E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca Gjysore, debatet pro dhe kunder

Për herë të parë, kryetarja e Gjykatës së Lartë iu bashkëngjit grupit për vetadministrim

Laureta Rryçi

Edhe pse në sallë ishin vetëm 1/3 e gjyqtarëve në të gjithë vendin, dje Gjyqësori tregoi se për interesa madhore, si Konferenca Gjyqësore, sërish është i përçarë në dy grupe.
Shoqata e Gjyqtarëve, nëpërmjet përfaqësuesit të saj, gjyqtarit Klodian Rado, solli si alternativë që këtë problem t’ia përcillnin për interpretim Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa shoqata “Unioni i gjyqtarëve” dhe pjesa tjetër e të pranishmëve ranë dakord se Konferenca duhej mbledhur dhe se u takonte atyre ta zgjidhnin këtë ngërç. Për herë të parë dje, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, u vendos në grupin e dytë të gjyqtarëve ku ndante mendimin se Konferenca mund të funksionojë edhe pa një ligj.
Pro
Sipas kryetares së Gjykatës së Lartë, mbledhja e djeshme e përgjithshme e gjyqtarëve duhet të krijojë një grup organizator për thirrjen e Konferencës Gjyqësore Kombëtare për zgjedhjen e 4 anëtarëve të KLD-së, për plotësimin e vendeve vakante në atë këshill. Grupi organizator të përbëhet nga pesë anëtarë dhe të kryesohet nga kryetari i Gjykatës së Lartë. Në përbërje të grupit organizator të marrin pjesë, përveç kryetarit, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë, një gjyqtar i gjykatave të apelit dhe dy gjyqtarë të gjykatave të shkallës së parë, të zgjedhur në këtë mbledhje të përgjithshme nga radhët e gjyqtarëve sipas niveleve të gjykatave. Sipas saj, detyrat e grupit organizator do të ishin:
- Të hartojë një projekt-rregullore të përkohshme të Konferencës Gjyqësore Kombëtare për zgjedhjen e 4 anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë si më sipër.
- Të caktojë datën e kësaj konferencë dhe të organizojë thirrjen dhe mbledhjen e saj.
- Të miratojë rendin e ditës së Konferencës.
Kundër
Dje u ngrit pretendimi se ka qenë pikërisht Shoqata e Gjyqtarëve që paditi në Kushtetuese ligjin e vjetër të Konferencës. Tani do të ishte logjikë antikushtetuese të vepronin pa pasur një ligj të miratuar nga Kuvendi. Ose për të gjetur një të mesme mes të gjithë gjyqtarëve do të ishte mirë që Gjykata Kushtetuese të thoshte fjalën e saj në lidhje me këtë situatë. Për këtë problem, fare mirë shoqatat mund të ngrinin padi në këtë gjykatë.

Boc

Pro mbledhjes së Konferencës pa ligj

Mungesa e një ligji për Konferencën Gjyqësore Kombëtare nuk e ndalon vetorganizimin e mbledhjes së përgjithshme të të gjithë gjyqtarëve të Republikës për zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së.

Gjykata Kushtetuese, si organi i vetëm që bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës, e cilëson Konferencën Gjyqësore Kombëtare si organizëm vetërregullues dhe kompetencën e saj kushtetuese të zbatueshme drejtpërsëdrejti. Për këto arsye, Konferenca i ka të gjitha tagrat kushtetuese për vetëmbledhjen e vetërregullimin e saj dhe zgjedhjen e anëtarëve të KLD-së edhe në kushtet e mungesës së ligjit.

KLD-ja nuk mund të mos i njohë anëtarët e zgjedhur prej Konferencës për shkak të procedurës së ndjekur për zgjedhjen e tyre. Vetëm në ato raste kur nuk plotësohen kriteret apo ka papajtueshmëri të tjera.

Kundër mbledhjes së Konferencës pa ligj

Për sa kohë që nuk ekziston një ligj, nuk mund të mblidhet Konferenca, pasi të gjitha vendimet do të cilësohen antikushtetuese.

Shoqata që kërkon vetadministrim nuk përfaqëson interesat e pjesës më të madhe të gjyqtarëve, kësisoj nuk mund të merret parasysh kjo kërkesë për të thirrur Konferencën Gjyqësore Kombëtare pa një ligj të miratuar në Kuvend.

