Berisha: Prokuroria po funksionon si parti politike
Kreu i qeverisë akuzon përdorimin e Prokurorisë
“Opinioni i qytetarëve? Përgjigjja në Kashar”
Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje Prokurorinë e Përgjithshme se po përdoret si parti politike. I pyetur dje nga media në lidhje me dosjet e hetimit mbi shpërthimin në Gërdec, Berisha tha se nuk pajtohet me një Prokurori që nxjerr dosjet në media. Sipas tij, po bëhet një presion mbi sistemin e drejtësisë për të fabrikuar akuza politike. “A e keni parë sot dosjen të publikuar në media? Kush e nxori dosjen? E nxori opozita? Jo, nuk e ka nxjerrë opozita. Unë do doja të thosha se e ka nxjerrë opozita. E ka nxjerrë ai, që do ta shndërrojë Prokurorinë në parti politike. Ata e kanë nxjerrë, sepse po të kishte argumente dhe po të ishin të fortë, botonin gazeta. Por nuk ka nevojë për gazeta. Kemi një sistem gjyqësor të konsoliduar në 3 shkallë. Duhet të kemi besim të plotë. Por, kur nuk ke besim tek gjykata dhe shkon u bën presion, siç ka ndodhur, atë e përdor, por keqpërdor dhe opozitën dhe median”, - deklaroi dje kreu i ekzekutivit. Sipas tij, Prokuroria ka ndërmarrë akuza false në këtë hetim që nga fillimi i tij. “Prokuroria, me akuzat false që ka formuluar në fillim, ka përdhosur të vdekurit. Në mënyrën se si nisi Prokuroria, me urdhrat politike, për të formuluar pseudo-akuza, ka qenë ky Kryeministër që ju ka thënë ju se duhet të zbardhet e vërteta dhe duhet të jeni të bindur se e kam bërë jo për të mbrojtur ndokënd mbi tokë, por vetëm për të mbrojtur hetimin që duhet të bëhej, pasi, nëse e akuzon tjetrin për atë që nuk qëndron, siç iu tha zotit Mediu se ai ka shmangur dhe anashkaluar ushtarakët, kjo është si t'i thuash këtij populli se “ti ha bar””, - tha më tej Berisha. Ai shtoi se janë anashkaluar 32 dokumente që tregojnë se ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu, nuk kishte shmangur ushtrinë siç pretendon prokuroria. Si kreu i mazhoranës, ai tha se nuk pajtohet me këto metoda, që sipas tij, kanë thyer edhe Kodin e Vdekjes së shqiptarit. “Nuk mund të pajtohem kur shoh që nuk ngurohet të shkelmohet edhe Kodi i Vdekjes, kodi më i lashtë dhe më sublim i këtij kombi, por besoj i çdo kombi të qytetëruar. Të gjithë jemi vdekatar, ndaj mundësisht respekto dhe lexo zgjedhësit e Kasharit”, - shtoi Berisha.
Kreu i qeverisë tha më tej se për këtë çështje janë të ndërgjegjshëm edhe qytetarët shqiptarë. Ai mori shembullin e Komunës së Kasharit, e cila zhvilloi zgjedhjet pak muaj pas tragjedisë së Gërdecit. Berisha tha se qytetarët e Kasharit ndëshkuan me votë politikën që përdhos edhe të vdekurit. “Të përvetësosh opinionin e qytetarëve, të shpallësh veten padron të opinionit të tyre, pa e vlerësuar dhe njohur atë, nuk bën gjë tjetër veçse përsërit klishetë e vjetra staliniste në këtë vend. A patët një test elektoral në Kashar? Ju mendoni se nuk janë qenie shoqërore qytetarët e Kasharit? Ju mendoni se ata nuk kanë dhembshuri? Ata kanë dhembshuri shumë herë më të madhe se të gjithë të tjerët, sepse jetojnë ngjitur me qytetarët e Vorës dhe ata, me votën e tyre vërtetuan manipulimin me shpirtrat e viktimave të Gërdecit. Dhe cili ishte qëndrimi i tyre? Qëndrimi ishte ndëshkimi”, - deklaroi Berisha.
Berisha: Do investojmë në cilësinë e arsimit
Kreu i qeverisë, Sali Berisha, mori pjesë dje në Konferencën e Rrjetit të Universiteteve Shqipfolëse, me temë “Problemet e sotme dhe sfidat e të ardhmes”, nga ku premtoi se qeveria e tij do të investojë më shumë në arsim, veçanërisht në cilësinë e tij. Berisha tha se në këto katër vjet është bërë e mundur realizmi i një reforme që mundësoi hapjen e dyerve të universiteteve si dhe rritjen e pagave të arsimtarëve. “Është e vërtetë që paralel me arsimin duhet të ecë cilësia e tij, por për këtë nuk ka asnjë pengesë. Kjo arrihet kur bashkërisht ne të kërkojmë resurset, të kërkojmë të gjitha potencialet, t’i mobilizojmë ato. Kjo arrihet duke hapur hapësira gjithnjë e më të mëdha për sektorin privat në arsim, duke ndarë me sektorin privat përgjegjësinë në këtë mision të madh. Arsimi nuk është lëmoshë, ne nuk duhet ta kuptojmë arsimin si asistencë sociale”, - deklaroi Berisha, në fund të flasë së tij, ai theksoi se arsimi është pritoritar për këtë qeverisë. “Dua t’ju siguroj se reforma e ndërmarrë gjatë këtyre katër viteve në arsim, me të cilën ne ia dolëm të dyfishojmë buxhetin në sektorin publik, të dyfishojmë së shpejti rrogat e arsimtarëve, të shtrijmë internetin në të gjitha shkollat e Shqipërisë, proces që përfundon këtë muaj, do të vazhdojë dhe në katër vitet që vijnë me vendosmërinë më të madhe. Asgjë nuk ka më të rëndësishme, më serioze për një komb, për një vend, sesa arsimimi, edukimi”, - tha Berisha.