E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunat, miliona të pashpenzuara

Pavarësisht se kaluar më shumë se katër muaj, Komuna e Vushtrrisë nuk ka arritur ta shpenzojë asnjë cent për investime kapitale. Me planin e buxhetit për vitin 2013, kësaj komune për këtë qëllim i janë ndarë 740 mijë e 960 euro, por paratë nuk janë prekur fare, edhe pse kërkesat e banorëve për modernizim të infrastrukturës, sidomos saj rrugore janë të mëdha.

Por, nuk është vetëm Komuna e Vushtrrisë që për muaj të tërë nuk ka arritur të shpenzojë qoftë një euro nga kategoria buxhetore për investime kapitale. Në bazë të raportit tremujor të Ministrisë së Financave (MF) shihet se Komuna e Hanit Elezit, që drejtohet nga Rufki Suma, për tre muajt e parë të këtij viti nuk ka shpenzuar para për investime kapitale edhe pse në dispozicion i ka pasur 272 mijë euro. Edhe komuna e Lipjanit e cila drejtohet nga Shukri Buja, nuk e ka prekur fare buxhetin e paraparë për investime kapitale, edhe pse i janë ndarë hiq më pakë se 1.7 milion euro.

Asnjë cent për tre muaj nuk ka shpenzuar për investime kapitale as Komuna e Malishevës, e cila drejtohet nga Isni Kilaj. Sipas raportit tremujor të MF-së, shihet se kjo komunë për investime kapitale në dispozicion i ka pasur 301 mijë e 444 euro, por për tre muaj nuk ka arritur të shpenzojë qoftë vetëm një cent. Keq në këtë drejtim qëndron edhe Komuna e Fushë-Kosovës, ngase për 90 ditë për investime kapitale ka arritur të shpenzojë vetëm 45 mijë euro, nga 3.8 milionë euro sa i ka pasur në dispozicion, shkruan gazeta Zëri.

Edhe në Komunën e Rahovecit investimet kapitale në pjesën e parë të vitit kane qenë tejet të vogla në raport me planifikimet. Për tre muaj komuna që drejtohet nga Smajl Latifi për tre muaj ka arritur të shpenzojë 231 mijë euro, apo rreth 4 për qind të buxhetit që e ka në dispozicion. Po ashtu, edhe Komuna e Mitrovicës që drejtohet nga Avni Kastrati për tre muaj ka arritur ta shpenzojë vetëm 4 për qind të buxhetit të paraparë për investime kapitale. Nga 2.7 milionë euro sa i ka në dispozicion për pjesë e parë të vitit ka arritur t’i shpenzojë vetëm 117 mijë euro. Edhe Komuna e Skënderajt që drejtohet nga Sami Lushtaku, për tre muaj ka arritur të shpenzojë vetëm 1 për qind të buxhetit, për investime kapitale.

Nga 4 milionë euro sa i ka në dispozicion, komuna ka arritur të shpenzojë vetëm 47 mijë euro. Një për qind të buxhetit për investime kapitale për tre muaj e ka shpenzuar edhe Komuna e Gjilanit, e cila drejtohet nga Qemajl Mustafa. Sipas raportit tremujor të MF-së, shihet se nga 1.2 milion euro sa i ka në dispozicion, komuna ka mundur t’i shpenzojë vetëm 17 mijë euro. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›