Sovraniteti i Kosovës i rëndësishme edhe për Turqinë

(E plotësuar) Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot kryetarin e Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, z. Cemil Çiçek. Ajo e falënderoi atë për ndihmën e vazhdueshme që shteti i tij i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat e ndërtimit të shtetit demokratik dhe të njohur ndërkombëtarisht.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është shtet i ndërtuar mbi parimin qytetar ku të gjithë qytetarët, pa dallim etnie apo feje, gëzojnë të drejta të barabarta, të garantuara me ligjet dhe Kushtetutën e vendit dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm dhe konstruktiv që komunitetit turk po luan në Kosovë, si pjesëmarrës dhe kontribuues aktiv në institucionet e Kosovës dhe në të gjitha proceset e vendit.
Ajo theksoi që komuniteti turk në Kosovë dhe komuniteti shqiptar në Turqi janë ura të rëndësishme që lidhin vendet tona dhe ndihmojnë në zhvillim të mëtejmë të marrëdhënieve shumë të mira bilaterale midis dy vendeve.
Presidentja Jahjaga tha se ky është shekull i integrimit dhe bashkëpunimit dhe Kosova është e përkushtuar të avancojë agjendën e integrimit euroatlantik, duke shprehur besimin se Turqia do të jetë mbështetëse e rëndësishme në këtë proces.
Ajo tha se bashkëpunimi ndërparlamentar është i rëndësishëm dhe theksoi nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat, sidomos në atë të ekonomisë.
Kryetari Çiçek i shprehu urimet Presidentes Jahjaga për progresin e rëndësishëm që shteti i Kosovës ka bërë që prej shpalljes së pavarësisë, duke e vlerësuar Kosovën si vend kyç në garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.
Ai theksoi se integriteti territorial, sovraniteti dhe pavarësia e Kosovës janë shumë të rëndësishme për Republikën e Turqisë, dhe tha se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë shtetin e Kosovës në të gjitha proceset e saj.
Kryetari Çiçek vlerësoi se Turqia mbetet e përkushtuar ta ndihmojë konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës dhe do të vazhdojë ta përkrahë atë për anëtarësim në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare. Ai tha se Turqia është e interesuar që të thellojë marrëdhëniet bilaterale në fusha që do të zhvillojnë dhe më tej shtetin e Kosovës.
......................................
Gjendja e tensionuar në Veriun e Kosovës, nuk është probleme vetëm i Kosovës, por i gjithë Ballkanit. Zgjidhja e vetme e kësaj është dialogimi, mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu tha kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Xhemil Çiçek, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Kryeparlamentari Turk tha se Turqia e përkrahim dialogun mes Kosovës dhe Beogradit, dhe se të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash, sipas tij, duhet të përmbushën në plotni.
“Ndihem i ngazëllyer qe po u drejtohem ne emër te popullit dhe shtetit tim. Me këtë rast dua tu urojë me rastin e pesë vjetorit te pavarësisë së Kosovës. Kosova në 5 vjetorin e pavarësisë së sajë ka hedhur hapa të mëdhenj për në botën e moderuar. Suksesi më madh në këto vite është përfundimi i pavarësisë së mbikëqyrur”, tha Çiçek.
Ai tha se Turqia e mbështetë njohjen e Kosovës prej shumë vendeve të botës, dhe se e përkrahë atë në anëtarësimin në Organizatat ndërkombëtarë.
Zyrtari nga Turqia ka falënderuar popullin e Kosovës për marrëdhëniet e shkëlqyera që kanë mes vete dy vendet.
“Sikurse e dini edhe ju, vëllai im Jakup Krasniqi ka bërë dy vizita te ne, ne jemi ndjerë krenar qe kemi prit atë, dhe kemi biseduar gjera te frytshme. Marrëdhëniet tona nderparlamentare besoj që do të forcohen edhe më shumë në të ardhmën”.
Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit Jakup Kransiqi vlerësojë se ardhja e Çiçek në Kosovë është shprehje e qartë e marrëdhënieve të shkëlqyeshme në mes dy vendeve. “Kontributi i Turqisë është shumë i madh, prandaj më lejoni edhe një herë të shprehim mirënjohjen tonë për këtë shtet mik. Ne presim që të vazhdojë ndihma e Turqisë për njohjen tonë në organizatë ndërkombëtare dhe arenën ndërkombëtare në përgjithësi”, tha Krasniqi.
