Konflikti për pronat, 31-vjeçari shtyp për vdekje kushëririn
Tiranë Një 51-vjeçar humbi jetën mbrëmë nga përplasja e një makine në autostradën Tiranë-Durrës, ndërsa aksidenti konsiderohet i qëllimshëm. Autor i krimit, që përdori si “armë” makinën e tij, dyshohet se është i afërmi i viktimës, i shpallur në kërkim. Ngjarja e rëndë, ku humbi jetën 51-vjeçari Pëllumb Çeka, ndodhi në rrugën dytësore të autostradës pranë Marikajt, në orën 20.00 të mbrëmjes së djeshme. Burime nga policia e Tiranës në vendngjarje i thanë MAPO-s se autor i aksidentit të qëllimshëm është 31-vjeçari Gazmend Çeka, kushëri i viktimës, i cili ka mundur të arratiset nga vendi i krimit, pa rënë ende në pranga. “Një konflikt i vjetër pronësie mes kushërinjve është motivi i vdekjes së 51-vjeçarit. Dyshojmë se gjatë ditës së djeshme ka pasur një tjetër sherr mes tyre, pas të cilit autori ka ndjekur viktimën me makinë, duke e përplasur për vdekje atë”,-bëjnë me dije burime nga policia. Në të vërtetë, përplasja e qëllimshme e Pëllumb Çekës ka mbledhur shumë dëshmitarë, pasi ndodhi në një rrugë të frekuentuar nga makinat. Burimet në vendngjarje bëjnë me dije se një tjetër makinë është përfshirë në përplasje, por fatmirësisht nuk ka të dëmtuar. Fillimisht, policia e Tiranës ka nisur hetimet për një aksident, por hetimet e para zbuluan se ngjarja ishte e qëllimshme. Dëshmitarët në vendngjarje i kanë thënë policisë se makina e autorit ka ndjekur nga pas Pëllumb Çekën, e më pas e përplasi për vdekje atë. Pa e kthyer kokën pas, 31-vjeçari ka vazhduar rrugën, duke humbur gjurmët për policinë. Postblloqe të shumta janë ngritur përgjatë rrugës dytësore, ndërsa policia ka filluar kërkimet për gjetjen e autorit të krimit. Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme janë marrë në pyetje edhe të afërmit e 51-vjeçarit, për të zbardhur motivet e këtij aksidenti. Fqinjë të viktimës i thanë MAPO-s se 51-vjeçari Pëllumb Çeka punonte si roje dhe ishte nisur për në punë. “Mendohet se autori i dinte orarin, ndaj edhe e ka ndjekur me makinë”, - thotë një banor i Marikajt. Duke menduar se ngjarja do të konsiderohej aksident, Gazmend Çeka dyshohet se ka shtypur kushëririn e tij, por plani i hakmarrjes ka dështuar për shkak të dëshmitarëve okularë. Trupi i viktimës është dërguar në orët e vona të mbrëmjes në morg, ku do t’i nënshtrohet autopsisë, ndërkohë që policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe prangosjen e autorit.