Komunat Ndroq e Pezë zihen për mbledhjen e taksave vendore
Tiranë
Padia e pazakontë në gjykatë e Komunës së Pezëz: Ndroqi po mbledh taksat në fshatin Pezë Helmes, të na i kthejë
Inspektorët e tatimeve të Komunës Pezë kanë konstatuar se homologët e tyre të Ndroqit kanë shkelur kompetencat territoriale
Një padi e pazakontë është regjistruar në Gjykatën e Tiranës, ku dy komuna zihen për mbledhjen e taksave vendore. Dhe, gjithçka ka ndodhur pak kilometra larg Tiranës, ku komunat Pezë dhe Ndroq janë në konflikt mes tyre, madje punonjësit e taksave akuzohen se kanë shkelur kompetencat territoriale. Pavarësisht se ka një ndarje administrative për bashkitë dhe komunat, sërish ka pasur pretendime për territore, të cilat përkthehen qindra miliona lekë të mbledhura nga taksat. Duke qenë se të dyja këto komuna kanë territore në rrugën e vjetër Tiranë-Durrës, ato mbledhin taksat nga bizneset e shumta që veprojnë në këtë zonë. Inspektorët e tatimeve të Komunës Pezë kanë konstatuar se homologët e tyre të Ndroqit kanë shkelur kompetencat territoriale, duke mbledhur taksa në fshatin Pezë Helmes. Sipas tyre, ky veprim është i paligjshëm dhe komuna, e cila i ka mbledhur këto para, duhet ti kthejë menjëherë. Pas kontakteve me njëra-tjetrën, çështja ka shkuar deri në gjykatë dhe do të duhet një vendim gjyqësor për të sheshuar këto konflikte, të cilat duket se janë të pazakonta, megjithëse raste të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën, ku vendorët bëjnë të gjitha veprimet për të mbledhur sa më shumë fonde. Ky veprim duket se i justifikon edhe në prag të zgjedhjeve, ku bashkiakët investojnë për partinë që i ka zgjedhur.
Sipas burimeve nga Gjykata e Tiranës, disa ditë më parë, në sekretarinë e saj, është regjistruar çështja me numër 12341. Paditës është Komuna e Pezës dhe e paditur është Komuna e Ndroqit, ku paditësi kërkon shfuqizimin e një akti administrativ. Objekti i saj është: Detyrimi i të paditurit, Komuna Ndroq, që të pushojë cenimin në lidhje me ushtrimin në mënyrë të kundërligjshme të kompetencave për mbledhjen e taksave vendore të fshatit Pezë Helmes. Kthimin e shumave të mbledhura në mënyrë të kundërligjshme. Duket se konflikti do të zgjidhet me një vendim që do të marrë gjyqtarja Brunilda Kadi, e cila pritet që të verifikojë shtrirjen territoriale të tyre. s.ç
Komunat Ndroq e Pezë zihen për mbledhjen e taksave vendore burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email