Takohen për herë të dytë brenda ditës

(E plotësuar)Kryeministri Hashim Thaçi, homologu i tij serb Ivica Daçiq janë takuar edhe një herë gjatë ditës me baroneshën Katherin Ashton.
Ky takim ka filluar rreth orës 15:50, pasi Përfaqësuesja e lartë e BE-së pati takime të ndara me shefat e qeverive të dy vendeve.
---
Takimi i përbashkët ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Ivica Daçiq, me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka përfunduar.
Maja Kocijançiq, zëdhënëse e baroneshës Ashton, ka bërë të ditur se pas takimit të përbashkët ndërmjet dy kryeministrave në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, zonja Ashton po zhvillon takime bilaterale me të dyja palët.
Në këtë kuadër ajo fillimisht takon Thaçi, e pastaj Daçiq, transmeton REL.
Deri më sot, ishin takimet bilaterale ato që i paraprinin takimit të përbashkët.
Të dy kryeministrat janë përballur sot për të diskutuar kryesisht situatën në veri të Kosovës dhe mekanizmat që do të krijohen për administrimin lokal të kësaj pjese të banuar me shumicë serbe.
Çështja, e cila dominon bisedimet Thaçi-Daçiq, është ajo e asociacionit të komunave serbe në Kosovë.
Palët kanë mosmarrëveshje rreth kompetencave që do të kishte ky mekanizëm. Beogradi këmbëngul në përgjegjësi legjislative dhe ekzekutive, ndërsa Prishtina i kundërshton fuqishëm ato.
Ditë më parë, baronesha Catherine Ashton, ka shfaqur bindjen se Prishtina dhe Beogradi mund të arrijnë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
“Mendoj se është e mundur të arrijnë marrëveshje. A janë të gatshme ose jo, do të varet prej asaj se a do të gjejmë mënyra për t’i tejkaluar disa probleme të vështira që ato kanë”, pati ka thënë Ashton. /Indeksonline/
.......................
Raundi i sotëm i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel ka përfunduar për më pak se dy orë.
Ende nuk dihet nëse është arritur ndonjë marrëveshje apo jo.
Pas takimit te kryeministri të Kosovës, Hashim Thaçi me atë të Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësim të përfaqësueses së lartë të BE-së, kanë pasuar takimet bilaterale me Catherine Ashtonin.
Sipas zëdhënës së Ashtonit, Maja Kocijançiq, shefja e diplomacisë evropiane aktualisht është në takim me kryeministrin Thaçi.
....................
Kryeministri Hashim Thaçi dhe homologu i tij Ivica Daçiq, kanë filluar raundin e shtat të dialogut për normalizimin e raporteve të Prishtinës e Beogradit.
Këtë e ka konfirmuar, Maja Kocijanqiq, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Katherin Ashton.
Temë e diskutimit do të jenë përgjegjësitë e Asociacionit të Komunave serbe në veri të Kosovës. Ndërkaq, takimi pritet të zgjatë deri në orët e pasdites.
Kocijanqiq u ka thënë një ditë më parë gazetarëve në Bruksel se “përpjekjet po shkojnë drejt përparimit në dialog”, duke rikujtuar se përfaqësuesja e Lartë e BE-së javën e kaluar ka vizituar Prishtinën e Beogradin për tu konsultuar me liderët politik të dy vendeve.
Edhe pse më herët ky raund i dialogut vlerësohej si vendimtar, për shkak të afatit të prillit në të cilin Komisioni Evropian do të duhet të hartonte raportin për progresin e arritur në normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë, burimet e agjencisë së lajmeve Tanjug në Bruksel thonë se gjatë javëve të ardhshme do të ketë edhe raunde të tjera.
“Nëse nuk arrihet te marrëveshja në këtë takim, ka ende kohë për vazhdimin e dialogut”, ka thënë një anëtar i Komisionit Evropian me kusht anonimiteti.
Ai ka rikujtuar se ministrat e punëve të jashtme të vendeve anëtare më 22 prill do të takohen në Luksemburg dhe në bazë të raportit të Komisionit duhet të vendosin nëse Serbia mund të llogarit që në qershor do të hapen bisedimet për anëtarësim në Bashkimin Evropian./Indeksonline/