Tiranë, predhat e Ushtrisë bien në banesat e fshatit

Banesë e braktisur e dëmtuar nga predhat
Stërvitjet e FA, banorët e zonës: Kemi shtatë vjet me këtë fenomen.
Incidenti në fshatin Ferraj, goditet shtëpia, shpëtojnë fëmijët.
Dy fëmijë, 11 dhe 4 vjeç, u rrezikuan nga predhat luftarake pasditen e së enjtes në periferi të Tiranës. Një predhë luftarake ka rënë në oborrin e shtëpisë së tyre, në fshatin Ferraj të Tiranës, vetëm një kilometër në vijë ajrore nga dy poligone ku kryejnë stërvitje Forcat e Armatosura.
Vajza dhe djali i mitur, të dy fëmijë të Afrim Himës, ndodheshin në oborrin e banesës përdhese, kur një predhë u ka fërshëllyer mbi kokë e më pas është ngulur në murin e shtëpisë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr.4 të Policisë së Tiranës, që kanë kryer veprimet hetimore dhe kanë sekuestruar predhën e gjetur në vendngjarje. Disa orë më vonë, shtëpinë e dëmtuar e kanë vizituar edhe tre oficerë të Policisë Ushtarake. Ju paska ruajtur Zoti, ka qenë ngushëllimi që përfaqësuesit e Ushtrisë u kanë thënë familjarëve të Afrim Himës pasi kanë parë shtëpinë e tyre dhe më pas janë larguar. Ky lloj ngushëllimi na thuhej prej më shumë se 7 vitesh, treguan banorët e fshatit. Ata u shprehën dje se ky nuk është rasti i vetëm që shtëpitë e tyre bombardohen nga predhat e Ushtrisë. Pothuajse të gjitha banesat e fshatit Ferraj janë dëmtuar së paku nga një herë nga predhat që vijnë në drejtim të tyre, kur ushtarët stërviten në dy poligonet që ndodhen në kodrat përballë fshatit të tyre. Më shumë na rrezikohen fëmijët kur dalin në male për të kullotur bagëtitë. Disa herë predhat u kanë rënë pranë këmbëve, por fatmirësisht kanë shpëtuar pa u plagosur, u shprehën disa banorë të fshatit. Megjithatë, duket sikur ata kanë një farë frike që të flasin me detaje në lidhje me incidentet e herëpashershme që ndodhin në fshat pasi, siç shprehen ata, ia kanë lënë në dorë Shtabit të Përgjithshëm, komunës dhe kryeplakut për ta zgjidhur këtë problem.
INCIDENTET

(Në rreth) Shënimi i bërë nga policia në vendngjarje
Tri shtëpi në fshatin Ferraj të Tiranës janë braktisur nga banorët dhe janë të pabanueshme, sepse janë dëmtuar disa herë nga predhat që vijnë nga dy poligone që ndodhen përballë tyre në kodrat e fshatit. Disa të tjera janë goditur së paku nga një herë nga plumbat e ushtarëve që stërviten thuajse çdo ditë. Rasti më i fundit ndodhi në banesën e Afrim Himës, i cili ka katër fëmijë, bashkëshorten dhe nënën e moshuar në shtëpi, që tregojnë se kanë shpëtuar për mrekulli nga predha që goditi murin. Ndërsa rreth një muaj e gjysmë më parë, dy predha luftarake goditën banesën e vëllait të tij, Servet Himës, njëra u ngul të tarracën e shtëpisë dhe tjetra theu xhamat e njërës dritare. Të dy familjet tregojnë se fëmijët e tyre i ka ndihmuar Zoti që u kanë shpëtuar plumbave e predhave, pasi të shtënat e armëve të ushtarëve që stërviten në poligonet e Babrrusë dhe Zall-Herrit dëgjohen çdo ditë në fshat. Sot erdhën 3 oficerë të Policisë Ushtarake, të cilët panë nga afër se çfarë kishte ndodhur. Në fakt, nuk është hera e parë që vijnë sepse këtu ka më shumë se 7 vjet që ndodhin ngjarje të tilla. Por, kësaj here na thanë që ky problem do të ngrihet në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, që të shihet mundësia e zhvendosjes së këtyre poligoneve, edhe pse na thanë që ato janë miratuar nga ministri i Mbrojtjes, u shpreh Sërvet Hima, një prej banorëve të dëmtuar.
Fëmijët, dëshmitarë të ngjarjes
Desada dhe Arnoldi janë dy fëmijët, 11 dhe 4 vjeç të Afrim Himës, të cilët ndodheshin në oborrin e shtëpisë së tyre kur një predhë ra në avllinë e shtëpisë. Kishte disa minuta që dëgjoheshin të shtëna armësh që vinin nga poligoni. Më pas një predhë na ra në oborr dhe pasi u rrotullua për disa minuta në verandën e shtëpisë, një copë u shkëput dhe u ngul në mur. Ishte një fat i madh që shpëtuan fëmijët, sepse ishin vetëm disa metra larg vendit ku ra predha, tregoi dje gjyshja e dy fëmijëve, Zyhra Hima.
ETLEVA DELIA