Elbasan- Portali i Bashkisë, Sejdini: Vlerë e mbarëvajtjes së punës
Elbasan- Pas prezantimit të portalit të Bashkisë Elbasan në shkollat e mesme të qytetit, Kryetari i Bashkise Elbasan Qazim Sejdini ditën e sotme realizoi një tjetër takim me pjesëmarrjen e studenteve të Universitetit Aleksander Xhuvani, Fakultetit të Ekonomikut.
Në këtë takim morën pjesë edhe stafi i Bashkisë Elbasan dhe perfaqesues të UNDP-së. Mes studentëve dhe pedagogëve të këtij fakultetit Kryetari i Bashkisë Sejdini thekoi faktin se portali i institucionit të qytetarëve nuk është thjesht një vlerë statistikore, por vlerë e mbarëvajtjes së punëve në qytetin tonë.
“Unë ju ftoj të jeni pjesë jo vetëm e identifikimit të problemeve të këtij qyteti por edhe pjesë e zgjidhjes së këtyre problemeve. Ju ftoj të jeni pjesë aktive e pjesëmarrjes elektronike, duke qenë së bashku pjesë e lobimit për zhvillimin e qëndrueshem të qytetit te Elbasanin. Qyteti ynë nuk është as i djathtë e as i majtë, as i qendrës e as i ndonjë force tjetër politike. Qyteti ynë është qytetin ynë, pa parti. Për këtë arsye për këtë qytet nuk duhet të lobojë vetëm Kryetari i Bashisë Elbasan, nuk duhet të lobojë vetëm Këshilli Bashkiak, por të gjithë ne së bashku. Sa më shumë të jemi, aq më i fortë bëhet zëri ynë deri në strukturat qeveritare, dhe vetëm kështu mund të arrijmë ndryshimet e dëshiruara. Në këtë mënyrë, ne jemi direkt të interesuar që portali i Bashkisë Elbasan që ne po prezantojmë dhe sidomos pjesmarrje elektronike të perfshirë në faqe , të jetë në qendër të navigimit tuaj në internet, madje unë do t`ju ftoja që këtë faqe t`ia tregoni dhe familjarëve e miqve tuaj që, në mënyrë që ky portal të jetë aktiv dhe ndihmesë e jashtëzakonshme në punët tona si institucion vendor”- deklaroi ai.
Ky program i mbështetur nga UNDP synon të sjell më shumë informacione si dhe një pjesëmarrje elektronike të qytetarëve në qeverisjen lokale. Këtë fakt e pohoi edhe përfaqësuesja e UNDP-së Enkeleda Kuka, përgjatë prezantimit konkret që ajo do i bëri konfigurimit të ri të faqes zyrtare, ku deklaroi se qëllimi i saj është rritja e efiçensës mes bashkisë dhe qytetarit.
Armand Kurati/ IDEA