E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncesionet, pushohet padia e PS ndaj Genc Rulit

Genc Ruli

Ish-ministri Dritan Prifti dhe PS kallëzuan ish-kreun e METE për DARFO-n.

Akuza: Modifikimi i paktit minerar, sndryshoi objektin.

Fakti i ndodhur nuk parashikohet nga ligji material në fuqi si vepër penale. Kjo është fjalia me të cilën Prokuroria e Tiranës mbyll vendimin voluminoz me të cilin pushoi hetimet për shpërdorim detyre ndaj ish-ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, në lidhje me padinë e bërë ndaj tij për çështjen e koncesioneve minerare.
Ditën e djeshme, dy prokurorë të Njësisë Task-Force kanë vendosur pushimin e hetimeve për marrëveshjen koncesionare të datës 9 korrik 2009. Më datë 9 korrik 2009, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikes, në atë periudhë në detyrë, Genc Ruli, ka rënë dakord dhe në vijim ka nënshkruar një marrëveshje Për shlyerjen e detyrimeve në të holla, me palë shoqërinë koncesionare Albanian Chrome sh.p.k. Nga hetimi konstatohet se marrëveshjet e nënshkruara mes ish-ministrit Genc Ruli dhe përfaqësuesve të Darfo s.r.l., shtetasve Heinz Muller dhe Vadim Serebrenikov, me nr. prot. 1584 dhe nr. 1585, datë 19/02/2009, kanë ndryshuar grafikun e punimeve dhe planin e investimeve, ashtu siç është parashikuar fillimisht nga marrëveshjet bazë koncesionare. Amendamentet janë nënshkruar pasi afatet e realizimit të investimeve dhe punimeve të përcaktuara në marrëveshjet bazë koncesionare të viteve 2000 dhe 2001 kanë përfunduar, thekson Prokuroria. Sipas saj, ndodhur para kësaj gjendjeje, konkretisht përfundimit të afatit dhe mosrealizimit të objektivave, amendamentet parashikojnë kryerjen e këtyre investimeve dhe detyrimeve të trashëguara deri në atë moment. Parashikimi më pas i investimeve shtesë nga koncesionari, veç atyre të trashëguara, pra të parealizuara, ka sjellë në thelb një ndryshim të vetë programit të investimit. Sipas Prokurorisë, një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga deklarimet e marra nga shtetasit Genc Ruli, Kristo Rodi dhe Elton Beqi, të cilët sqarojnë se pas blerjes së shoqërisë Darfo s.r.l., pronarëve të rinj iu kërkua që të realizonin programe dhe projekte të reja, të cilat pasi të miratoheshin nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe METE, do të viheshin në zbatim. Këto programe përfshinin studime fizibiliteti të reja për marrëveshjet koncesionare, teknologji të reja, të cilat në thelb do të ndryshonin programin e parashikuar në marrëveshjet koncesionare. Sipas deklaruesve, amendamentet kanë disiplinuar programin e mëparshëm të investimeve, si dhe kanë parashikuar investime të tjera shtese. Prokuroria vëren se në këtë prizëm, ky ndryshim në planin e investimeve nuk ka sjellë ndonjë pasojë në raport me sa është parashikuar nga marrëveshjet koncesionare bazë. Për këtë qellim, në veprimet hetimore të cilat synojnë të verifikojnë ardhjen ose jo të pasojës nga nënshkrimi i marrëveshjeve koncesionare bazë, organi i akuzës është fokusuar te përjashtimi i subjektit koncesionar nga detyrimet e pagesës së taksës doganore dhe TVSH-së, pas përfundimit të periudhës së parashikuar nga këto marrëveshje. Në lidhje me këtë, konstatohet se në bazë të ligjit, shoqëria koncesionare, e themeluar për këtë qëllim prej palës koncesionare, do të përjashtohej nga detyrimet e pagesës së taksës doganore dhe TVSH-së, për makineritë, linjat, pajisjet dhe materialet e tjera që do të përdoreshin për investime, përkatësisht për periudhën 4 dhe 8-vjeçare, për secilin prej koncesioneve të marra. Prokuroria thekson se në këtë kuadër, ekzistonin dyshime të arsyeshme se amendimet e dy marrëveshjeve bazë koncesionare mund të kishin sjellë efektivisht një pasojë konkrete, e cila në rast se do të verifikohej si e tillë, do të konsistonte në zgjatjen e periudhës së përjashtimit nga detyrimet e pagesës së taksës doganore dhe TVSH-së. Për të hetuar këtë moment, u kërkua informacion nga autoritetet doganore vendëse, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave rreth përjashtimeve nga detyrimet doganore dhe pagesës së TVSH-së, që ka përfituar shoqëria Darfo Albania sh.p.k. dhe Albanian Chrome sh.p.k., për periudhën 2004 e në vazhdim. Departamenti teknik i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, më datë 7 mars 2012, konfirmon se shoqëria Darfo Albania sh.p.k. ka përfituar përjashtime nga detyrimet doganore dhe pagesa e  TVSH-së në vitin 2004 dhe në vitin 2005. Konkretisht, për vitin 2004 janë lëshuar nga autoritetet doganore vendëse 13 autorizime për përjashtime nga detyrimet doganore dhe pagesë TVSH-je për shoqërinë Darfo Albania sh.p.k. Ndërsa për vitin 2005 është lëshuar 1 autorizim për përjashtim. Për periudhën vijuese nuk rezultojnë autorizime të tjera të lëshuara nga kjo administratë. Nga sa më lart, konstatohet se shoqëria Darfo Albania sh.p.k. dhe Albanian Chrome sh.p.k. nuk kanë përfituar përjashtime nga detyrimet doganore dhe pagesat e TVSH-së për periudhën pas përfundimit të afatit të përjashtimit nga detyrimet e përcaktuara në nenin 2 të ligjit nr. 8590, datë 23.03.2000 dhe ligjit 8791, datë 10/05/2001″, thekson Prokuroria.

Marrëveshja u denoncua nga ish-ministri Prifti
Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka qenë një nga denoncuesit e çështjes penale të hapur nga Prokuroria ndaj ish-ministrit Ruli. Marrëveshja e nënshkruar nga Ruli në korrik 2009, ka pasur për objekt trajtimin e penaliteteve që shoqërisë Albanian Chrome i ishin vendosur nga METE, për shkak të mosrealizimit në kohë të investimeve në koncesionet e përfituara nga shteti shqiptar për shfrytëzimin e vendburimeve të kromit. Këtë moment e ka trajtuar ish-ministri i të njëjtit dikaster, shtetasi Dritan Prifti, duke argumentuar se ministri në detyrë në atë periudhë, Genc Ruli, ka vepruar në shkelje të ligjit, duke mos e kaluar marrëveshjen e nënshkruar prej tij për miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Kjo sepse ka qenë Kuvendi i Shqipërisë ai që ka ratifikuar marrëveshjet koncesionare bazë me shoqërinë Darfo s.p.a., ortaku i vetëm i shoqërisë koncesionare që vepron në Shqipëri, ACR sh.p.k. Ish-ministri Dritan Prifti ka argumentuar se marrëveshja Për shlyerjen e detyrimeve në të holla, e datës 09.07.2009, duhej të ratifikohej më parë në Kuvend, duke kaluar nëpër të njëjtat etapa ligjore, ashtu si edhe për marrëveshjet bazë koncesionare.

TRAZHGIM SOKOLAJ

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›