E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferenca Gjyqësore? Nuk ka rregulla për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së

Intervista Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, do të mbështesë nismat e kryetares së Gjykatës së Lartë për zgjidhje ligjore

Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, mbështet nismën e kryetares së Gjykatës së Lartë për të mbledhur Konferencën Gjyqësore Kombëtare, edhe pse ligji nuk është miratuar nga ekzekutivi dhe legjislativi. Në një prononcim për gazetën, Spahiu tha se një pjesë e anëtarëve të KLD-së janë larguar në funksione të tjera dhe domosdoshmërish lind nevoja e zëvendësimit të tyre, ndërsa shtoi se pushteti gjyqësor ka kapacitete dhe do inkurajojë zgjedhjet e orientuara drejt gjyqtarëve të ndershëm dhe me integritet.

Prej muajsh KLD-ja funksionon me organikë të përgjysmuar. Pesë anëtarëve të këshillit u ka mbaruar mandati. A mund të marrë vendime ligjore KLD-ja me këtë organikë?

Juridikisht ligji organik garanton vazhdimësinë e mandateve të anëtarëve të KLD-së deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj, por një pjesë e anëtarëve janë larguar në funksione të tjera dhe domosdoshmërish lind nevoja e zëvendësimit të tyre. Mendoj se konferenca nuk është zvarritur, por ka pasur pengesa serioze për t’u mbledhur. Kuadri ligjor nuk ekziston për organizimin dhe funksionimin e konferencës për shkak të deklarimit antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese e ligjit “Për funksionimin dhe organizimin e konferencës gjyqësore”. Në këto kushte nuk ka rregulla apo procedura ligjore se cili është organi i cili duhet të thërrasë gjyqtarët të organizojnë zgjedhjet për anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. 9 nga 15 anëtarët e KLD-së zgjidhen nga radhët e gjyqtarëve, me qëllimin e sigurimit të pavarësisë së pushtetit gjyqësor.

Në një mbledhje të datës 5 dhjetor të vitit të kaluar, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, dhe disa nga përfaqësuesit e Unionit Kombëtar të Gjyqtarëve, hodhën idenë se Konferenca Gjyqësore duhet të mblidhet pa u miratuar ligji, me pjesëmarrjen e të gjithë gjyqtarëve kombëtarë, për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në KLD. Si e shikoni këtë nismë?

E mbështes kryetaren e Gjykatës së Lartë në idetë e saj, ashtu dhe të gjithë debatin në tërësi për të gjetur zgjidhjet ligjore dhe kushtetuese për funksionimin e Konferencës Gjyqësore, si dhe realizimin e zgjedhjeve të reja. E rëndësishme është të mos kemi një proces të kontestuar nga pikëpamja konstitucionale, si dhe incidente të cilat do cenonin imazhin e gjyqësorit gjatë procesit zgjedhor. Pushteti gjyqësor ka kapacitete dhe do inkurajoja zgjedhjet e orientuara drejt gjyqtarëve të ndershëm dhe me integritet. Gjyqësori ka nevojë të ndryshojë imazhin në kushtet e krizës së besimit të publikut.

Cili është apeli i KLD-së për politikën shqiptare?

Nuk kam asnjë apel për politikën, pasi është koha për të demonstruar ndarjen e pushteteve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›