E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komuna premton anulimin e vendimit për Nedakocin

Banorët e fshatrave Nedakoc, Mavraj dhe Sfaraçak të Vushtrisë kanë vendosur që fëmijëve të tyre t’ua ndërpresin mësimin. Këtë vendim ata e kanë marrë në shenjë proteste ndaj një vendimi të Komunës së Vushtrrisë që rreth 23 arë të oborrit të shkollës së Nedakocit t’i jepen një kompanie private.

Këshilli drejtues vlerëson se kjo pjesë e oborrit të shkollës do duhej të ishte fushë sporti për 230 nxënësit e saj, e jo për kompaninë e auto merimangave. Sipas Këshillit organizativ, as peticioni e as kërkesat e tyre lidhur me këtë problem, nuk janë marrë parasysh nga Komuna.

Drejtori i shkollës, Afrim Namani thotë se nuk ka qenë në dijeni për hapat e ndërmarrë nga Komuna dhe se tashti është para aktit të kryer. Ai kërkon nga Këshilli organizativ që të gjejë mënyra të tjera për të zgjidhur problemin, sepse, sipas tij, nuk është e arsyeshme që nxënësit të mos ndjekin mësimin. Por, zëdhënësi i Komunës së Vushtrrisë, Bahri Bivolaku thekson se vendimi i Kuvendit komunal do të anulohet në seancën e ardhshme./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›