Konferenca Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë/ Rama: T’i japim UBT-së markën e ekselencës

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën e 5-të Ndërkombëtare mbi Shkencat e Jetës dhe Bujqësinë, zhvilluar në ambjentet e Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u shpreh se, UBT duhet të marrë markën e ekselencës dhe të bëhet më tërheqës.
“Momenti kur rektori m’u drejtua me sens urgjence dhe paniku prej rënies së numrit të studentëve dhe nevojës për të mundësuar që universiteti të mos mbetej pa studentë, duke më kërkuar uljen e mesatares së pranimit në këtë universitet. I thashë rektorit që ne duhet të shkojmë në të kundërtën, të synojmë që t’i japim universitetit markën e ekselencës dhe ta bëjmë tërheqës.
“Më vjen jashtëzakonisht mirë që nga një universitet që jetonte në një proces rrënimi të vazhdueshëm si rezultat i kthimit të kurrizit ndaj temave që ky universitet mbulon dhe që në fillim të bashkëpunimit tonë ishte i sulmuar dhe i kapur për fyti nga një rrjet i tërë metastazash të kancerit të ndërtimeve pa leje, sot është kthyer në një pararojë të transformimit, ambicies për Shqipërinë e së nesërmes dhe përgjegjshmërisë së lartë përpara brezit të atyre që trokasin në dyert e universiteteve tona për t’u bërë specialistët e së nesërmes”, tha Rama, ndërkohë pati edhe një thirrje për inspektorët e rinj në fushën e sigurisë ushqimore “që të guxojnë”, në sajë të një procesi që ka nisur në vend për përzgjedhjen e atyre që do t’i bashkohen Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU-së).
“Pak kohë më parë kërkuam ndihmën e UBT-së për të bërë një testim të kapaciteteve të Agjencisë Kombëtare të Ushqimit. Kemi marrë nga grupi i angazhuar një raport shumë cilësor, një eksperiencë që na ka dhënë idenë që ta strukturojmë si eksperiencë të shtrirë me botën akademike për të bërë vlerësimet profesionale të të gjithë inspektoriateve të vendit tonë. Duke krijuar një aleancë që do t’i hapë rrugë profesionistëve që duan të përfshihen në inspektoriate sipas meritës dhe për t’u mbyllur rrugën atyre që kanë hyrë në këto inspektoriate pa integritetin e duhur profesional“, tha kreu i qeverisë.
Në konferencë merrte pjesë edhe Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla si dhe ekspertë vendas dhe ndërkombëtar.