E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunikimi me kohën

"…Njeriu i mbërthyer në litarë, i Majlindes është i privuar nga liria fizike, e nga kjo, dhe nga liria e të vepruarit dhe të mendarit.…"

Filozofi dhe sociologu i njohur gjerman Erih Fromi, duke trajtuar fenomenin e ikjes së njeriut nga liria, bën me dije se në qenien njerëzore fle frika nga vetmia dhe tjetërsimi biologjik e shoqëror. Është fjala për njeriun pa ego, të parealizuar, i cili si i tillë nuk është i sigurt në vete, në vlerat e veta, prandaj heq dorë nga liria personale, për tu bashkuar me masën.

Në anën tjetër kemi individin që i qëndron besnik lirisë së vetë, pavarësisë individuale, për hir të së cilës edhe viktimizohet, ndëshkohet, siç është rasti me individin e lidhur me litar të foto-instalacionit të piktores Maljinda Kelmendi të ekspozuar në galerinë e saj “EXPOART 40”, në Prishtinë, në kuadrin e ekspozitës konceptuale “NET/RRJET”. Pos Majlindës, që është edhe kuartore e kësaj ekspozite, në të u prezantuan edhe autorët tjerë, konkretisht: Adem Rusinovci, Lorik Sulejmani, Fitore Isufi-Koja, Alban Nimani, Basri Mekolli, Agron Blakaqori dhe Lorteta Ukshini.

Njeriu i mbërthyer në litarë, i Majlindes është i privuar nga liria fizike, e nga kjo, dhe nga liria e të vepruarit dhe të mendarit. Ai është futur në një “circukulus virtous”, pra një situatë të pa shpresë, fatin e të cilit e mbikëqyrë, e predestinon fuqia madhore, e quajtur “vis maior”, apo “Eulex”. Ky është i riu ynë, njeriu ynë i getoizuar i kufizuar nga burokracia evropiane e vizave, për të vepruar si subjekt sovran, për të lëvizur si qenie e lirë nëpër vendet e Evropës, botës. Pra ky njeri nuk ik nga liria, por është i privuar nga ajo. Nuk dihet në është ky paradoks i kohës, apo imperativ i kapitalit dhe i politikës selektive evropiane? Sidoqoftë të jetë, të zhvishet njeriu nga identiteti e virtyti i vet njerëzor e pastaj të lidhet me litarë, me siguri nuk është imazh i mirë e aq më pak i bukur, në fillimin e këtij mileniumi. Ide interesante paraqet edhe instilacioni semantiko- akumulativ i Adem Rusinovcit, që për objekt-subjekt trajtues ka shoqërinë tonë, e cila po zvarritet pa cak e qellim të caktuar, me shpejtësinë inerte të biçikletës së fosilizuar.

Është kjo metaforë që ka për qellim të zgjojë qytetarin e futur në ekstazën onanike, i cili ëndërron se me lirinë dhe pavarësinë - si me shkopin magjik- Kosova do të shndërrohet në Eldorado, në parajsë. Autori i këtij instilacioni mendon se tash më ka ardhur koha e tokëzimeve, e këndelljjeve, e daravitjeve të mjegullnajave euforike. Pikëpyetja e madhe që është pjesë përbërëse e këtij instilacioni, i referohet njeriut irracional i cili ik nga realiteti, apo edhe më keq, që realitetin e sheh si parajsë të zbritur mbi tokë. Deri kur do të veprojmë si fosile metalike, deri kur dot të jetojmë me logjikën e strucit, deri kur do të lejojmë që të nëpërkëmbët identiteti ynë? sikur pyet autori i kësaj vepre.

