Komuniteti Mysliman, rizgjidhet Selim Muça
Kreu aktual merr 85% të votave
Procesi kontestohet, nisin protestat
Komuniteti Mysliman do të ketë në drejtim edhe për katër vitet e ardhshme Selim Muçën. Në Medresenë e qytetit të Kavajës u zhvilluan dje zgjedhjet për kreun e ri të komunitetit, ku përballë dy rivalëve të tjerë, Muça mori 85 për qind të votave. Zgjedhjet brenda komunitetit janë zhvilluar me debate të ashpra, ku janë shfaqur akuza për klane dhe rryma radikale fetare brenda komunitetit. Pas votimit të zhvilluar me 88 anëtarët e pranishëm, Muça ka fituar me 68 vota pro të anëtarëve të komunitetit, përballë rivalëve të tij, Sabri Hushi e Karajfil Mane.
Ndërkohë procesi zgjedhor në Medresenë e Kavajës është shoqëruar edhe me protesta. Disa ditë më parë një grup imamësh ngritën një padi kundër Selim Muçës me pretendimin e manipulimit të zgjedhjeve për postin e kryetarit. Padia e tyre u dorëzua në gjykatë, duke kërkuar shpalljen e mbledhjes së myftinjve në Kavajë, si të pavlefshme.
Njëkohësisht, mjaft qytetarë u mblodhën përpara Medresesë së Kavajës për të protestuar kundër shkeljes së statusit, sipas tyre, të Komunitetit Mysliman Shqiptar. Sipas tyre, Muça ka shkelur nenin 22 të statusit për zgjedhjen e kryetarit të KMSH-së, duke u vetëpropozuar. Një tjetër akuzë që besimtarët myslimanë ngrenë është edhe ajo e abuzimit me pronat e komunitetit nga ana e Muçës. Mbledhja filloi me debate të ashpra mes grupit mysliman, që kundërshton procedurat e ndjekura për rizgjedhjen e Muçës dhe përfaqësuesve të Këshillit të Përgjithshëm. Kundërshtarët e kreut aktual të konsideruar si të rinjtë e komunitetit kanë paralajmëruar protesta, madje kanë deklaruar se do t’i drejtohen edhe gjykatës për zgjidhje.
Ferdinand Poni: Korrupsioni i Ramës përmbyt gjithnjë Tiranën
Situata në kryeqytet, qeveria akuzon bashkinë
Qytetarët ankohen për neglizhencë, bashkia hesht
Situata e rëndë e krijuar në Tiranë pas reshjeve të djeshme nuk ka marrë asnjë përgjigje apo përgjegjësi nga Bashkia e Tiranës. Negligjenca e bashkisë ka marrë një reagim nga qeveria, e cila ka veshur me përgjegjësi kryesore kreun e bashkisë, Edi Ramën. Ferdinand Poni, zëvendësministri i Brendshëm, lëshoi akuza të ashpra dje kundër Ramës. Sipas tij, korrupsioni që ka përfshirë kreun e bashkisë së kryeqytetit është shkaktari kryesor i situatës së rëndë. “U bë e disata herë, që Tirana e Edi Ramës përmbytet për shkak të mungesës, paaftësisë, abuzivizmit dhe korrupsionit që ka pushtuar bashkinë e drejtuar prej tij”, - tha Poni. Sipas tij, në mjaft zona problematike në rrethe të tjera, situata ka qenë mjaft e mirë kjo për shkak të punës së bërë, ndryshe nga Bashkia e Tiranës. “Në kushtet kur në një mot edhe më të keq nuk ndodhin përmbytje në zonat tradicionalisht problematike e të vështira si Lezhë e Shkodër, si Fier dhe Vlorë, Berat apo Gjirokastër”, - deklaroi zëvendësministri Poni. “Banorët e kryeqytetit janë ndjerë pa mbështetje këto ditë të vështira. “Komuna e Parisit” ka parë veten dje të përmbytur nga reshjet e shiut. Askush nuk na ndihmon, edhe greku na ka ndihmuar më shume, kur kemi pasur përmbytje atje”, - thotë një banore. Kanë qenë vetë banorët që kanë nisur nga puna për të rikthyer situatën nën kontroll, ndërkohë që nga ana e bashkisë nuk flitet për kompensim. “Më njoftuan se po përmbytej dyqani, erdha dhe pashë që uji kishte arritur të shkatërronte gjithçka brenda, malli është jashtë funksionit. Hapa pusetat, por nga to dilte më shumë ujë. S’dimë ku të ankohemi, askush nga bashkia nuk erdhi, asnjë prej tyre nuk është dukur as dje as sot”, - thotë një tregtar i vogël në “Komunën e Parisit”. Uji brenda tij ka arritur një nivel të lartë, duke izoluar me dhjetëra makina poshtë tij, si dhe transformatorët e energjisë elektrike.