E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncesioni i Bulqizës, Austria dhe Italia mbajnë pezull hetimin

SHKRUAN: Leonard Bakillari 26-08-2011 11:17

Tiranë Konflikti i javëve të fundit mes minatorëve të Bulqizës dhe kompanisë ACR ka shtuar presionin ndaj prokurorisë për të nisur një hetim mbi këtë çështje. Në të vërtetë, prej muajit mars, në Prokurorinë e Tiranës ekziston një dosje e hapur për koncesionin e Bulqizës, hetim ky që ka mbetur pezull për shkak të vonesës së letër-porosive. Italia dhe Austria janë dy vendet të cilave prokuroria e Tiranës u ka kërkuar informacion mbi dy kompani që dyshohet se janë skualifikuar pa të drejtë nga procedura e dhënies me koncesion të minierës së Bulqizës, e cila u fitua fillimisht nga kompania “Darfo”, e tashmë nga “ACR”. Duke qenë se letër-porositë në këto dy shtete janë nisur në prill të këtij viti, pak kohë pas nisjes së hetimit, prokuroria ka pasur një korrespodencë me autoritetet e këtyre dy vendeve. Burime të rezervuara pohuan se pak ditë më parë, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë janë dërguar në Austri dhe Itali dy kujtesa, të cilat kanë si qëllim njoftimin e autoriteteve për përgjigjet e letër-porosive. Është konfirmuar tashmë se Italia dhe Austria, nga ku kërkohet informacion zyrtar dhe i detajuar, kanë marrë në dorë jo vetëm letër-porositë, por edhe dy kujtesat e nisura pak ditë më parë. Shkresat në fjalë kanë si qëllim rikujtimin e autoriteteve respektive se Prokuroria Shqiptare është në pritje të përgjigjes së letër-porosisë për llogari të hetimit të nisur mbi procedurat e dhënies me koncesion të minierës së Bulqizës. Hetimet për këtë çështje kanë nisur në muajin mars të këtij viti, kur Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe auditi i brendshëm konstatuan se një sërë koncesionesh janë dhënë në kundërshtim me procedurën e parashikuar në ligj. Mes të tjerash, organi i akuzës evidentoi edhe një prej koncesioneve të minierës së Bulqizës, ku dyshohet se nuk janë respektuar të gjitha procedurat e nevojshme. Për të marrë më shumë të dhëna rreth dyshimeve të përfshira në hetim, prokuroria ka kërkuar informacion shtesë nga dy kompani që kanë marrë pjesë garë, e që kanë pretenduar se janë skualifikuar pa të drejtë. Këto dyshime të mbështetura në disa të dhëna që evidentohen në raport pritet të konfirmohen ose jo nga përgjigjja që autoritetet italiane dhe austriake do të sjellin për llogari të Prokurorisë Shqiptare. Burimet thonë se dyshimet për procedurat e ndjekura për këtë koncesion janë përforcuar akoma më shumë pas raportit të auditit të brendshëm, që ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, dorëzoi në prokurori. Sipas raportit konfidencial, rezulton se të paktën 40 koncesione kanë probleme me procedurën e ndjekur nga paraardhësi në detyrë i zotit Dritan Prifti. Ky fakt tashmë është pohuar edhe në dëshminë që z.Prifti ka dhënë në prokurori, pak kohë më parë. Një tjetër çështje, që sipas akuzës është përfshirë në hetimin për koncesionet, është edhe ndryshimi i pretenduar i marrëveshjes koncesionare me kompaninë “ACR”. Të gjithë këto elemente, përfshi edhe koncesionet e tjera minerare ku janë hasur probleme, sipas akuzës, janë bërë pjesë e së njëjtës dosje hetimore dhe do të verifikohen me imtësi. Momentalisht, akuza është në pritje të informacioneve që do të vijnë nga Austria dhe Italia mbi aktivitetin e kompanisë që ka marrë me koncesion minierën e Bulqizës dhe kompaninë e skualifikuar nga gara. Hetimi i kësaj çështjeje bëhet akoma më i domosdoshëm pas situatës së fundit të krijuar në minierën e Bulqizës, ku rreth 700 minatorë gjenden aktualisht pa punë, ndërsa 16 prej tyre kanë lënë grevën e urisë, pasi qëndruan 27 ditë 1400 metra nën tokë.

Dosja e 40 koncesioneve

që Prifti dorëzoi në prokurori

Të paktën 40 koncesione të dhëna nga viti 2005 dhe në vazhdim rezultojnë me shkelje e mangësi ligjore. Kjo shifër u bë publike nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili sapo mori detyrën urdhëroi auditin e brendshëm në ministrinë që drejtonte të kryente një kontroll të plotë mbi procedurat e dhënies së koncesioneve nga paraardhësi i tij. Nga hetimi administrativ rezultoi se më shumë se 40 vendime për dhënien me koncesion të vendburimeve të energjisë elektrike, minerale dhe nafte, janë me probleme procedurale dhe ligjore. Raporti voluminoz u dorëzua në prokurori nga ish-ministri Prifti, i cili dha edhe shpjegimet përkatëse për të gjitha koncesionet e evidentuara me shkelje. Ky raport shërbeu si një bazë e mjaftueshme të dhënash për njësinë “Task Forcë” në Prokurorinë e Tiranës, e cila ka nisur një sërë hetimesh për rastet e dyshuara, ku ndër të tjera janë evidentuar edhe mangësi ligjore, apo probleme të natyrave të ndryshe. Çështjet janë ndarë sipas kategorive të caktuara, hidrike, minerare dhe koncesionet e naftës, ndërsa hetuesit dhe prokurorët kanë avancuar në punën e tyre për zbardhjen e të gjitha rasteve abuzive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›