E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e ACT, NATO: Jini krenar për ç`keni arritur

Gjeneralmajor Jon B. Lilland "Në tre vitet e fundi ju keni bërë shumë progres në fushën e integrimit dhe duhet të jeni krenar për çfarë është arritur deri tani".Komanda e Aleancës për Transformim ka vlerësuar me nota shumë të larta punën e bërë për integrimin e Forcave tona të Armatosura. Ndihmësi i Shefit të Shtabit të ACT-së (Komanda e NATO-s për Transformim), i cili po merr pjesë në konferencën e pestë për integrimin e FA në strukturat e NATO-s, e cila po zhvillohet në ambientet e KDS, është shprehur se progresi i bërë gjatë tre viteve të fundit është shumë i madh. "E vlerësoj mbështetjen tuaj të madhe në këtë punë të rëndësishme dhe do të doja t`ju falënderoja shumë për integrimin dhe mbështetjen e madhe që më dhatë gjatë përgatitjes për këtë konferencë. Duke marrë parasysh pozicionin tim në NATO do të doja gjithashtu të falënderoja Shqipërinë për kontributin kombëtarë të dhënë në operacionet e NATO-s dhe në vecanti në misionet aktuale në Afganistan. Në tre vitet e fundi ju keni bërë shumë progres në fushën e integrimit dhe duhet të jeni krenar për çka është arritur deri tani", u shpreh Gjeneralmajor Jon B. Lilland.
 

Në hapjen e konferencës ishin të pranishëm ministri i Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, z. Arben Imami, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, z. Leonard Demi, zv.ministrat e Mbrojtjes, z. Arian Starova dhe z. Ekrem Spahiu, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, gjeneralë dhe ushtarakë të lartë nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe Forcat e Armatosura, përfaqësues nga Ministria e Jashtme etj.
Në konferencë merr pjesë edhe ndihmësshefi i Shtabit të Komandës së Aleancës për Transformim (ACT-së), gjeneralmajor Jon B. Lilland, si dhe ushtarakë të tjerë të lartë në Komandat e NATO-s.
 

Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami ,duke folur për bashkëpunimin dhe ndihmën që kanë dhënë vendet anëtare të NATO-s dhe ato partnere për Shqipërinë dhe Forcat e saj të Armatosura, ministri Imami u shpreh: "Ne vlerësojmë me të vërtetë ndihmën që vendet tona aleate dhe partnere japin për Forcat tona të Armatosura, në të gjitha fushat e integrimit, si në drejtim të doktrinave, aftësive ushtarake ose inkuadrimin strukturor. Integrimi ka qenë dhe mbetet një proces kompleks, i cili ka marrë një përkushtim shumë të madh të Burimeve Njerëzore. Megjithatë, ne jemi shumë krenar për progresin që kanë arritur Forcat e Armatosura në këto tre vitet e reformave të përshkallëzuara. Unë shfrytëzoj këtë rast të falënderoj të gjithë personelin ushtarak dhe civil për durimin, këmbënguljen dhe vullnetin e tyre, për të plotësuar të gjitha reformat e domosdoshme të nënshkruar. Falë tyre, FA Shqiptare janë të krahasueshme me Forcat e Armatosura të Aleancës".
 

Ministri Imami u shpreh se janë hedhur disa hapa shumë të rëndësishëm që nga Konferenca e vjetshme e ACT, ndërsa shprehu bindjen se FA Shqiptare janë të gatshme për të përmbushur shumicën e kërkesave të NATO-s në një mënyrë shumë mirë të menduar dhe racionale, që e bënë më të lehtë zhvillimin e programit të punës dhe ngritjen e linjave të qarta kohore për zbatimin e paketës së re të Mbrojtjes së Zgjuar, "Smart Defence", në përputhje me kushtet e vendosura në Samitin e Çikagos. "Vitin e kaluar ne kemi punuar seriozisht me projektet që do të bien në kuadrin e Mbrojtjes së Zgjuar, me qëllim të identifikimit të projekteve të rëndësishme për FA dhe për bashkëpunimin rajonal, ku një vëmendje të rëndësishme i kemi kushtuar edhe ideve të diskutuara me gjeneralin Abrial, gjatë vizitës së tij në Tiranë. Shqipëria dhe vendet tona fqinje në rajon duket se ndajnë interes të përbashkët në fusha të tilla si të mbikëqyrjes dhe ruajtjes në detin Adriatik, mbikëqyrjen e ajrit dhe projektet rajonale në emergjencat civile, në të cilin ne jemi të përqendruar plotësisht", është shprehur ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami.
 

Komanda e Aleancës për Transformim është struktura e NATO-s që udhëheq, mbështet dhe koordinon procesin intensiv të integrimit për vendet që fitojnë anëtarësimin në Aleancë. Në këtë kuadër gjatë vitit 2010 u firmos edhe Memorandumi iMirëkuptimit ndërmjet Shqipërisë dhe ACT, i cili përcakton fushat kryesore të bashkëpunimit ndërmjet dy palëve për procesin e transformimit. Konferenca i mbyll punimet ditën e enjte, më 28 qershor 2012.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›