E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunitetet fetare, 3 qëndrimet për varrezat murale

Varrezat e Tufinës

Sharra e Tufina të bllokuara, ska vend për varre.

Myslimanët kundër, ortodoksët e katolikët mirëpresin reformën e Bashkisë së Tiranës.

Komuniteti Mysliman është kundër ngritjes së varrezave murale në Tiranë. Ndërsa për përfaqësuesit e Kishës Katolike dhe asaj Ortodokse propozimi i Bashkisë për ti dhënë zgjidhje mungesës së hapësirave me varret nuk ka hasur kundërshti. Tradita e tyre fetare e njeh dhe e pranon. Të kontaktuar nga gazeta, ata kanë shprehur qëndrimet e tyre pas deklaratave të nënkryetarit të Bashkisë, Edmond Panariti, pak ditë më parë. Nisur nga situata aktuale, ku në Tiranë sektori i funeraleve është në kolaps, po shihet mundësia e një reforme rrënjësore. Por, përpara se Bashkia të ndërmarrë në praktikë këtë iniciativë, do të konsultohet me qytetarët dhe komunitetet fetare. Në kryeqytet vdesin mesatarisht 4000 veta në vit. Gjithkujt që largohet nga kjo jetë i duhet mesatarisht 5 m2 tokë e përdorur për një varr. Pra, janë rreth 20 mijë metra katrorë tokë me të cilën duhet të zgjerohen varrezat. Varrezat e Sharrës janë praktikisht të mbyllura dhe momentalisht operohet vetëm me ato të Tufinës. Kjo e bën të domosdoshme që të shikohen mënyrat e rrugët alternative, duke kërkuar vazhdimisht toka të reja për varrezat. Kjo është edhe një çështje principi, pasi ne nuk mund të transformojmë qytetin, mjedisin vetëm në varrezë, është shprehur Edmond Panariti.
Në deklaratën e tij ai është shprehur se kjo e bën të domosdoshme ndërmarrjen e një reforme që do të përqasë standarde, të cilat ekzistojnë në vendet e BE. Por, në radhë të parë dhe ajo çka është më e rëndësishme, kërkon dhe konsensus e mbështetje popullore, pasi është diçka e re. Bëhet fjalë për të futur disa elemente, siç janë elementet e varrezave murale. Natyrisht, ekziston një ligj-kuadër që e mundëson këtë lloj varreze. Kjo është një risi për ne, sepse pavarësisht se ka edhe precedentë në vendin tonë, p.sh. Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Durrës janë varreza murale, pra nuk është se nuk ka ekzistuar një shembull më parë, por megjithatë, në shërbim publik ky lloj sistemi akoma nuk funksionon, ka deklaruar  Panariti. Nuk dihet si do të veprojë më tej ky institucion kur komuniteti më i madh fetar në vend ka shprehur hapur qëndrimin kundër.

Jemi kundër, spranojnë zhvarrosjen masive
Ne as e kemi pasur ndonjëherë traditë varrezën murale dhe as do ta pranojmë në të ardhmen. Tradita myslimane e ka që trupi të tretet në tokë. Këtë deklaratë bëri për gazetën kreu i Komunitetit Mysliman, Selim Muça. Sipas tij, do të jepet një përgjigje zyrtare pasi Bashkia të të bëjë propozimin konkret. Deri tani nuk jemi në dijeni për ekzistencën e ndonjë të tilli, ndaj për momentin ky është qëndrimi ynë. Tradita myslimane ka varrosjen në tokë dhe nuk e njeh zhvendosjen e eshtrave, vetëm me përjashtime. Për ndonjë arsye madhore, trupi edhe mund të zhvarroset, por nuk jemi dakord me zhvarrosjen masive për t’i grumbulluar trupat në një vend të caktuar, siç mund të jetë varreza murale, tha Muça. Sipas tij,  kjo ide është propozuar kohë më parë edhe nga ish-kryebashkiaku Rama. Jemi shprehur dhe jemi kundër një ideje të tillë, duke pasur parasysh se është në dinjitetin njerëzor që të varrosen në tokë”, tha Muça. Ai shtoi se aktualisht nuk ka mbërritur një propozim i tillë për diskutim nga Bashkia. Në momentin që do të ndodhë kjo, ne do të shprehim qëndrimin tonë, tha Muça. Komuniteti Mysliman është më i madhi në vend, ndaj Bashkia e Tiranës duhet të shohë mundësinë që në reformën e sektorit funeral të përfshijë zgjidhje të tjera alternative.

