Komunistët: PS-ja nuk e mbajti premtimin për ruajtjen e votës
Kryetari i Partisë së Punës së Shqipërisë të Riorganizuar, Marko Dajti, në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare” ka akuzuar Partinë Socialiste se nuk e mbajti premtimin për ruajtjen e votave të subjekteve aleate në zgjedhjet e 23 qershorit.
Zoti Dajti, a jeni të kënaqur nga rezultati i këtyre zgjedhjeve?
Jemi të kënaqur për faktin se koalicioni i majtë, pjesë e të cilit është edhe PPSHR, rezultoi fitues në këto zgjedhje. Duhet thënë se faktori vendimtar në këtë fitore ishte LSI me në krye Ilir Metën, pa mohuar vlerat e Partisë Socialiste. Në të vërtetë, pati shumë probleme gjatë fushatës elektorale që mund të rrezikonin rezultatin, por këto u kapërcyen falë bashkëpunimit PS-LSI-partitë e tjera të vogla. Problemet reale u shfaqën gjatë procesit të numërimit, ku viktima e vërtetë e këtij procesi ishin partitë e vogla. Ne na rezulton se kemi pasur 18-20 mijë vota, por në fund në procesverbale janë shënuar më pak se një mijë. Nga sinjalizimet e shumta dhe të sakta që kemi marrë nga vëzhguesit tanë në terren, viktima të kësaj masakre janë bërë edhe PDS e Paskal Milos dhe PSD e Skënder Gjinushit, që kanë pasur mbi 40 mijë vota secila, si dhe PUK e Idajet Beqirit.
Praktikisht, bëhet fjalë për partitë që organizuan tryezën e “Rognerit”?
Po, është e vërtetë. Pikërisht ne që ishim në vijën e parë të “frontit” dhe që ishim kritikë për mënyrën se si po menaxhohej fushata elektorate e së majtës u penalizuam rëndë. Ky vijon të mbetet shqetësimi ynë, pasi është një sinjal mostolerance në kampin e majtë, por është i kapërcyeshëm nëse PS na e njeh kontributin që kemi dhënë në opozitë dhe gjatë fushatës për rrëzimin e regjimit të Sali Berishës.
A e mbajti Partia Socialiste premtimin që ju dha për ruajtjen e votave tuaja?
Partia Socialiste nuk e mbajti këtë premtim. Sikurse e thashë më lartë, ne jemi masakruar rëndë në procesin e numërimit. Por ne kemi heshtur në këtë pikë dhe kemi vendosur të mos e ankimojmë rezultatin. Në fund të fundit, edhe votat që na u vodhën, mbetën brenda koalicionit. Por praktika e këtyre zgjedhjeve tregon se ka nevojë urgjente për rishikimin e sistemit zgjedhor dhe në mënyrë të posaçme, nuk ka asnjë justifikim që të mos lejojë procesin e numërimit elektronik të votave. Për këtë çështje do të sensibilizojmë edhe faktorin ndërkombëtar dhe do të jetë prioriteti ynë politik.
Ku do të shtrihet tashmë bashkëpunimi juaj me PS-në, në kabinetin qeveritar apo në nivele të tjera të pushtetit, në bazë të marrëveshjes që keni nënshkruar?
Partia Socialiste duhet të vërë në vend një padrejtësi të madhe që i është bërë PPSHR gjatë procesit të numërimit të votave, duke i dhënë vendin që i takon PPSHR në bashkëqeverisjen e koalicionit. Natyrisht, ne nuk pretendojmë të jemi në nivele ministrash, por padyshim na takon të jemi në bashkëqeverisje në nivel qendror. Është në nderin e Partisë Socialiste që në bashkëqeverisje të ketë edhe njerëz të ndershëm e patriotë, që do të sillnin një imazh tejet pozitiv për pushtetin e ri.
Po në rast se Partia Socialiste nuk do ta pranojë këtë nivel bashkëqeverisjeje?
Kemi njëzet e dy vjet në opozitë dhe mund të qëndrojmë edhe katër të tjera. Problemi në këtë rast nuk do të jetë yni, por i Partisë Socialiste. Qoftë si pjesë e mazhorancës së ardhshme, qoftë si pjesë e opozitës së ardhshme, ne do të jemi një barrierë e pakapërcyeshme për çdo aferë korruptive, si në nivel qendror, ashtu edhe në nivel lokal.
Ju keni konstatuar ekzistencën e korrupsionit në nivel lokal, ku aktualisht qeveris Partia Socialiste?
