Komuna mbyll shkollën
Tridhjetë nxënës të fshatit Beçuk të Vushtrrisë, prej të hënës, rruga prej shtëpisë e deri në shkollë do t’u zgjatet për katër kilometra.
Dyert e shkollës fillore ku kanë mësuar deri tani, nuk u hapën më 1 shtator, sikurse në shkollat e tjera të vendit. Kjo pasi që komuna e Vushtrrisë vendosi ta mbyllë shkollën katërklasëshe, e cila qe 14 vjet funksiononte në fshatin Beçuk të Vushtrrisë.
Tash fëmijët e këtij fshati, duhet të ecin katër kilometra për të shkuar në fshatin fqinj, Strofc, ku gjendet shkolla fillore “Liria”. Edhe pse banorët dhe prindërit janë kundër mbylljes së shkollës, e cila është paralele e ndarë e shkollës së Strofcit, Kuvendi Komunal i Vushtrrisë ka vendosur që nxënësit të barten dhe shkolla ekzistuese të mbyllet. Naser Miftari është shumë i shqetësuar me vendimin e Komunës. Ky banor, babai i të cilit në vitin 1997 e ka liruar tokën e tij për ngritjen e shkollës, thotë se Komuna ka bërë gabim të madh që e ka mbyllur paralelen e shkollës. Ai madje betohet se shkolla e ndërtuar vullnetarisht nga banorët, do të hapet.
“Do të insistoj që kjo shkollë të mos mbyllet dhe fëmijët tanë të vijnë këtu, sepse e kanë më afër”, thotë Miftari për Express.
Naseri, që është edhe kryetar i fshatit, tregon se banorët e Beçukut kanë filluar nënshkrimin e një peticioni nëpërmjet të cilit kundërshtojnë fuqishëm mbylljen e paraleles. Ai tregon se bisedat me komunarët për t’i bindur ta bëjnë të kundërtën kanë rezultuar pa sukses. Ky banor sqaron se komunarët u kanë thënë se vendimin për mbylljen e paraleles së ndarë e kanë marrë për shkak të numrit të vogël të nxënësve si dhe siç u është thënë, “cilësisë jo të mirë të mësimit”. Por këto arsyetime, sipas Miftarit, nuk qëndrojnë, sepse ata mësues që i kanë mësuar deri më tani, do të barten në Strofc bashkë me nxënës.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...