E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria zgjeron hetimin përtej rastit Bossi

Arta Agolli

Janë zgjeruar më tej hetimet nga prokuroria për çështjen e diplomës së Renzo Bosit. Përveç hetimeve për dy shtetasit italianë të diplomuar pranë Universitetit Kristal, për të cilët është mbyllur procesi i pyetjes së pedagogëve për lëndët përkatëse, njësia task force në Prokurorinë e Tiranës deklaron jo zyrtarisht, se ka zgjeruar hetimet për të verifikuar edhe raste të tjera të përfolura në kohë të ndryshme. Sipas grupit të hetimit nga njësia task force, pas sekuestrimit të një sërë dokumentesh në Universitetin Kristal, po shikohen me imtësi procedurat e ndjekura që nga regjistrimi i studentit, deri tek diplomimi i tij dhe nëse është konsumuar apo jo falsifikimi i dokumenteve edhe për këto raste, si dhe nëse ka apo jo persona të tjerë, diplomimi i të cilëve është i dyshimtë. Por një tjetër risi interesante përsa i përket hetimeve të prokurorisë është se sipas provave dhe dëshmive që disponon organi i akuzës duket se nga të dhënat është pikëtuar edhe personi që mesa duket ja ka bërë dhuratë diplomën Renzo Bosit.
Dyshimet e prokurorisë
Prokuroria po verifikon dyshimet se shumë studentë mund të jenë regjistruar direkt në vitin e dytë ose të tretë, duke paguar paratë e viteve të pa ndjekura. Megjithatë hetuesit nuk konfirmuan se për çfarë rastesh bëhet fjalë, megjithëse deklaruan se verifikimet po kryhen së bashku me hetimet për djalin e ish-liderit të Ligës së Veriut Umberto Bossi-t, Renzo Bossi, diplomimi i të cilit pranë Universitetit Kristal, u publikua së pari nga mediat italiane. Pjesëtarë të grupit të hetimit shtuan se janë në pritje të vënies në dispozicion nga universiteti të disa procesverbaleve, ndërsa nga pyetja e pedagogëve pjesë e këtij stafi është dhënë versioni se asnjëri prej tyre nuk e mban mend studentin Renzo Bossi, sepse sipas tyre ata kanë patur dhjetëra studentë në auditore.
Precedenti
Burime nga prokuroria pohuan se aktualisht hetimet janë fokusuar për të zbuluar personin, i cili sipas tij ja ka bërë dhuratë diplomën Renzo Bossit, megjithëse Universiteti Kristal më herët ka deklaruar se Renzo Bossi është regjistruar për vitin akademik 2007-2008 dhe ka përfunduar shkollën sipas rregullave. Gjatë publikimit të kësaj çështjeje nga media italiane prokuroria e Milanos deklaruan se Bossi është regjistruar me numër amze 482, është diplomuar për menaxhim biznesi, dega ekonomik dhe diploma e tij është lëshuar më 2010.

Greta Koçit i thyejnë makinën, e i vjedhin sendet personale
Pak muaj pasi i vodhën celularin, këngëtares Greta Koçi, i kanë thyer automjetin dhe i kanë vjedhur disa sende personale. Policia në Tiranë i ka thënë medias se këngëtares i kanë thyer xhamin e makinës së parkuar në garazhin e pallatit ku banon dhe i kanë vjedhur disa objekte që ndodheshin brenda automjetit. Ngjarja ka ndodhur gjatë natës duke gdhirë dita e martë, në një prej pallateve që ndodhen në zonën e Qesarakës, pranë Freskut në Tiranë. Autorët kanë thyer xhamin e makinës tip Chevrolet, me targë TR 8383 N, në pronësi të shtetases Greta Fatmir Koçi, 21 vjeçe. Më pas i kanë vjedhur brenda saj portofolin, kasetofonin dhe një aparat për orientim rrugësh. Përveç makinës së këngëtares së njohur, hajdutët kanë thyer e vjedhur edhe tri automjete të tjera që kanë qenë të parkuara pranë saj. Sapo ka konstatuar ngjarjen në mëngjes, Greta ka lajmëruar në Sallën Operative të Policisë dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr.4, që kanë bërë këqyrjen e automjeteve në mënyrë që të fiksohej ndonjë gjurmë gishtash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›