Konfeksionistët: Tatimet po na falimentojnë
Biznesi fasonist është i shqetësuar nga niveli i lartë i gjobave dhe i kontrolleve tatimore, por ajo që shqetëson më shumë është mungesa e profesionalizmit në respektimin e ligjit tatimor, vendimeve të Këshillit të Ministrave dhe Udhëzimeve të Ministrisë së Financave për sektorin.
Kështu nga Tatimet është urdhëruar rivlerësimi i tatimeve për taksën e punës për vitin 2007, që ishte quajtur e rregullt nga administrata tatimore dhe janë vendosur gjoba marramendëse, që po çojnë drejt falimentimit dhe mbylljes së subjekteve që punojnë me material porositësi
Edhe pas debateve të shumta dhe argumentimit që i është bërë nga Prodhuesit e Veshjeve për pagat referuese, inspektorët tatimorë nuk kanë mundur të verifikojnë pagat reale të sektorit fasonist, mbi të cilat paguhen kontributet e sigurimeve shoqërore dhe të tatimit mbi të ardhurat personale, por në mënyrë abuzive kanë urdhëruar zbatimin e pagave referuese, të cilat nuk i përgjigjen vlerës së tregut për shërbimet e punësimit të këtij sektori.
Të gjitha këto shqetësime janë ngritur në një tryezë debati të organizuar në Durrës mes Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Në debat u trajtuan probleme të biznesit fasonist, (që punon me material porositësi) dhe u debatua lidhur me administrimin tatimor.
Problem shqetësues mbetet deklarimi i punonjësve të rinj dhe dinamika e lartë e lëvizjes së këtij kontigjenti. Qeveria nuk ka bërë ende efektiv deklarimin on-line të punësimit, duke krijuar kosto shtesë dhe të panevojshme për bizneset fasoniste që pasohen me gjoba dhe penalitete të pastudiuara dhe abuzive.
Në tryezën e debatit, anëtarët e Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, ngritën shqetësime që lidhen edhe me projektet e nxitjes së punësimit dhe të kualifikimit profesional, të cilat janë quajtur të dështuara dhe joefektive për rritjen e punësimit dhe përgatitjen e punëtorëve të kualifikuar për këtë sektor.
Nga ana e tyre drejtuesit më të lartë të tatimeve nga DPT dhe Dega e Tatimeve në Durrës siguruan rritjen e profesionalizmit në administrimin tatimor dhe parashtruan masat e reja të kësaj administrate në respektim të ligjit të ri të Procedurave Tatimore që tashmë ka hyrë në fuqi. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve dhe Rregjistrimit të Tatimpaguesve në DPT, Erion Prifti, tha gjatë debatit se bizneset duhet të njohin më mirë ligjin e ri, ku gjejnë përgjigjen e pothuajse të gjitha problemeve të ngritura. Z. Prifti bëri të njohura të drejtat e reja të tatimpaguesve sipas ligjit dhe më pas iu kërkoi bizneseve të përfitojnë nga shërbimet e reja që ofron administrata tatimore siç është deklarimi i detyrimeve tatimore on-line, që shmang kontaktin edhe me taksambledhësin abuziv dhe jo profesional.Kryetari i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve, z. Edmond Rusmali vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm me administratën tatimore dhe kërkoi që të njëjtën gjë të mund të bëjë më mirë edhe Ministria e Financave dhe ajo e Punës dhe Çështjeve Sociale, dikastere që qëndrojnë larg ofrimit të zgjidhjeve për shqetësimet e biznesit fasonist.Tryezat të tillë do të zhvillohen edhe në degët e DHKPV në Shkodër dhe Korçë, gjatë muajit shtator.