Komunitetet fetare, qeveria ndan paratë

Qeveria shqiptare akordoi dje një shumë prej njëqind milionë lekësh të reja për katër komunitetet fetare në vend, pjesa më e madhe e të cilave do të përdoren për pagat e përfaqësuesve të tyre. Në mënyrë indirekte, ekzekutivi ka përcaktuar edhe peshën specifike që kanë në shoqëri secili prej komuniteteve. Teksa është diferencuar komuniteti mysliman, tri besimet e tjera janë vlerësuar financiarisht njësoj. Por përveç fondit të pagës, në mënyrë të qartë qeveria ka përcaktuar edhe objektet fetare që do të restaurohen apo ndërtohen me këtë fond, i cili është pjesë e buxhetit të këtij viti. Ajo që bie në sy në ndarjen që qeveria i ka bërë këtij fondi të dhënë, lidhet me faktin se Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka katër milionë lekë më shumë se tre përfaqësitë e tjera fetare të vendit. Kështu, Këshilli i Ministrave vendosi dje që t’i akordojë komunitetit mysliman një shumë prej njëzet e tetë milionë lekësh. Në mënyrë të qartë përcaktohet se rreth tetëmbëdhjetë milionë nga kjo shumë do të përdoret për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për punonjësit e administratës së këtij komuniteti. Po kështu, rreth 10 milionë lekë ky komunitet do t’i përdorë për ndërtimin e për mirëmbajtjen e objekteve të kultit në Durrës, Has, Kolonjë, Tropojë-Degë dhe disa komuna të vendit. Qeveria ka vendosur dje gjithashtu t’i akordojë Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë një shumë prej njëzet e katër milionë lekësh. Ashtu si në rastin e komunitetit mysliman, pjesa kryesore e këtij fondi do të kalojë për financim deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për punonjësit e administratës qendrore të saj. Vetëm një milion e treqind e njëzet mijë lekë nga ky fond, Kisha Ortodokse mund t’i përdorë për financimin për pagat e arsimtarëve të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar. Një ndarje buxhetore mbi të njëjtin parim është përdorur edhe në rastin e fondit prej njëzet e katër milionë lekësh të dhënë për Kishën Katolike të Shqipërisë. Vendimi i qeverisë sqaron se tre milionë e treqind lekë do të përdoren për financimin deri në gjysmën e pagës minimale buxhetore për punonjësit e administratës dhe njëzet milionë e gjashtëqind lekë për financimin për pagat e arsimtarëve të institucioneve të arsimit parashkollor, parauniversitar dhe universitar. Një vlerë të njëjtë monetare me institucionet e krishtera ka përfituar edhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane. Fondi i saj prej njëzet e katër milionë lekësh do të përdoret në masën e katër milionë lekëve për financimin e pagave dhe dymbëdhjetë milionë e gjashtëqind lekë për ndërtimin e për mirëmbajtjen e objekteve të kultit “Odeoni”. Por për komunitetin bektashi qeveria ka vendosur që shtatë milionë të shumës së përgjithshme ta kalojë për shtrirjen e veprimtarisë së Kryegjyshatës në vendet e tjera jashtë Shqipërisë, nisur nga fakti se qendra botërore e këtij komuniteti ndodhet në Tiranë. Nuk është hera e parë që qeveria akordon edhe shuma të caktuara të të ardhurave për një mbarëvajtje sa më të mirë të jetës së komuniteteve fetare në Shqipëri. Harmonia fetare mes këtyre komuniteteve është përcaktuar nga të gjithë krerët e politikës si një vlerë e rëndësishme jo vetëm për jetën brenda në vend, por edhe për të përçuar mesazhe paqe e harmonie të Shqipërisë në sferën ndërkombëtare.
#