Komuna e Skënderajt konteston raportin e GAP-it, LDK akuzon

Komuna e Skënderajt përmes zëdhënësit të saj ka reaguar ndaj raportit të GAP-it “Letërnjoftimi i Komunës së Skënderajt”, për të cilin ka thënë se ka paraqitur të dhëna jo të sakta dhe tendencioze.
Lidhur me konstatimin e raportit se Komuna në vitin 2012 ka pasur të hyra shumë më të vogla krahasuar me vitin 2011, thuhet se deri te kjo rënie ka ndodhur për shkak se vitin e fundit nuk ka pasur të hyra nga koncesionimi. Për këtë Komuna e ka fajësuar Ministrinë e Financave se ju ka caktuar plan të lartë të të hyrave. “Disa herë kemi kërkuar në MEF që të ndryshohet ky plan i të hyrave, sepse të hyrat që kanë ndodhur nga koncesionet nuk janë të hyra të përhershme të komunës”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të Komunës, Hajriz Koci.
Ndërkaq lidhur me konstatimet e Raportit të GAP-it për borxhet e mëdha të Komunës, zëdhënësi Koci mohon se ato janë borxhe por thotë se janë obligime nga kontratat që janë në realizim e sipër. Arsyetime Komuna ka pasur edhe për shpenzimet enorme që i kanë bërë dhe për këto fajin ua kanë lënë kushteve klimatike.
Zëdhënësi i Komunës ka thënë se kryetari Sami Lushtaku është ndër kryetarët që ka premtuar pak dhe ka realizuar shumë.
“Raporti i GAP-it është nisur me një pasqyrim tendencioz në lidhje me kryetarin e Komunës. Nuk mund ta kuptojmë pse janë të rëndësishme të përmenden akuzat që i janë drejtuar z. Lushtaku”, thuhet në reagim.
Një ditë pas publikimit të raportit të Institutit për Studime të Avancuara (GAP), Dega e LDK-së në Skënderaj, nëpërmjet një komunikate ka bërë të ditur se keqpërdorimet nga pushteti lokal janë edhe më të mëdha sesa në raport.
“Në raport nuk është përfshirë politizimi i të gjitha sferave të jetës në komunë, ku mund të punësohen vetëm njerëzit nga klani i Sami Lushtakut, dhe aty-këtu ndonjë militant i partisë së PDK-së, dhe për pasojë nepotizmi, familjarizmi, jarania kanë kapluar institucionet lokale të privatizuara nga Lushtaku”, thuhet në fillim të komunikatës, ku spikatet se pasurimi i pushtetarëve ka marrë përmasa enorme.
”Transparenca e pushtetit lokal në Skenderaj është e nivelit të kohës se Stalinit dhe Mao ce Dunit. Shprehjen e lirisë së fjalës dhe qëndrueshmërinë e klimës demokratike, Lushtaku e ka ngufatur më shumë se kurrë me kërcënime ndaj gazetarëve dhe shoqërisë civile”, thuhet në reagimin e LDK-së./Indeksonline/