edhe shkresat e shumta të dërguara nga MKRS në adresë të saj. Po ashtu, Komuna e Prishtinës ka shkelur në mënyrë flagrante edhe Ligjin për Trashëgimi Kulturore, duke e mbuluar Çezmën dy herë në mënyrë klandestinë dhe krejtësisht joprofesionale, pa njoftuar asnjë institucion kompetent të trashëgimisë kulturore. Këto veprime kanë rezultuar edhe me dëmtime të mëdha të Çezmës, tashmë të vlerësuar zyrtarisht si aset i trashëgimisë kulturore i Republikës së Kosovës, veçanërisht të pjesës së saj ballore.
Sa i përket kërcënimit të Komunës së Prishtinës se nuk do të lejoj vazhdimin e punimeve të cilat vet i ka miratuar, MKRS përkujton se në pajtim me Ligjin për Trashëgimi Kulturore, Komuna e Prishtinës është e obliguar që jo vetëm të lejojë punimet, por edhe t’i mbështesë ato në të gjitha mënyrat e mundshme. Në të kundërtën, ajo do të bëjë shkelje të Ligjit për Trashëgimi Kulturore, veçanërisht Neni 4, pika 10 dhe rrezikon që ndaj saj të iniciohen procedurat përkatëse legale.
Në fakt, Komuna e Prishtinës në rastin e Çezmës ka bërë shkelje të vazhdueshme të dispozitave të lartpërmendura, por premtimet e tyre verbale kanë qenë se do të përmbushin obligimet e tyre ligjore, andaj edhe MKRS me durim ka pritur që kjo do të ndodhë. Nëse tani Komuna do të vazhdojë avazin e vjetër të dëmtimit të qëllimshëm të trashëgimisë kulturore dhe të mosrespektimit të obligimeve ligjore, MKRS do të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur legal për të penguar një gjë të tillë, thuhet pos tjerash në reagimin e MKRS-së./Indeksonline/