Në seancën solemnët kanë marrë pjesë edhe presidentja, Atifete Jahjaga, ish presidenti, Fatmir Sejdi, ish kryeparlamentari, Nexhat Daci, etj. /Indeksonline/
...................................
Kryetari i Kuvendit të Kosovës,dr. Jakup Krasniqi, priti sot në një takim delegacionin parlamentar nga Turqia, i kryesuar nga kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek, i cili po qëndron në një vizitë në Kosovë, me ftesë të kryekuvendarit Krasniqi. Para se të fillojë takimi, delegacionit iu organizua një ceremoni mirëseardhje, ndërsa pastaj z. Cemil Çiçek u nënshkrua në librin e përshtypjeve.
Duke i uruar mirëseardhje homologut të tij, z. Cemil Çiçek, kryekuvendari Krasniqi shprehu kënaqësinë për marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, duke u shprehur se këto marrëdhënie në të ardhmen mund të avancohen në të gjithë lëmenjtë. Këtë po e dëshmojnë edhe këmbimet e shpeshta ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të të dyja shteteve.
Të njëjtin vlerësim të këtyre marrëdhënieve e kishte edhe kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Cemil Çiçek, i cili theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Kosovës janë më shumë se zyrtare, ato janë marrëdhënie shpirtërore ndërmjet dy popujve.
"Çdo përparim në Kosovë e mirëpresim. Këtu kanë ndodhur përparime të mëdha, që neve na bëjnë të lumtur. Kosovën tashmë e kanë njohur rreth 100 shtete,ndërsa ne do të angazhohemi që numri i njohjeve të pavarësisë së Kosovës të jetë edhe më i madh. Jemi në dijeni të vështirësive në shtetndërtim, ndaj do të jemi afër për të ndihmuar institucionet e Kosovës", theksoi z. Cemil Çiçek. Duke folur për rrjedhat aktuale në fushën e bashkëpunimit rajonal, z. Çiçek tha se Rajoni i Ballkanit ka vuajtur shumë, ndaj duhet t' i kthehemi të ardhmes, prosperitetit. Në këtë frymë ai theksoi se ruajtja e stabilitetit dhe pavarësisë së Kosovës është detyrë parësore.
"Të gjithë duhet të pajtohemi me realitetin e ri në Kosovë", u shpreh ai. Duke folur për çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ai tha se me dialog mund të zgjidhen të gjitha problemet. Z. Cemil Çiçek i bëri një vështrim edhe angazhimit të Turqisë në shtimin e njohjeve të pavarësisë nga sa më shumë shtete të botës.
Duke u ndërlidhur me këtë temë kryekuvendari Krasniqi vlerësoi lart kontributin që Turqia jep për shtimin e njohjeve nga shtetet e ndryshme të botës, posaçërisht nga vendet islamike. Në vijim kreu i legjislativit të vendit foli për proceset aktuale shoqërore e politike në Kosovë. Kur është fjala për respektimin e të drejtave dhe lirive të komuniteteve, krahasuar me shtetet e rajonit, komunitetet në Kosovë kanë një status të avancuar. Ato gëzojnë të drejta edhe në jetën institucionale, duke aplikuar parimin e diskriminimit pozitiv.
Duke folur për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryekuvendari Krasniqi tha se pritet që të arrihet një marrëveshjeve ndërmjet dy vendeve."Është në interes të të dy popujve që bisedimet të përmbyllen dhe të krijohen raporte të reja. Kjo është edhe në interesin e serbëve në Kosovë dhe të shqiptarëve në Serbi. Kësaj rruge do të shkëputeshim nga e kaluara konfliktuoze. Në këto rrethana do të krijoheshin kushte për liberalizim të vizave dhe të integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare deri në anëtarësimin në OKB.
Kur është fjala për njohjet, ai tha se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e 5 shteteve të BE-së është një pengesë drejt integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare.
Bashkëbiseduesit ishin unik në konstatimin se në kuadër të marrëdhënieve të gjithmbarshme ndërmjet dy vendeve, një vend të rëndësishëm kanë edhe forcimi i marrëdhënieve ekonomike, si një parakusht i mirëqenies së qytetarëve./Indeksonline/