E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferenca e Kryetarëve: Greva, jo mjet presioni

Tiranë- Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare e mbledhur pak më parë për ka kërkuar nga deputetët grevistë të lirojnë sallën ku janë ‘ngujuar’ prej 3 ditësh dhe të gjejnë një ambient më të përshtatshëm.

Sipas një deklarate të përbashkët të bërë në përfundim të mbledhjes, konferenca ka saktësuar se greva e urisë është një mjet i njohur sensibilizimi publik, por kurrsesi mjet legjitim për të ushtruar presion politik.

Mbledhja u thirr nga kryetarja e Kuvendit për të diskutuar për situatën e krijuar nga greva e urisë e 10 deputetëve në sallën e seancave plenare.

“Konferenca shprehu shqetësimin për faktin që grevistët po e zhvillojnë grevën në kushte të papranueshme edhe për shëndetin e tyre, ndaj i fton ata t’i bëjnë thirrje arsyes dhe përgjegjshmërisë së tyre politike”- thanë burimet nga Konferenca e Kryetarëve, duke shtuar se në përfundim të mbledhjes Konferenca u shpreh se duhet të kërkohen mjedise të tjera të përshtatshme.

Konferenca vlerësoi se Parlamenti është institucioni kryesor i kryerjes së reformave dhe se ai është vendi i vetëm i diskutimit dhe i debatit politik. “Procesi është ende i hapur në komisionin parlamentar të reformës zgjedhore”- thuhet në deklaratën e përbashkët.

Kryetarët e grupeve parlamentare vërejtën se, në procesin e reformave është synuar të përfshihen të gjitha forcat politike. “Deri tani të gjitha hapat e reformës elektoralejanë arritur me konsesusin më të madh të mundshëm. Por procesi nuk mund të pengohet nga askush”- theksohet më tej.

“Duke shprehur bindjen se çdo tentativë për të bllokuar funksionimin e parlamentit është i papranueshëm, Konferenca e Kryetarëve fton deputetët grevistë të respektojnë rregullat e demokracisë, ligjet e shtetit dhe rregulloren e parlamentit”-përfundon deklarata.Greva e paralajmëruar e urisë, fillimisht e 11 deputeteve( dje doli nga greva, Jak Ndokaj) nisi si masë revolte ndaj ndryshimeve që pritet të miratohen në Kodin Zgjedhor dhe veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me përbërjen e komisioneve të administrimit të procesit elektoral në të tre nivelet e tij. Të mbetur të papërfaqësuara në këto komisione si pasojë e këtyre ndryshimeve, këto LSI dhe PDK, kanë zgjedhur pikërisht grevën e urisë si masën më ekstreme për të kërkuar të drejtat e tyre të pretenduara. Në këtë mënyrë, deputetët Iliri Meta, Pëllumb Xhufi, Ndre Legisi, Petro Koçi, Nikollaq Neranxi, Spartak Braho, Nard Ndoka, Ndue Shpani, Ymer Tola dhe Frrok Gjini, u ngujuan të henen në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë. Deputetët në fjalë janë ndër të vetmit në Kuvend, që nuk mbështesin ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›