Eurozona dhe sugjerimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar
Presidenti i Këshillit të Ministrave të vendit fqinj, Mario Monti është përgëzuar për punën e qeverisë së tij, në veçanti për ndërhyrjet strukturore. Por në të njëjtën kohë kërkohet që “reforma e tregut të punës të përballojë pasigurinë që haset në pushimet nga puna, në mënyrë që firmat dhe punëdhënësit të ndihen më të sigurtë në momentin e marrjes në punë të punonjësve” - këtë ka nënvizuar Kristine Lagarde, drejtoresha e Fondit monetar. Më tej drejtoresha Lagarde nënvizon se monitorimi mbi llogaritë e Italisë që u vendos në muajin nëntor të vitit 2011, përgjatë takimit të G-20 nuk është më i nevojshëm sepse tashmë tregjet dhe investitorët kanë një besim më të madh në punën që ka kryer dhe po kryen qeveria teknike. Sidoqoftë Drejtoresha e Fondit në ekzaminimin e saj ndalet edhe në problemet dhe zgjidhjet për zonën euro që sipas saj është edhe hallka më e dobët e ekonomisë botërore. Pas konstatimeve të saj, Lagarde sugjeron Bankën Qendrore Europiane që të mbështesë rritjen me politikën e saj monetare por në të njëjtën kohë sugjeron edhe qeveritë në mënyrë që t’i japin akses bankave tek fondi i shpëtimit në mënyrë që të copëtojnë rrezikun sovran dhe atë bankar. Lagarde ka nënvizuar më tej se në takimin e Washingtonit nuk do të arrihet ndonjë marrëveshje e veçantë për vendet europiane. Sipas burimeve nga vetë Fondi Monetar Ndërkombëtar një marrëveshje për këtë çështje do të arrihet përgjatë G-20, që do të zhvillohet në Meksikë në qershorin e ardhshëm. Flitet gjithashtu se ndoshta mungon edhe disponueshmëria e disa vendeve për të arritur këtë objektiv. Nisur edhe nga fakti që Drejtoresha Kristine Lagarde, ka vënë theksin se është pikërisht eurozona si pika më e dobët e ekonomisë botërore dhe se ka një tension në tregjet sidomos në javët e fundit, po vetë Lagarde sugjeron akoma se: vendet e eurozonës kanë akumuluar një nivel shumë të lartë të borxhit duke dëshmuar në të njëjtën kohë një taksë rritje më të ulët se ekonomitë e përparuara. Tregjet dhe investitorët kërkojnë një përmirësim të dukshëm por mbi të gjitha kërkohet rritja ekonomike. Rreth 1 vit e gjysmë më parë shqetësimi kryesor shihej tek nevojshmëria e përmirësimit fiskal ndërsa tani si shqetësim kryesor është rritja. Sidoqoftë po vihet re se Eurozona ka marrë një sërë masash shumë të rëndësishme, ndër to mund të përmenden edhe masat inovative të Bankës Qendrore Europiane. Gjithsesi ka patur ndryshime, vlen të përmendet qeveria e Mario Montit e cila ka realizuar një kapitull ndryshimesh e udhëhequr nga presidenti i Këshillit të Ministrave të Italisë dhe kjo sipas Drejtoreshës Lagarde është shumë pozitive. Nga ana tjetër edhe Spanja ka patur përmirësime si me rritjen e moshës së pensionit por edhe me reformat e tregut të punës. Natyrisht sipas Kristine Lagarde duhet vazhduar kështu sepse tregjet kërkojnë stabilitet dhe se në Fondin Monetar Ndërkombëtar mendohet se sa më të parashikueshme të jenë masat aq më mirë përballohet pasiguria. Ndërkaq në panoramën botërore ka pasur polemika lidhur me lajmet e ardhura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku presidenti Obama ka vendosur një kandidat të propozuar prej tij në Bankën Botërore. Vendet emergjente nuk kanë qenë dakord për këtë kandidaturë sepse gjithmonë dhe më tepër kritikojnë dypolëshin SHBA - BE. Sidoqoftë, Jim Yong Kim i cili u lind në Seul 52 vjet më parë por që mban shtetësinë amerikane, një mjek i famshëm dhe ekspert i problemeve shëndetësore në nivel global tashmë do të udhëheqë Bankën Botërore.