E Shtunë, 31 Tetor 2026

4 Korriku, Basha mesazh urimi kryebashkiakut të Washingtonit

TIRANE - Me rastin e 4 Korrikut, ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, i ka dërguar një mesazh urimi Kryetarit të Bashkisë së Washington DC, Vincent Gray.

Përmes këtij mesazhi, Basha i ka përcjellë urimet më të mira për këtë ditë të madhe të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke e cilësuar si aleatin më të madh që kombi shqiptar ka njohur në tërë historinë e tij.

“Qytetarët e Tiranës dhe mbarë kombi shqiptar u janë përjetë mirënjohës SHBA-së, për ndihmën dhe mbështetjen e jashtëzakonshme që na kanë dhënë përgjatë gjithë historisë tonë, si kur diskutohej fati i ekzistencës tonë, ashtu edhe më pas, në instalimin e parimeve të lirisë dhe demokracisë që ju mbroni fort apo në procese të tjera të zhvillimit të vendit dhe integrimit në strukturat euro-atlantike”, shkruhet ndër të tjera në këtë mesazh urimi.

Basha thekson gjithashtu se “shqiptarët me vendosmëri dhe me ndihmën tuaj janë orientuar drejt avancimit të vlerave të lirisë, të demokracisë dhe të zhvillimit, vlera që sot i ndajmë së bashku, si anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe që në një të ardhme të afërt, do t’i ndajmë dhe me Bashkimin Evropian”.

“Ndaj, shton kryebashkiaku Basha, më lejoni që në këtë ditë të madhe për kombin tuaj, t’ju shpreh ju personalisht dhe qytetarëve të Washington DC, urimet më të mira dhe t’ju siguroj për vendosmërinë dhe angazhimin tim, për të konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin mes dy kryeqyteteve, Tiranës dhe Washington DC”, përfundon mesazhi i urimit drejtuar kryebashkiakut të Washington DC, me rastin e ditës së pavarësisë së SHBA-së.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›