E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë - përmirësohet gjendja shëndetësore e studenteve, 5 prej tyre lënë spitalin

24-05-2012 / Gazeta 55

Gjendja shëndetësore e studenteve që po trajtohen në spitalin rajonal të Vlorës, pas aksidentit tragjik të ndodhur dy ditë më parë, në afërsi të Himarës, 75 km në jug të Vlorës, ka një përmirësim të ndjeshëm. Pesë nga studentet që mbetën të plagosura në aksidentin e ndodhur dy ditë më parë, në afërsi të qytetit të Himarës, të cilat po trajtoheshin në spitalin e Vlorës, dolën dje në mesditë nga ky spital, pas përmirësimit  të dukshëm të parametrave të tyre shëndetësorë.
Drejtori i këtij institucioni, Shkëlqim Selami, tha për mediat se Ergita Opingari, Ticiana Hysaj, Anisa Hysa, Enkela Daja, Adisa Çela, dolën nga ky spital, ku trajtoheshin prej mbrëmjes së ditës së hënë, kur ato mbërritën pak orë pas aksidentit. Sipas Selamit, gjendja shëndetësore e tyre ishte normale dhe mjekët vlerësuan se ato mund të qëndrojnë në kushtet e shtëpisë. Pesë vajzat u shoqëruan nga autoambulancat e Spitalit Rajonal të Vlorës për në shtëpitë e tyre, në Berat dhe Elbasan. Aktualisht, në spitalin e qytetit të Vlorës po mbahen nën kujdesin e mjekëve studentet e plagosura Elidona Gjinaj, Adiola Mustaku, Juliana Kuqi, Besjana Xheneti, Liri Hasaj, parametrat shëndetësorë të të cilave janë ende të pastabilizuar plotësisht.
Në aksidentin e pasdites së të hënës, në afërsi të qytetit të Himarës, në vendin e quajtur “Qafa e Vishës”, autobus me të cilin udhëtonin disa studente të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit, ra nga një lartësi prej disa dhjetëra metrash dhe humbën jetën 13 persona, mes të cilëve 11 studente. Po ashtu, u plagosën 26 të tjera, nga të cilat 10 u trajtuan në Spitalin Rajonal të qytetit të Vlorës. Studentet e vitit të tretë në degën Gjuhë Letërsi, ishin nisur për në qytetin e Sarandës, ku do të qëndronin të paktën 2 ditë, në kuadrin e një ekskursioni si pjesë e programit mësimor.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›