E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në qiell të hapur me vezë kundër Kryeministrisë

 

aristir lumezi

Protesta e opozitës sot është në ditën e tretë të saj. Nata e së premtes dhe e së shtunës do të mbeten për shumë protestues një kujtim i bukur. Pas përfundimit të manifestimit të protestës, shumica e protestuesve u nisën për tu kthyer në qytete e tyre dhe në shtëpitë e tyre, ndërsa një pjesë tjetër qëndroi në shesh. ngritja e çadrave, veçanërisht 10 çadrave të mëdha e të mbyllura bënë që një pjesë e protestuesve që morën dhe pllaka polisteroli të shtriheshin në tokë. Disa prej tyre kishin marrë dhe batanije dhe mbulesa të ndryshme me të cilat u mbuluan gjatë natës. Por të paktë ishin ata që mbyllën sytë për gjumë, për shkak se qëndrimet e njerëzve ishin të larmishme. Shfaqet ishin sa krahinore aq dhe folklorike. Një grup protestuesish nga Vlora pothuaj gjatë gjithë natës nuk e ndau këngën labe.Kishte dhe grupe që këndonin për Enver Hoxhën. Madje mbrëmë, një grup pensionistësh të ulur nën një çadër, që ishin protestues të njësisë nr. 5 të kryeqytetit këndonin me zë të ulët dhe melodi partizane.
Të rinjtë
Nata e së premtes ishte e zhurmshme, ku njerëzit këndonin, të rinjtë nën ritmin e “Dj” kërcenin dhe luanin rreth sheshit para kryeministrisë, ndërsa të vullnetarë të ndryshëm zienin çaj dhe kafe në gaz dhe sillnin ushqime të thata për protestuesit. Shumë të tjerë lëviznin vazhdimisht në shesh dhe për të përballuar të ftohtin e fund nëntorit, i cili këto ditë për fat të mirë ka qenë me temperatura të larta për stinë, sandviçë, qofte, pica ishin ushqimet që mbizotëruan dy netët e shkuara për protestuesit. aty rreth orës 00:15 të së premtes, një furgon që e kishin sjellë organizatorët e protestës, solli për protestuesit pica, duke i rikthyer ata në një vakt të ri të natës, pas tyre, nuk kanë munguar çaji i ngrohtë por dhe kafeja me të cilën kërkonin të mposhtnin gjumin. Pasi kanë mbaruar dhe transmetimet televizive, ku deputetët socialistë por dhe kryetarët e partive opozitare shprehën qëndrimet e tyre rreth protestës dhe vazhdimit të saj, kush mundi nga protestuesit u mundua të zinte nga një qoshe të ngrohtë, edhe nën kolonat e dy kullave binjake mbi shtresat e polisterolit.
Rama
Kreu socialist pothuaj gjatë të dy netëve ka qenë pagjumë. Rama si të premten ashtu dhe mbrëmë ka dalë vazhdimisht në çadrat ku rrinin protestuesit dhe ka shkëmbyer me ta batuta dhe i ka përgëzuar për kurajën e treguar. por gjatë natës është ngjitur në kafeterien në katin e tretë të Kullave Binjake, për të zbritur sërish në takime me protestuesit. Të njëjtën gjë kanë bërë dhe ata që kishin ekonomi më të mirë si deputetë apo kryetarë bashkish, të cilët konsumonin kafe dhe çaj në kafet brenda kullave, ndërsa protestuesit u mjaftuan me çajin që servirnin organizatorët e protestës.
Incidenti
Deri pak pas mesdite, çdo gjë kishte shkuar qetë dhe me rregull, përveç fishkëllimave pas daljes së Berishës në dritare. Një paralajmërim në mikrofonin e hapur, se deputeti Erion Braçe do të komunikonte diçka me shumë rëndësi, krijoi grumbullim njerëzish para tendës së shtypit. Deputeti i Beratit, Erion Braçe i tha protestuesve se një makinë me xhama të errët brenda oborrit të kryeministrisë po përgjon telefonat e politikanëve por dhe të protestuesve në mënyrë të paligjshme. Kjo deklaratë krijoi rritim të turmës e cila nisi të fërshëllente. sikur të mos mjaftonte kjo, Braçe i ftoi të gjithë të afroheshin aty ku ndodhej makina dhe të kërkonin largimin e saj. Turma e protestuesve, kryesisht të rinj, ndoqën deputetin, i cili ishte bashkë me deputetët e tjerë të PS-së, Xhafaj dhe Shalësi, ndërsa të rinjtë zbrazën mbajtëset e vezëve që kishin marrë me vete duke goditur makinën që ndodhej në oborrin e kryeministrisë, për një moment u duk se situata mund të dilte jashtë kontrollit, dhe u desh ndërhyrja e dy deputetëve të tjerë që turma të zmbrapsej dhe makina të largohej nga kryeministria. Për këtë incident Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë hodhi poshtë deklaratën e bërë nga deputetët socialistë për vendosjen e një automjeti përgjues me qëllim përgjimin e telefonatave të pjesëmarrësve në tubim.
“Deklarata të tilla, nuk i shërbejnë zhvillimit normal të aktivitetit, sigurimit të rendit dhe sigurisë publike, por bëhen shkak për destabilizimin e situatës” thuhet në njoftimin për shtyp të policisë së shtetit. Kundrejt këtyre deklaratave policia bën me dije se ka marrë të gjitha masat për garantimin e zhvillimin normal të këtij tubimi”, reagoi policia e Tiranës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›