E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëvendosje: Policia na rrahu brutalisht

Nga Express më 04 shtator 2011 në ora 13:03

(E plotësuar) Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër ndaj arrestimit të aktivistëve dhe deputetëve të saj nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës, pas aksionit protestues kundër kryenegociatores Edita Tahiri për shkak të vazhdimit të dialogut me Serbinë.

Deputetet e Vetëvendosjes në Kuvendin e Kosovës, Albana Fetoshi dhe Albulena Haxhiu, të cilat ishin arrestuar nga policia pas aksionit të djeshëm, mbajtën të dielën një konferencë për medie, ku shprehën frustrimin e tyre ndaj aksionit brutal policor ndaj tyre dhe aktivistëve tjerë të kësaj lëvizjeje.

Albulena Haxhiu tha me këtë rast se Vetëvendosje përmes aksionit të djeshëm kundërshtoi bisedimet që po e dëmtojnë Kosovën, ndërkaq sipas saj ndërhyrja brutale e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nuk i kurseu as deputetet e Kuvendit të Kosovës të cilat i ishin bashkuar kësaj proteste.

“Lëvizja Vetëvendosje përmes aksionit protestues dje me datën 3 shtator kundërshtoi edhe njëherë koncesionet e Edita Tahirit dhe Borisllav Stefanoviqit, të cilët po e dëmtojnë rëndë shtetin e Kosovës. Pas përfundimit të aksionit tonë policia speciale ka ndërhyrë në mënyrë brutale duke i lidhur e duke i rrahur aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë Haxhiu. /kp/

VV: Marrëveshja për doganat vulos zmbrapsjen e Thaçit nga veriu

Përfaqësuesit e lëvizjes Vetëvendosja thanë se marrëveshja e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë për vulat doganore ka vulosur zmbrapsjen e kryeministrit Hashim Thaçi nga veriu i Kosovës.

Anëtari i kësaj lëvizjeje, Xhelal Sfeqla, tha se “me marrëveshjen e arritur është vulosur kthimi në gjendjen e para 25 korrikut”.

Komentet e tij Sfeqla i bëri në një konferencë për media e cila u mbajt të dielën- një ditë pas arrestimit të mbi 30 aktivistëve të Vetëvendosjes.

Këta të fundit kishin hedhur domate në drejtim të veturës zyrtare të shefes së delagacionit kosovar në bisedime, Edita Tahiri, pas kthimit të saj nga Brukseli ku ajo kishte mbajtur takimin e radhës me homologun serb, Borko Stefanoviq.

Vetëvendosja akuzoi qeverinë e Kosovës dhe policinë për “dhunën” e ushtruar ndaj pjesëtarëve të saj gjatë arrestimit.

“Edita Tahiri me marrëveshjen e arritur ka vulosur dështimin e maskaradës së reciprocitetit që realisht nuk është implementuar kurrë”, tha Sfeqla. /rel/

Aktivistët e Vetëvendosjes ende në paraburgim

Tridhjetë aktivistë të Vetëvendosjes, të arrestuar nga Policia e Kosovës për shkak të aksionit protestues kundër kryenegociatores në bisedimet me Serbinë Edita Tahiri, janë duke u mbajtur në paraburgim për 48 orë, kanë thënë për Kosovapress zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Zyrtari për informim i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, ka thënë përmes telefonit, se përveç dy deputeteve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët janë liruar mbrëmë, të gjithë të arrestuarit e tjerë janë ende duke u mbajtur në paraburgim.

“Të arrestuarit do të jenë deri nesër në paraburgim për 48 orë lëndët e tyre janë duke u përgatitur dhe pas 48 orëve ato do të procedohen në gjykatë “ka thënë Sadriu.

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë sulmuar me domate veturën e zëvendëskryeministres Edita Tahiri në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pas kthimit të saj nga Brukseli, në shenjë protesta ndaj vazhdimit të dialogut me Serbinë. Me këtë rast Policia e Kosovës ka ndërhyrë ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes, në mesin e të cilëve ndodheshin edhe deputetet e kësaj lëvizjeje Albana Fetoshi dhe Albulena Haxhiu, të cilat janë liruar më vonë.

Qeveria e Kosovës ka dënuar aksionin e Lëvizjes Vetëvendosje dhe e ka konsideruar si akt me qëllim për përfitime politike.

Vetëvendosja kundërshton dialogun me Serbinë, i cili sipas saj është i dëmshëm për Kosovën.

Prishtina dhe Beogradi, me ndërmjetësimin e BE-së, të premten në Bruksel, në kuadër të rrethit të gjashtë dialogut, arritën marrëveshje për vulat doganore dhe regjistrin e kadastrave. Sipas këtyre marrëveshjeve, masat reciproke tregtare ndërmjet dy vendeve pritet të hiqen së shpejti. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›