E Diel, 1 Nëntor 2026

Koncensionet, Berisha: Opozita qëndrim mafioz për të vënë në presion fituesit

18-04-2012 / Gazeta 55

Akuzat u faktuan tërësisht trillime, me këto praktika ata që ngrihen kundër zhvillimit të vendit të tyre, s’do vijnë kurrë në pushtet. Në këto kontrata janë të firmosura 3 miliardë euro investime dhe mbi 100 mijë vende të reja pune 

Kryeministri Sali Berisha akuzoi sot opozitën se po përpiqet të nxijë procesin e koncesioneve në Shqipëri, duke i cilësuar qëndrime të tilla si kryekëput mafioze, për të vënë nën presion fitues. Gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, Berisha theksoi se akuzat e opozitës kanë përfunduar që të gjitha aty ku e kanë vendin shpifjet dhe trillimet. “Përpjekjet e tipit më mafioz për të bërë presion mbi fituesit e këtyre koncesioneve duke përbaltur një proces të ndershëm ishin kryekëput shprehje e interesave të pandershme të grupeve të caktuara të akuzave që u faktuan pa asnjë përjashtim të pabaza, të pavërteta, trillime dhe shpifje”- u shpreh Berisha. 

Duke iu përgjigjur deklaratave të kryesocialistit Rama se kur PS-ja të vijë në pushtet do të anulojë të gjitha koncesionet e firmosura nga kjo qeveri, Berisha theksoi se ata të cilët dalin kundër zhvillimit të vendit të tyre nuk mund të vijnë kurrë në pushtet. “Natyrisht pasi doli se ato ishin trillime nga zyrtarët u nxor qëndrimi i ri i cili ishte anulimi i tyre. Me këto praktika sa të rrjedh ujë në det dhe lumenj, ata që ndihen kundër zhvillimit të vendit të tyre nuk mund të vijnë ndonjëherë në pushtet sepse të deklarosh se do të anulosh ndërtimin e 320 HEC-eve do të thotë që të mbledhësh të gjitha fuqitë negative të natyrës dhe ti derdhësh kundër vendit tënd për të sterruar një proces jetik ku asetet dhe pasuritë shndërrohen në vlera”- tha Berisha.

Gjithashtu kryeministri Berisha ka njoftuar kalimin në procedurë dixhitale për gjithë koncesionet, në mënyrë që të interesuarit të lexojnë online të gjitha ofertat, fituesit dhe kushtet në të cilat janë fituar.

Sipas tij me instalimin e kësaj praktike pas një pune intensive që ka bërë Agjencia e Prokurimeve Publike, Shqipëria realizon standardin më maksimal të transparencës që ekziston në këtë fushë.

“Ne ishim vendi i parë në planet që kaluam në 100% prokurime elektronike, bëhemi vendi i parë me koncesione 100% elektronike. Ky vendim dhe instalimi i kësaj praktike bën të mundur futjen e rrezes së diellit në çdo qelizë të procesit të koncesionit. Përbën suksesin e dytë më madhor në historikun e këtij procesi pas miratimin e ligjit të ri për koncesionet, që shndërroi koncesionet nga një proces tërësisht i dështuar me ligjin e mëparshëm në njërin prej proceseve më të suksesshme në historinë e ndonjë vendi” shtoi Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›