Meta zbut tonet: Më pranë PS-së pas zgjedhjeve
Kreu i LSI-së flet për koalicion me PS-në
Ai veçon përgjegjësit brenda PS-së
E majta ndryshon tonet në prag të zgjedhjeve. Ndryshe nga ç’mund të pritej për një fushatë të ashpër mes dy krahëve kundërshtare në të majtë, kreu i koalicionit “E majta për Integrim” Ilir Meta ka zbutur tonet ndaj Partisë Socialiste, duke hedhur për herë të parë idenë e një bashkëpunimi paszgjedhor për krijimin e qeverisë. Të njëjtën ide ka hedhur po dje edhe Petro Koçi, i cili së bashku me socialistë të tjerë kanë krijuar një parti të re pas divergjencave me Edi Ramën. Por sulmet e tyre ndaj Ramës nuk kanë reshtur edhe pse është folur për bashkëpunim mes të majtës. Zbutja e toneve vjen pas afrimit pranë LSI-së së një kompanie amerikane që do të menaxhojë fushatën elektorale të kësaj partie. Ndoshta këshilluesit amerikanë e kanë parë të udhës që pavarësisht ndasive të forta, të majtët të lënë ndonjë shteg bashkëpunimi pas 28 qershorit.
Meta
“Jemi të sigurt se pas zgjedhjeve do të realizojmë një koalicion të shëndetshëm midis gjithë socialistëve dhe progresistëve, pasi të gjithë e kuptojnë se kush e ka hedhur farën e intrigës, të përçarjes dhe të përjashtimit brenda PS-së në Shqipëri, vetëm për qëllime egoiste dhe korruptive”, - tha Meta dje gjatë një fjale përshëndetëse në konferencën e PSV’91 të drejtuar nga Koçi. Ai përforcoi këtë ide, duke shtuar se “unë jam i bindur se pas zgjedhjeve falë kontributit tonë, falë përkushtimit tonë dhe falë tolerancës dhe zemërgjerësisë tonë, socialistët, progresistët do bashkohen për të qeverisur Shqipërinë dhe jo për t’i shërbyer një kaste”. Në të njëjtën kohë, ai ka hedhur poshtë çdo aludim për një koalicion me partinë në pushtet pas zgjedhjeve. Ndërkohë ai ka nisur përpjekjet që ta kthejë koalicionin e tij në një koalicion me shumë parti dhe pse jo parlamentare apo të pasprovuara në zgjedhje të mëparshme. Meta ka ritheksuar ambicien për të dalë forcë e parë në zgjedhje, duke konsideruar si falsifikime sondazhet e deritanishme. Por në rast se nuk e realizon këtë ambicie, ai e sheh veten më pranë socialistëve. “Në rast se nuk do të arrijë të fitojë e vetme në këto zgjedhje, padyshim që LSI koalicionin do e bëjë me forcat e majta dhe natyrisht në radhë të parë me Partinë Socialiste. Sepse ne asnjëherë nuk na ka ndarë dhe nuk na ndan asnjë gjë nga socialistët dhe idealet e tyre për një Shqipëri më të mirë, në themel të së cilës të jetë solidariteti dhe jo intrigat, as të Berishës dhe as të atyre të tjerëve që i pëlqejnë intrigat e Berishës”, - theksoi kreu i LSI-së.
LSI merr në koalicion partinë e Karamelos
Lëvizja Socialiste për Integrim nënshkroi dhe marrëveshjen e bashkëpunimit për zgjedhjet e 28 qershorit, me Partinë Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut. Marrëveshjen e bashkëpunimit e firmosën, lideri i LSI-së, z. Ilir Meta dhe kryetari i PDLNJ, z. Ligoraq Karamelo. Meta tha se “kjo tregon jo vetëm angazhimin e LSI-së për të pasur në themel të programit të saj elektoral dhe qeverisës realizimin dhe respektimin e të drejtave të njeriut, por njëkohësisht edhe të pakicave, çështje shumë e rëndësishme dhe në drejtim të integrimit tonë evropian”. Kurse Karamelo, i cili e krijoi partinë e tij pas largimit nga PBDNJ-ja e Vangjel Dules, e shikon koalicionin me Metën si ambicioz. “Të bësh koalicion me LSI-në, është privilegj, është përgjegjësi, është angazhim, është një nxitje e madhe, sepse LSI-ja ka treguar që është një forcë politike serioze, e përgatitur, moderne, bashkëkohore, ambicioze e vendosur të qeverisë vendin me alternativat e saj bindëse dhe premtuese”, - tha ai.