Gjithnjë me identitet korrespondon edhe instalacioni i Enkelejda Shatrit, që është torzo e një figurë pa një dorë, e cila (torzo) në vend të jakës ka hartën botërore. Autorja është e interesuar të mësojë për identitetin e qenies sonë, në kërkim të të cilit, rend, udhëton, a se gjen diku, të paktën nëpër ëndrra, apo ndërmjet rreshtave e meridianëve të njerëzimit. Me besimin e fortë që ka ne vete, ajo është e sigurt se atë që kërkon do ta gjejë diku, dikur, në një vend, në një kohë, sepse sipas saj, kurrë nuk është vonë të bëhesh ai që ke dashur të jesh, pra të kesh identitetin tënd, Autorja beson se “diku.... është fundi dhe fundi është fillimi”, apo siç tha letrari i madh amerikan, T.S. Eliot: “Në fillimin tim është mbarimi, në mbarimin tim është fillimi”.

Për identitetin rrëfejnë edhe “Gjurmët” e Agron Blakçorit. Frymëzimi tematik, apo siç thotë ai, objekti i tij filozofik, janë gjurmët si njollë, apo njollat si gjurmë, të gishtërinjve të njeriut, në saje të së cilave përcaktohet identiteti i çdo qenieje njerëzor. Ato e përcjellin njeriun ngado që ai vete, si hija, si fati, si jeta. Më në fund, gjurmët janë dëshmitarë më të cilët individi dëshmon, determinon, firmos, emrin e vet, individualitetin e vet.

Janë mjaft simptomatike figurat rakitike të artistes Fitore Isufi-Koja, e cila kohëve të fundit nuk resh se sfiduari me vide-projeksionet e saj instalative. Kësaj radhe ajo sjell një friz - figurash të vizatuara të femrave të cilat mbajnë në duar dy-tre-katër e më shumë shalqinj. Thuhet se nuk mund të mbahen dy shalqinj në një dorë, mirëpo ideja e autores nuk konsiston në këtë thënie, por në shquarjen e pozitës së femrës (mbase) tonë, të trajtuar si kreaturë dekorative, si qenie fluide, jo substanciale, si arritje standardesh e si numër të “ngadhënjimeve” seksuale të meshkujve. Femrat e Kojes, nuk simbolizojnë seksin, dhe epshin, por simbolizojnë keqtrajtimin dhe keqinterpretimin e tyre njerëzor e shoqëror. Mirëpo, ndonëse të katandisura, dhe të injoruara, ato nuk dot humbin dinjitetin e tyre.

“Komunikim në neosferë” quhet puna e Lorik Sulejmanit, Është ky komunikim i harmonishëm e total midis akordeve akustikë dhe atyre kromatologjike, urbane dhe të urbanizuara, pra është trancsedentim apo siç thotë autori, “konvertim i tingujve muzikor në ngjyra” , për çka u angazhua edhe Kandinski, natyrisht në mënyrën e tij.

Në këtë eveniment multimedial tërheq vërejtjen edhe realizimi i Loreta Ukshinit. “Hëna në tokë”, që është një shpërfytyrim planetar, më të cilin ajo synon ta sinjalizojë rrezikun që i kanoset tokës nga dyfytyrësia, hipokrizia e nga devalvimet tjera morale. “Me anë të kratereve, unë kam sjellë pak hënë në tokë, sepse jeta kameleone ka filluar ta rrezikojë ekzistimin e planetit tonë”- thotë autorja.

Sigurisht që edhe Alban Nimani me përmes video projeksioneve të tij audio-vizuele, të xhiruara në ambientet e zakonshme dhe alternative të Britanisë së Madhe, pastaj Basri Mekolli që vë në spikamë mundësinë e manipulimit të rrjetit të komunikimit, si dhe Driton Hajredini me vizitkartën e tij të Kosovës, kontribuojnë që kjo ekspozitë të këtë cilësi dhe të dëshmojë, se ekspozitat të tilla, pra të suksesshme, mund të realizohen edhe me kuratorët tanë, pa patuar nevojë që t’i huazojmë nga jashtë.

Sot në galerinë “EXPOART 40”, në Prishtinë bëhet prezantimi i katalogut, i cili i përshin punimet e artistëve të prezantuar.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›