E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza, SHBA: Partitë politike të tregohen elastike

Zëvendëssekretari amerikan u shpreh se SHBA-të e kanë mbështetur aksionin politik të ndërmarrë nga PE për të zgjidhur krizën


UASHINGTON - Partnerët ndërkombëtarë i kanë bërë sërish thirrje klasës politike shqiptare që të zgjidhë krizën politike, në mënyrë që vendi të ecë drejt integrimit për në Bashkimin Europian.


Ky është apeli që ka ardhur dje nga zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Xhejms Stajnberg. Ai kërkoi që drejtuesit e partive politike në Shqipëri, të tregojnë elasticitet për zgjidhjen e ngërçit politik.


Për këtë arsye, Stajnberg specifikoi se ekzistojnë mundësitë për të shkuar përpara drejt një dialogu politik. Zëvendëssekretari amerikan u shpreh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mbështetur të gjithë aksionin politik të ndërmarrë nga Parlamenti Europian për të ndihmuar palët për të zgjidhur krizën politike.


"Është një situatë e vështirë. Ne pranojmë se kryeministri është udhëheqësi legjitim i vendit dhe mendoj se duhet të shikojmë përpara, por mendoj se ekzistojnë hapa që mund të bëhen për të ndihmuar në arritjen e pajtimit mes forcave politike në Shqipëri.


Ne i kemi mbështetur mjaft përpjekjet që anëtarët e Parlamentit Europian kanë ndërmarrë për të lehtësuar një mirëkuptim mes palëve", - tha Stajnberg në një intervistë për "Zërin e Amerikës".


Ai kërkoi që forcat politike duhet të lejojnë vendin të ecë drejt integrimit dhe për këtë arsye, sipas tij, ato duhet të punojnë së bashku që të zgjidhin situatën politike në mënyrë që arrihet ky objektiv.


"Ne shpresojmë se të dyja palët do të tregojnë një farë elasticiteti, të lejojnë vendin të ecë përpara. Shqipëria është në prag të disa hapave që mund ta forcojnë të ardhmen e saj europiane krahas anëtarësimit në NATO.


Siç e përmenda, kryeministri Berisha është udhëheqësi legjitim në Shqipëri, por mendoj se mund të ndërmarrim disa hapa përpara për të lejuar që të dyja palët të përpiqen të punojnë së bashku", - u shpreh ai.


Stajnberg kërkoi më shumë bashkëpunim midis partive politike edhe në rrafshin institucional, duke thënë se disa ligje në Parlament kanë nevojë për shumicë të cilësuar dhe obligimi për ta çuar vendin përpara, sipas tij, do të jetë rruga që drejtuesit politikë t'i japin fund krizës politike, duke zgjedhur drejtimin se ku duan të shkojnë.


Por, pavarësisht thirrjeve që kanë ardhur deri më tani nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të zgjidhur krizën politike, mazhoranca po refuzon në mënyrë kategorike kërkesën e opozitës për transparencën e zgjedhjeve, duke bërë që qëndrimet e krerëve politikë të zhvendosen sërish në fazën fillestare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›