Zullumet e Bollanos
...Himara dhe himarjotët nuk duhet të vlerësohen nga lajthitjet politike të Bollanos dhe mburoja e tij përmes zhurmimit politik, por Bollanua duhet gjykuar për shkeljet ligjore, aferat e tij, nepotizmin, shpërdorimet dhe dëmin e 460 milionë lekëve në bashki, për më keq; keqpërdorimin e besimit të popullit himarjot...Dikush flet për paaftësi të Bollanos, se me dy klasë shkollë të mesme është, por analiza e gjerë tregon se nga njëra anë Bollano kryen akte flagrante kundër ligjit dhe nga ana tjetër bën politike të “madhe” dhe të gjithë diskutojnë vetëm për politikën e tij dhe askush për shkeljet në Bashkinë e Himarës. Para disa vitesh kam trajtuar pikërisht këtë fakt, por më morën për tendencë ndaj Bollanos, në fakt unë kam trajtuar gjendjen reale si specialist finance dhe që punoj në Himarë pa shkëputje 36 vjet dhe për më tepër si anëtar i Këshillit të Bashkisë që kundërshtoja këto dukuri në Këshilla. Me kërkesë legale në Këshill është kërkuar të ngrihet Auditi i Brendshëm, që do të kontrollonte dhe eliminonte dëmin ekonomik prej 460 milionësh, por kjo kërkesë ligjore nuk është pranuar, bile vetë Kryetarja e Këshillit nuk e ka votuar. Në Bashkinë e Himarës, nëntor 2009 është bërë kontroll nga KLSH, i cili është mbajtur në kasafortën e Bollanos dhe asnjë transparencë nuk ka prej tij, një kërkesë kjo e domosdoshme e ligjit.
1- Mungesë e transparencës nga hyjnia e tij Bollano, e seriozitetit, mosrealizim të detyrave, të analizave, të planeve formale dhe të fshehjes së të dhënave reale.
2 - Buxheti i tri viteve të fundit me realizim 70%...?! Dhe në vijim planifikimi me rezerva, jashtë kritereve ligjore fakt që njihet nga oponenca e vazhdueshme që ka bërë grupi i minorancës, opsione që janë hedhur poshtë.
3 - Funksionimi formal i Këshillit, faktor negativ që u ka lënë shteg të hapur shkeljeve të Bollanos, ndërkohë që Këshilli Bashkiak, organi më i lartë i qeverisjes vendore dhe roli i tij në Himarë, është injoruar fare.
4 - Komisioni i Ekonomisë në Këshill, një paçavure që ka ndihmuar bashkinë në shkeljet e saj, një vegël servile e kryetarit të bashkisë, që nuk ka realizuar asnjë operacion profesional që burojnë nga detyrimet ligjore.
5 - Në buxhetin e bashkisë nuk janë dhe duhet të ishin përfshirë donacionet e ardhura në formën e ndihmave të investuara në territorin e Bashkisë së Himarës, që nuk janë dokumentuar si për identitetin e donatorit dhe për shumat përkatëse dhe destinacioni i tyre siç janë, tendat prej druri në shëtitoren e qytetit Himarë, me 200 milionë lekë, shpimi i ujit 420 milionë lekë në Sera të Himarës, shkolla e Himarës në ndërtesën ekzistuese me 870 mijë euro, ujësjellësi Dhërmi 390 mijë euro, për këtë është një fletëpalosje e pa publikuar e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Greqisë, disa rrugë në Himarë. Sipas ligjit këto do të përfshiheshin në buxhet, por nuk janë vënë. Mos vallë janë donacione të dyshimta.... Himarjotët duhet të dinë nga, sa dhe kush ia bëri këto dhurata dhe si u administruan ato me ligjin në fuqi?! Për këto raste, Kryetari i Bashkisë duhet të bëjë transparencë dhe të japë llogaridhënie të plotë përpara himarjotëve.
6. Mbingarkesa e administratës së bashkisë me vende pune dhe punonjës të panevojshëm, që mbartin shpenzime të tepruara, paga, sigurime shoqërore, shpenzime operative që shkojnë gati 60% të buxhetit, shifra të një rasti unikal negativ besoj në tërë vendin bile dhe më tej, që Këshilli i ka dhënë miratim Bollanos. Bashkia “Bollano” ka 9 punonjës në kabinetin e “Kryetarit”, veç kësaj ka 4 drejtorë, ka 6 përgjegjës, 24 inspektorë dhe shumë e shumë të tjerë. Në vështrim të realizimit detyrave të kësaj administrate dhe shërbimit publik të saj, këta punonjës shtyjnë njëri-tjetrin në zyra komode...sepse nuk janë të aftë por edhe pa ngarkesë pune.?! Në vitin 2003, që erdhi Bollano në pushtet, Bashkia kishte 32 vetë, kurse sot ka 96 vetë. Kritikat e Bollanos ndaj administratës së paraardhësit të tij për shkelje në një buxhet 5 herë më të vogël se sot dhe administratë 4 herë më pak, duket false dhe kjo vërteton qartë që Bollanua ra brenda në orbitën e atyre “fajeve” që akuzoi paraardhësin e tij. Rastet e shumta të marrjes në punë në kundërshtim me ligjin, janë bërë me statutin e partisë së Bollanos për militantët e tij.
7- Dhjetëra raste të pagesave pa punuar, pagesa të kryera pa prezenca pune dhe pa dokumente sikurse janë edhe pagesat e KRT. Kemi pagesa për të tjerë që paguhen në bashki, por mund të jenë në Athinë, në Tiranë, por vetëm në Himarë s’janë.
8 - Flagrante janë mbledhjet e KRT të bashkisë që për tri vjet është mbledhur 8 herë dhe ka marrë në shqyrtim disa kërkesa për leje sheshe ndërtimi, ndërkohë që kërkesat e himarjotëve janë të shumta. Shpërblimin zotërinjtë e KRT dhe me kryetarin e tyre Bollano, e kanë marrë çdo muaj në rregull...?!. Himarjotët si pasojë e procedurave të rënduara të Bollanos në bashki, rreth 420 familje ikin dhe kanë blerë apartamente në Greqi me një shumë rreth 70 milionë euro. ç’i donte Himara këto....
9 - Sipas KLSH, mungojnë prezencat e punës, mungojnë protokolle të mbledhjeve, mbledhjet e KRT, dosjet e tenderëve publikë, mungojnë llogaritë analitike të bilanceve, mungojnë dhe ç’nuk mungojnë... mungojnë edhe kokat e autorëve të mangësive dhe të përgjegjësisë. Pra çfarë administrate është kjo e Bollanos...
#