Diskutimet e djeshme që u bënë në mbledhjen e gjyqtarëve në mënyrë kronologjike

Klodian Rado, përfaqësues i Shoqatës së Gjyqtarëve
“Ne ishim ata që e dërguam në Gjykatën Kushtetuese ligjin e vjetër të Konferencës Gjyqësore për t’u dhënë mundësinë e votës të gjithë gjyqtarëve në vendin tonë. Ndërsa tani ne nuk mund të mbledhim Konferencën Gjyqësore pa pasur një ligj ku të bazohemi. Mendojmë se alternativa më e mirë do të ishte dërgimi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të kësaj situate për të marrë njëherë e mirë përgjigjen e duhur se si duhet të veprojmë. Për këtë arsye, ne nuk jemi të mendimit që të vetorganizohemi pa pasur më parë një ligj të miratuar nga Kuvendi. Sepse nëse do të zgjidheshin anëtarët e KLD-së në këtë mënyrë, atëherë më pas do të përballeshim me probleme kushtetuese”.

Ardian Dvorani, gjyqtar në Gjykatën e Lartë
“Jam i mendimit se buxheti që lihet për Gjyqësorin nuk është i mjaftueshëm. Studimet e kanë renditur vendin tonë për pagat e gjyqtarëve si të pestin nga fundi, duke lënë pas vende si Moldavia, Azerbajxhani. Sipas shifrave, nga vitit 2004 e deri në ditët e sotme paga jonë është rritur me 10 për qind për kundrejt pagave të tjera, të cilat kanë pësuar një rritje me 40 për qind. Mendoj se paga e një gjyqtari duhet të jetë së paku 1 mijë euro. Dhe të mos kthehemi në situata qesharake ku gjyqtari, për një pagë prej 80 mijë lekësh, detyrohet të shkojë gjyqtar në një rreth larg familjes për të marrë një shtëpi me qira. Ka shumë raste ku për efekte ekonomike janë detyruar që të ndajnë të njëjtën shtëpi me prokurorët dhe kur vjen momenti i gjykimit, palët ngrenë pretendimin se nuk mund t’i gjykojnë se kanë konflikt interesi. Përsa i përket çështjes për Konferencën Gjyqësore, unë jam i mendimit se ne mund të vetorganizohemi nëpërmjet një komisioni Ad-hoc. Të gjithë e dimë që Konferenca Gjyqësore në fillimet e saj ka funksionuar pesë vjet pa një ligj dhe askush nuk mund të ngrejë sot pretendimin se vendimet që janë marrë kanë qenë antikushtetuese. Unë kam një vërejtje për të gjithë anëtarët e KLD-së, të cilët në jo pak raste, me dashje ose pa dashje, janë treguar arrogantë dhe herë-herë dhe të dhunshëm ndaj Gjyqësorit. Do u sugjeroja anëtarëve të KLD-së të zgjedhur prej Konferencës që për të mirën e tyre të mos jepnin qëndrime në lidhje me këtë çështje”.

Hysni Demiraj, anëtar i KLD-së
“Nuk do të kisha folur në mbledhjen e sotme, por e ndiej veten të ngacmuar dy herë. Një herë nga një shkrim në media, ku thuhet se të gjithë anëtarët e KLD-së janë kundër vetorganizimit dhe herën e dytë nga fjala e Dvoranit. Nuk e kuptoj se si Gjyqësori nuk ka realizuar asnjë takim për dy vite me radhë, pavarësish problemeve të shumta. Problemet nisin që te karriera dhe siguria për statusin e gjyqtarëve, ku pas mbarimit të mandatit, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë detyrohen të shesin në kioska se s’kanë ku të shkojnë. Me lejoni t’ju citoj një shprehje të Martin Luter Kingut: ‘E keqja shoqërisë nuk i vjen nga të ligjtë, por nga heshtja e të mirëve’. Unë mendoj se nuk duhet të kemi frikë për të kërkuar të drejtat tona që na takojnë ndaj pushteteve të tjera. Prandaj, nëse duam që të na dëgjojmë, fillimisht duhet të jemi të gjithë njëzëri”.

Gerd Hoxha, gjyqtar, përfaqësuesi i shoqatës “Unioni i gjyqtarëve”
“Konferenca Gjyqësore duhet të mblidhet. Ky veprim nuk mund të konsiderohet antikushtetues. Po spekulohet pa të drejtë duke e konsideruar këtë iniciativë nga një grup gjyqtarësh si e paligjshme. Për të mbrojtur të drejtat tona në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, por jo vetëm, duhet të bëjmë zëvendësimet sa më parë. Nuk qëndron versioni se anëtarët e zgjedhur prej kësaj konference do të rrëzohen nga KLD-ja. Kjo e fundit ka të drejtë të verifikojë mandatet për kriteret nëse i plotësojnë kandidatët, dhe jo për mënyrën e procedurës që janë zgjedhur ata”.

