Komuniteti LGBT, AP: Të rishikohen tekstet mësimore

Avokati i Popullit, Igli Totozani
Avokati i Popullit i kërkon ministrisë së Arsimit ndryshimin e teksteve mësimore bazuar në të drejtat e komunitetit LGBT. AP në një kërkesë drejtuar ministrit Myqerem Tafaj, rekomandon përfshirjen në kurrikula dhe programe mësimore të njohurive dhe informacioneve për komunitetin LGBT, me qëllim arsimimin në një mjedis të sigurt pa dhunë, fyerje, përjashtim social apo trajtim çnjerëzor lidhur me orientimin seksual ose me identitetin gjinor si edhe trajnimin e stafit akademik për moslejimin e çdo forme diskriminimi duke siguruar mbrojtje dhe disiplinë në institucionet arsimore për shkak të përkatësisë së tyre seksuale.
Theksojmë se ekziston një nevojë e fortë për të rishikuar programet dhe materialet mësimore jo vetëm në Shqipëri, thuhet në kërkesën e AP-së. Sipas këtij organi duke ditur se lesbiket, homoseksualët, biseksualët dhe transeksualët kanë qenë shekuj me radhë dhe vazhdojnë të jenë objekt homofobie, transfobie dhe formave të tjera të intolerancës dhe diskriminimit për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor, nevojiten masa specifike për të siguruar gëzimin e plotë të të drejtave të njeriut për këtë kategori personash.
Në raportin social dhe ligjor mbi diskriminimin me bazë orientimin seksual dhe identitetin gjinor të Këshillit të Evropës, i cili mbulon 47 vende anëtare, Shqipëria renditet në listën e vendeve që kanë shkallë të lartë të homofobisë. /F.S/