E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tony Blair mbërrin sot në Kosovë

Prishtinë Ish-kryeministri britanik do të pritet me nderime nga qytetarët dhe politikanët

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, viziton sot (më 8 korrik) Republikën e Kosovës, me ftesë të Kryeministrit Hashim Thaçi. Sipas zyrtarëve të qeverisë së Kosovës, ish-kryeministri britanik do të ketë një varg aktivitetesh në Kosovë, duke përfshirë takime me liderët institucionalë, si dhe do të mbajë një fjalim para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
 Blair do të marrë po ashtu edhe çmimin “Doctor Honoris Causa”, që ia ka ndarë kohë më parë Universiteti i Prishtinës, ndërsa në ditën e dytë të vizitës ai do të vizitojë Prizrenin dhe Pejën.
Ish-kryeministri britanik ka qenë një nga përkrahësit më të mëdhenj të çështjes shqiptare, e sidomos në luftën e fundit në Kosovë. Blair, bashkë me ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, kishin qenë shtytësit kryesorë që NATO të fillonte bombardimet mbi makinerinë ushtarake serbe, në pranverë të vitit 1999.
Këto bombardime ishin vendimtare për çlirimin e Kosovës dhe dëbimin e policisë dhe ushtrisë serbe. Blair asnjëherë nuk ka hezituar të flasë me shumë admirim për Kosovën dhe përpjekjet që ka bërë. Ai ka deklaruar se Kosova është një nga sukseset më të mëdha të karrierës së tij. "Me dorën në zemër mendoj se kam bërë atë që ishte më se e drejtë", ka thënë Blair, kur u largua nga detyra e Kryeministrit të Britanisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›