E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bosët” vendosin për kryesinë e PDK-së

Sekretari i përgjithshëm dhe anëtarët e rinj të kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) nuk do të zgjidhen as gjatë javës që po vjen, ndërsa pas zgjedhjes së tyre do të hapet “dera” për zgjedhjen e nënkryetarëve, me ç’rast përfundon procesi i zgjedhjeve të brendshme në parti.

Statuti i partisë e përcakton se pas zgjedhjes së njëqind e pesëdhjetë e katër anëtarëve të Këshillit Drejtues, duhet të mblidhen anëtarët e këtij organi, të cilët me votat e tyre do ta zgjedhin fillimisht sekretarin e përgjithshëm, e pastaj edhe anëtarët e kryesisë. E pas përfundimit të këtyre dy proceseve, kryetari i partisë, Hashim Thaçi, do të zgjedhë zëvendësit e tij.

Javën që po e lëmë pas Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur Kuvendin e gjashtë zgjedhor, gjatë së cilit janë zgjedhur anëtarët e rinj të Këshillit Drejtues. Por, për dallim nga përbërja paraprake, pesëshja e parë më e votuar ka ndryshuar pothuajse tërësisht përbërjen, shkruan “Zëri”.

Dy figurat kyçe të PDK-së, Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi, që njihen si kritikë të ashpër të kryetarit të partisë, Thaçit, nuk janë në këtë grup. Derisa Limaj është radhitur i dhjeti në listën e të votuarve për anëtar të Këshillit Drejtues, Krasniqi është i tridhjetegjashti.

Faktin se organet e reja të partisë nuk do të mund të zgjidhen gjatë javës së parë të shkurtit e ka pohuar vetë koordinatori i zgjedhjeve në PDK, Basri Musmurati, sipas të cilit, janë edhe disa procese që duhet të përfundojnë, pastaj të zgjidhet sekretari, anëtarët e kryesisë dhe nënkryetarët./Indeksoline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›