Përfundon ceremonia, besimtarët ortodoksë largohen

(E plotësuar) Policia rajonale e Kosovës në Pejë njoftoi se pjesëmarrësit në ceremoninë fetare në Patrikanën e Pjese kanë filluar të largohen nga Kosova.
Sipas policisë kthimi po behët pjesë-pjesë apo grupe-grupe dhe jo ashtu siç kanë hyrë besimtarët ortodoksë serbë në Kosovë.
Autoritetet e rendit njoftuan se disa besimtarë kanë qëndruar, gjatë ditës, edhe në komunën e Deçanit.
Rreth 1000 besimtarë ortodoksë serbë morën pjesë në ceremoninë e inaugurimit të vikarit të ri të Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe.
Në mesin e tyre thuhet se ishin edhe Zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiq, presidenti i Republikës Serbe të Bosnjës, Milorad Dodik, dhe ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq.
Dacic dhe Bogdanovic sot në Pejë
Me lejen e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe me pëlqimin e pjesshëm të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, një delegacion zyrtarësh serbë do të marrë pjesë të dielën në inaugurimin e vikarit të ri të Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe në Patrikanën e Pejës.
Në ceremoninë e zyrtarizimit të Jovan Qulibrkut si vikar i patriarkut serb Irinej do të marrin pjesë zëvendëskryeministri serb, Ivica Dacic, ministri serb për Kosovë, Goran Bogdanovic, ndërsa është paralajmëruar edhe pjesëmarrja e presidentit të Republikës Serbe të Bosnjës Millorad Dodik, por për të cilin nuk është dhënë leje për të hyrë në Kosovë.
Zyra e Bashkimit Evropian nuk ka dhënë informata për këtë vizitë, ndërsa zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës kanë pranuar se kanë dhënë pëlqimin për lejimin e Dacicit dhe të Bogdanovicit që të hyjnë në Kosovë, por jo edhe për Dodikun. /kp/