Padyshim, sidomos në komuna. Ne kemi informacione të sakta, pasi partia jonë është e organizuar në të gjithë territorin e Republikë së Shqipërisë, madje edhe me përfaqësues në këshilla komunalë apo bashkiakë. Ka nga ata kryetarë socialistë komunash që janë shndërruar në bejlerë të vegjël, madje edhe latifondistë. Ne kemi prova për shumë raste ku janë grabitur prona publike, por ka edhe abuzime më të rënda. Ka nga ata kryetarë komunash që kanë punësuar dhjetëra njerëz që zyrtarisht paguhen nga shteti, ndërsa në të vërtetë punojnë në pronat grabitura nga këta bejlerë të rinj, megjithëse rrogën e marrin në komunë. Ajo që dua të them është se në disa raste, abuzimi me pushtetin nga këta kryetarë të sotëm socialistë komunash apo bashkish i tejkalon edhe abuzimet e bëra nga pushtetarët e djeshëm të djathtë. Nëse e majta kërkon të qëndrojë gjatë në pushtet, këta elementë duhet t’i godasë pa mëshirë.
A mund të na përmendni ndonjë rast konkret?
Nuk është koha. Fillimisht këto çështje do t’ia bëj të ditura kryeministrit të ri të ardhshëm, në bisedën e parë të nivelit politik ndërmjet dy partive tona. Jam i bindur se Edi Rama do të reagojë vetë ndaj këtyre abuzuesve, pa qenë nevoja që ne të bëjmë denoncim publik. Pas zgjedhjeve, kam parë një tjetër Edi Ramë, një njeri të qetë, tolerant, por njëkohësisht energjik dhe të vendosur për të luftuar korrupsionin që po mbyt prej 20 vitesh këtë vend.
A i druheni një aneksimi të aleatëve,nga ana e PS-së, pasi kryetari Rama ka vënë theksin më shumë në koalicionin PS-LSI, si bosht i Aleancës për Shqipërinë Evropiane?
Si Edi Rama, edhe Ilir Meta e dinë shumë mirë se partitë e vogla janë faktor shumë i rëndësishëm për të fituar zgjedhjet në Shqipëri. Ata e dinë edhe se sa prej votave të numëruara për koalicionin në të vërtetë janë të partive të vogla të këtij koalicioni dhe e dinë peshën tonë reale në terren. Në rast se provojnë të bëjnë të paditurin, do ta provojnë mbi kurrizin e tyre në zgjedhjet e ardhshme vendore, ku këto vota mund të jenë edhe jashtë koalicionit. Por unë besoj se e majta tashmë e ka kuptuar se nga përçarja jonë fiton vetëm kundërshtari.
A do të diskutoni sërish për çështjen e bustit të Enver Hoxhës dhe rivlerësimin e figurës së tij, duke qenë se deri tani zoti Rama është shprehur kundër kësaj kërkese tuaj?
Le të shkëputemi për një moment nga ideologjia komuniste dhe të gjykojmë nga pozitat e demokracisë borgjeze. A nuk është e vërtetë se Enver Hoxha udhëhoqi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe e renditi Shqipërinë mes vendeve fituese të Luftës së Dytë Botërore? A nuk është e vërtetë se gjatë periudhës së qeverisjes së Enver Hoxhës u zhduk analfabetizmi, u bonifikua dhe u elektrifikua Shqipëria, u zhduk gjakmarrja, u ngrit një shtet social dhe industrial? A nuk duhet të njihen dhe të vlerësohen këto merita? Kundërshtarët e tij thonë se ishte një diktator. Por a nuk ishte diktator edhe Mustafa Qemal Ataturku, që sot konsiderohet si babai i Turqisë moderne? E si mund të zhdukej rendi feudal pa një pushtet autoritar? E bëri Ataturku, e bëri edhe Enveri. Në fund të fundit, përse akuzat që i bëhen Enver Hoxhës duhet të merren apriori, ndërsa meritat të mos merren në konsideratë? Por nga pozitat e partisë sonë, ne shkojmë edhe më tej. E kemi konsideruar Enver Hoxhën heroin tonë kombëtar dhe nuk trembemi të përballojmë me argumente historike çdo debat që mund të hapet rreth figurës së tij, duke përfshirë edhe gabimet e mundshme gjatë qeverisjes. Ka ende çështje të pazbardhura nga historia e viteve 1944-1985, pse jo edhe krime. Për këtë arsye ne në programin tonë kemi pikën që parashikon dhënien e pafajësisë për ish-të burgosurit politikë nëpërmjet gjykatës. Ky proces do të zbardhë edhe këto krime dhe do të nxjerrë në shesh kush janë fajtorët e vërtetë që, për arsye thjesht politike, sot kundërshtarët politikë ia veshin të gjitha Enverit. Politikisht, ne gjykojmë se ai e meriton bustin që duhet të vendoset në Tiranë për 105-vjetorin e lindjes së tij. Së shpejti do të kërkoj një takim me kryebashkiakun e Tiranës për këtë çështje, por jam i bindur se edhe krerët e së majtës do të binden në kërkesën tonë të drejtë. Tirana nuk ka kuptim të mbajë në gjirin e vet bustet e tradhtarëve dhe të refuzojë ato të heronjve. Ndryshe nuk ka as histori, as të ardhme.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)