Komuna e Prizrenit heshtë për arrestimin e zyrtarit të Prokurimit

Komuna e Prizrenit nuk e ka thënë asnjë fjalë për arrestimin e zyrtarit të Prokurimit. Zëdhënësi i KK-së, Ymer Berisha tha se aktualisht është në pushim vjetor dhe se nuk ka asnjë koment rreth arrestimit.” Jam në pushim vjetor”, tha shkurt Berisha për “PrizrenPress”. Partitë politike në Prizren, ndërkaq kanë përshëndetur arrestimin e zyrtarit komunal. Sipas tyre, arrestimi i këtij zyrtari tregon se Komuna e Prizrenit, është zhytër në korrupsion.
Njësiti rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, tre ditë më parë me rreth orës 11:00 ka arrestuar një person të dyshuar nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Shpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Pas informatave të grumbulluara nga pista të ndryshme me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren, janë marrë dosjet e tenderit në Kuvendin Komunal në Prizren, dosje këto që kishin të bëjnë me dyshimet se punonjësi komunal i zyrës së prokurimit ka zhvilluar të gjitha procedurat e prokurimit pasi që është bërë furnizimi me artikuj (dhurata për vitin e ri për të gjithë zyrtarët komunalë në Prizren) që ishin të parapara në kontratë.
Pas analizimit të tenderit hetuesit policor e kanë vërejtur se komisioni për vlerësimin e ofertave nga Kuvendi Komunal në Prizren ka shpërfillur ligjet e prokurimit në fuqi.
Vlera e këtij tenderi kap shumën prej 42.000 euro. Në konsultim me prokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për të vazhduar me procedura të mëtutjeshme hetimore./ Indeksonline/