Domosdoshmëri ngritja e varrezave murale
Ideja e varrezave murale duket një ide e pranueshme, që tashmë ekziston në shumë vende të tjera perëndimore. Ne si katolikë nuk shohim asgjë që nuk shkon në këtë ide, madje inkurajojmë dhe mbështesim një iniciativë të tillë që do t’i jepte një zgjidhje këtij problemi dhe, sigurisht, e administruar nga organet përkatëse e, pse jo, edhe nga grupet e interesit (komunitetet fetare) do të pengonte edhe fenomenet korruptive, tha për gazetën Gjergj Meta, përfaqësues i Kishës Katolike. Sipas tij, në fakt ka kohë që çështja e varrimit është kthyer në një problem. Sa i përket kryeqytetit dhe rrethinave, dhe kam parasysh këtu bashkinë e Kamzës, një nga më të mëdhate në Shqipëri, varrezat duhet me patjetër të riorganizohen nëpërmjet edhe ndërtimit të këtyre varrezave murale, tha Meta. Sipas tij, zgjidhjet dhe zgjedhjet e familjarëve duhet të monitorohen me kujdes dhe delikatesë. Në rast se dikush nuk ka dëshirë ta varrosë të afërmin e tij në një varrezë murale ti krijohen kushtet për këtë gjë e në raste të tjera të përdoren varrezat murale apo edhe familjare, sikurse tashmë ka filluar edhe në Tiranë e Kamzë (të paktën disa familje katolike e kanë praktikuar këtë gjë). Një ide tjetër që duhet hedhur, mendoj unë, është edhe ndërtimi i një objekti ndoshta multifunksional për ceremonitë fetare apo edhe civile pranë varrezave. Kështu, shërbimi do të ishte më i plotësuar, tha Meta.

Në manastire ka varreza murale mijëravjeçare
Tradita ortodokse fetare i njeh dhe i pranon varrezat murale. Këtë deklaratë na dhanë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse, të cilët nuk pranuan të bënin publik emrat derisa ky komunitet fetar të dalë me një qëndrim zyrtar. Nga ana e Kishës Ortodokse nuk ka asnjë pengesë. Në shekuj, eshtrat e varrosura në tokë hiqeshin dhe vendoseshin brenda kishës dhe toka ripërdorej. Prandaj, në këtë kontekst, varrezat murale janë të pranueshme, thanë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse. Sipas tyre, në manastire të ndryshme ka varreza murale mijëravjeçare, madje të tilla mund të gjenden edhe brenda disa kishave të vjetra në Shqipëri. Bëhet fjalë për dhoma të veçanta ku futen eshtrat pas kalimit të një kohe të caktuar. Këto quhen cimitere. Po kështu, në Greqi ekzistojnë varrezat murale. Ajo që nuk pranon komuniteti ortodoks është djegia e eshtrave, thanë përfaqësuesit e kësaj kishe. Ata u shprehën të hapur të diskutojnë me Bashkinë e Tiranës mbi këtë propozim. E rëndësishme është që ti jepet një zgjidhje këtij problemi që është vërtet i madh në Tiranë. Për aq kohë sa tradita jonë fetare e lejon, ne mirëpresim iniciativa të tilla që u shërbejnë qytetarëve, thanë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›