E Diel, 1 Nëntor 2026

Koncert

Edmond Tupja 

Disa ditë më parë, në Bërrakën time të veçantë, tek po bëhesha gati të dilja për të blerë diçka, befas më kapën veshët vigjilentë një si këngë kënduar në kor nga zëra adoleshentësh. E mpreha ca më hollë majën e veshëve dhe dallova qartë një këngë popullore të kultivuar, të interpretuar drejtpërdrejt (lajv siç thuhet sot) diku pranë, pastaj, pasi mbaroi kënga, një zë i ri lajmëroi këngën vijuese.  Ishin të gjitha këngë popullore të kultivuara interpretuara këndshëm; me sa duket (po edhe mund  të gaboj), në oborrin e shkollës nëntëvjeçare më të afërt po jepej një koncert me rastin e 17 Nëntorit, përvjetorit të çlirimit të Tiranës nga pushtuesit nazistë.  Pas këngës “Margjelo”, ushtuan tingujt e një tjetre e pak më vonë e zura veten mat teksa habitesha sepse zërat e rinj, gjithnjë në kor, filluan të këndonin këngën “Kur më vjen burri nga stani”, kur ndër të tjera, të bien në sy, e sidomos në vesh, vargjet erotike “Kur më vjen burri nga stani / Fër, fër, fër ma bën fustani” dhe “Kur më vjen burri nga kisha / Fër, fër, fër ma bën këmisha”. Fillimisht, m’u duk ca si e tepruar që nxënësit e një shkolle nëntëvjeçare të këndonin në mënyrë të organizuar një këngë me elemente të theksuara erotike, por pastaj ndërrova kryekëput mendim: shumë mirë që po e këndonin një këngë të tillë sepse pasuronin kështu, sidomos vajzat dhe kryesisht djemtë, edukatën e tyre erotike. Sapo shkrova “edukatën e tyre erotike” sepse, sa për edukatën e tyre seksuale, ekziston një orë mësimi po me këtë emër, kurse nuk ka ende në shkollat tona orë edukate erotike. Por vargu më i ngarkuar me erotizëm në këtë këngë më ngjan të jetë pikërisht “Fër, fër, fër ma bën fustani”. Në veçanti, këngëtaret e korit, me një minimum imagjinate rinore, mund ta kenë përfytyruar veten të martuar tek e presin bashkëshortin apo bashkëjetuesin me padurim, aq saqë u dridhet fustani nga kënaqësia e parandier e trupit. Pastaj, për efekt rime, nga “fustani” do të kenë kaluar thuajse detyrimisht te “jorgani”, që dridhet jo më nga pritja, por nga prania e nxehtë e bashkëshortit apo e bashkëjetuesit. Së fundi, gjithashtu për efekt rime, nga jorgani, ato do të kenë kaluar tek... “organi”, që... që... ju e merrni vetë me mend, i dashur lexues i vëmendshëm e i paanshëm i rubrikës sime të së dielës, se nga çfarë mund t’u dridhet “organi” atyre!
Por le të kthehemi një çast tek vargjet “Kur më vjen burri nga kisha / Fër, fër, fër ma bën këmisha”. Për hir të së vërtetës, më duhet të pranoj që autori i nderuar i tekstit të kësaj kënge të mirënjohur, që për herë të parë e kam dëgjuar nën interpretimin e të paharruarës Tefta Tashko Koço, në vitet ’50 të shekullit të shkuar, nuk është treguar objektiv, sepse nuk ka pasqyruar realitetin fetar të shoqërisë shqiptare, ku, përveç kishave, ka edhe xhamia. Pra, ai duhej të kishte shtuar një varg si, për shembull, “Kur më vjen burri nga xhamia / Fër, fër, fër ma bën shamia” ose “Fër, fër, fër ma bën... kutia”. “Për cilën kuti e keni fjalën zoti Tupja” – mund të hidhet e të më pyesë me të drejtë lexuesi im. Dhe unë do t’i përgjigjem, për ta aktualizuar deri diku këtë këngë e për ta vendosur në unison me protestën e organizuar në kryeqytet nga Partia Socialiste më 20 nëntor, se e kam fjalën për kutitë e votimit që, sipas Kryetarit Rama (për pak mend shkrova “të Kryetarit Mao”), duhen hapur patjetër. Dhe meqenëse, për të shkuar nga selia e Partisë së tij te Bashkia po e tij, zoti Rama nuk mund ta shmangë pamjen e Sahatit e të Xhamisë, po të më lejonin pasardhësit e autorit të tekstit të këngës sonë, do të shtoja vargun “Nga Selia te Bashkia, te Sahati e te Xhamia, s’del dot vota nga kutia!”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›