Gurali Brahimllari, gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda
“Unë jam i mendimit se mbledhja është e vonuar. Ne duhet të ishim mbledhur me kohë për të bërë zëvendësimet në KLD për anëtarët që u ka mbaruar mandati. Aktualisht përbërja e Këshillit të Lartë të Drejtësisë është përbërje antikushtetuese”.

Musa Halili, ish-kryetar i Gjykatës së Apelit Ushtarak
“Unë them sot se gjyqtarët, për fat të keq, s’kanë ku të ankohen. Paguhem prej dy vitesh me rrogën e plotë dhe KLD-ja, në kundërshtim me ligjin, nuk më gjen një vend pune në një nga gjykatat, pavarësish vendeve të shumta vakante që janë hapur gjatë kësaj periudhe. Unë shkoj në KLD, më thonë se nuk më takon dot njeri; shkoj në ministri, sërish e njëjta përgjigje; shkoj te zyra e Buxhetit se nuk më japin 2 përqindëshin e vjetërsisë në punë; sërish nuk më jep zgjidhje njeri. Unë jam i mendimit të hapim një shoqatë të re atje ku mund të ngrihet zëri ynë shqetësues për të gjitha problemet dhe të mbrojmë të drejtat që na takojnë. Ne duhet të përfshihemi realisht në reformën në Drejtësi, dhe jo të mjaftohemi me një Libër të Bardhë”.

Dalip Bushi, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Tiranës
“Duhet të mblidhemi dhe të mbrojmë të drejtat që na takojmë. Gjyqtarët janë të rrezikuar nëse nuk do të kenë në KLD përfaqësuesit e tyre. Këtë e them me siguri, se e kam provuar vetë në kurriz se çfarë pëson nëse shkon në KLD për t’u shqyrtuar për masë disiplinore. Mendoj që fillimisht të krijohet statusi i Konferencës dhe më pas të procedohet për të bërë votimin për kandidatët për vendet bosh në KLD”.

Fatmira Hajdari, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës

“Unë kam ardhur sot këtu, por ende e kam të paqartë se kush e ka organizuar këtë bisedë, takim, dialog, nuk di si t’ia vë emrin, sepse Konferencë nuk mund ta quajmë. Kur më erdhi ftesa ishte pa një kokë lart se cili grupim e kishte bërë këtë organizim. Nëse Gjykata e Lartë ka dashur t’i plotësojë një dëshirë Unionit të Gjyqtarëve, atëherë më thoni sa gjyqtarë përfaqëson ky union? Sa gjyqtarë ka në sallë që janë pjesë e këtij unioni? Nuk më duket serioze kjo mënyrë organizmi. Që nga ky çast ne ndihemi të fyer, se na keni sjellë në salla të mjerueshme dhe në karrige ku po na grisen çorapet që kemi veshur. Unë për vete s’jam anëtare e asnjë prej shoqatave, por jam e gatshme që të bashkohemi të gjithë për të mbrojtur dhe diskutuar problemet e Gjyqësorit. Nëse ftesa do të kishte një kokë dhe organizimi do të ishte më serioz, atëherë jam e bindur se në mbledhjen e sotme do të ishin shumë prej gjyqtarëve, dhe jo kjo pjesëmarrje e mjerueshme”.

Rrahman Qinami, gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Tiranës
“Duhet të kuptojmë se kjo është mbledhje gjyqësore, dhe jo mbledhje shoqatash. Bëjmë mirë të ruajmë qetësisë, sepse këtu nuk na ka mbledhur njeri me zor, por të diskutojmë me argumente”.

Shpresa Beçaj, kryetare e Gjykatës së Lartë
“Jam përpjekur të tregohem shumë korrekte, prandaj nuk kam dashur që të jetë emri im në krye të këtyre ftesave. Mos harroni se edhe për ne është problem çështja e buxhetit. Për të marrë një sallë të mirë për këto orë sot duheshin minimalisht 5 milionë lekë”.

Artan Gjermeni, anëtar i KLD-së, gjyqtar
“Nuk mendoj se duhet të kalojmë për votim për sa kohë që nuk jemi 50 përqindëshi i trupës gjyqësore. Me aq anëtarë sa jemi në mbledhjen e sotme, nuk mund të arrijmë asnjëherë në një votim të vlefshëm. Nuk jam dakord për mënyrën se si është përcaktuar një nga çështjet e rendit të ditës. Me ose pa ligj, funksionimi i Konferencës Gjyqësore nuk qëndron pasi ne bazohemi në Kushtetutë për t’u vetëmbledhur dhe për të zgjedhur anëtarët e KLD-së”.

7 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›